brazil.holand
Brazili thellon krizën dhe dështimin e tij në Botërorin e 20-të, që u zhvillua pikërisht në vendin e “Sambës”. Pas humbjes turpëruese 7-1 me Gjermaninë në gjysmëfinale, skuadra e Felipe Skolarit është mundur edhe në ndeshjen për vendin e tretë dhe të katërt. Ka qenë Holanda, ajo që ka nxjerrë sërish në pah pamundësinë dhe corientimin e brazilianëve, të cilët kanë pësuar gol që në minutën e dytë. Robin van Persi ekzekuton penalltinë e fituar nga Roben dhe i kalon portokallinjtë në epërsi.

Prapavija e “Selecaos”, në kaos të plotë, vijon të shfaqet edhe në vazhdimin e ndeshjes problematike, ndaj lojtarët e Van Galit s’e kanë të vështirë të “vallëzojnë” para portierit Hulio Sezar. Këshu ndodh edhe në minutën e 17-të, kur Bilnd do të dyfishjonte shifrat për të tijtë. Dy gola në kaq pak minuta të krijojnë përshtypjen e një turpërimi tjetër për mikpritësit e këtij Botërori, por Holanda nuk ka pse shpenzon energji kot, luan e shpenguar dhe mbron rezultatin deri në fund të kohës së rregullt, kur Wijnaldum vulosi gjithcka me golin e tij, 3-0.

Kësisoji, skuadra e Van Galit renditet e treta në “Brazil 2014”, duke ikur nga ky kompeticion pa pësuar asnjë humbje, ndërsa Skolari dhe të tijtë kanë nevojë për një “katharsis” të vërtetë. Paraqitja e tyre në komepticionin e kësaj vere nuk kishte asgjë të përbashkët me Brazilin e pesë titujve kampionë të Botës, me spektaklin që ka prodhuar kjo kombëtare ndër vite.
Të dielën në darkë, në orën 21:00, në mitikun “Maracana” do të luhet edhe finalja e këtij Botërori, mes Argjentinës dhe Gjermanisë, për ta ulur siparin e këtij “festivali” futbollistik, që mbajti ngërthyer tërë globin për një muaj.

BRAZIL-HOLANDE 0:3
Golat: Van Persie 3′ (pen), Bilnd 17′, Wijnaldum 91′
BRAZILI: Júlio César, Maxwell, Maicon, Thiago Silva, David Luiz, Willian, Ramires (Hulk 72′), Luiz Gustavo (Fernandinho 46′), Paulinho (Hernanes 46′), Oscar, Jô. Trajner: Luiz Felipe Scolari
HOLANDA: J.Cillessen, R.Vlaar, S.de Vrij, B.Martins Indi, A.Robben, J.de Guzmán, G.Wijnaldum, D.Blind (D.Janmaat 70′), J.Clasie, D.Kuijt, R.van Persie. Trajner: L.van Gaal
Gjyqtare: D.Haïmoudi, R.Achik, A.Etchiali
Kartonë të verdhë: T.Silva 2′, Fernandinho 54′, Oscar 68′ / Roben 9′, De Guzman 37′

(d.d/panoramasport/)(Gazeta Vatra)