Hafiz Ali ULQINAKU (EB “Lisitan”, Tiranë, 2005)
Me rastin e 101 vjetorit te vdekjes.
Nga Kujtim Dashi
Klerik, poet, hartues fjalorësh dhe përkthyes i veprave fetare, që inkuadrohej në rrymën e bektashinjve.
Hafiz Ali Ulqinaku u lind në Ulqin në familjen e një barkëtari, në vitin 1855. Në kohën e agresionit të Malit të Zi kundër Ulqinit (1876-1877) mori pjesë me armë në dorë për mbrojtjen e qytetit të tij të lindjes kundër malazezëve dhe pas pushtimit të tij, më 1880, vendoset në Shkodër, ku mbaron mësimet në medresenë e atij qyteti. Punoi si mësues në Shkodër e, që nga viti 1883, me kërkesën e qytetarëve të Lezhës, emërohet mësues i shkollës fillore dhe hafiz.
Hafiz Ali Ulqinaku shkroi poezi dhe botoi dy vëllime me poezi me përmbajtje fetare, hartoi dhe një abetare shqip me alfabet arab. Ai qe edhe autori i disa përkthimeve të tjera nga turqishtja dhe, më e rëndësishmja, e një Fjalori të madh turqisht-shqip dhe shqip-turqisht të hartuar në alfabet arab, aty nga viti 1897, të cilin e quajti “Ulqin”. Fjalori përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e I përmban një fjalor turqisht-shqip në vargje dhe me 915 faqe, pjesa II një fjalor shqip-turqisht, origjinali i së cilës ruhet, përfshin vetëm 168 faqe me rreth 4000 leksema të ndryshme të shqipes. Ky fjalor përmban mjaft fjalë të rralla dhe ka vlerë për leksikografinë shqipe dhe për historinë e gjuhës sonë. Hafiz Ali Ulqinaku përktheu në gjuhën shqipe “Mevludin” e poetit turk Sulejman Çelebiut, të cilin e botoi në Stamboll në fillim të vitit 1878 dhe sot ai ruhet në Bibliotekën “Yldiz” të Stambollit, e që është shtypur me 1933, domethënë pas vdekjes se Hafiz Ali Ulqinakut. U botua me alfabetin e sotëm të gjuhës shqipe.
Hafiz Ali Ulqinaku jetoi në Lezhë 24 vjet derisa vdiq, më 23 prill 1913. Varroset në Shkodër dhe tani nuk i gjendet varri.
Me veprën e Hafiz Ali Ulqinakut është marrë kryesisht Osman Myderrizi po edhe studiues të tjerë etj. Në qytetin e Ulqinit organizohen herë pas here veprimtari në përkujtim të jetës dhe veprës së Hafiz Ali Ulqinakut.
Në Udhërrëfyesin e Arkivit Qendror Shtetëror–Fonde personale dhe familjare-(Vëllimi i parë, Tiranë, 2000) dokumentacioni i Ali Ulqinakut (Hafëz) përbën fondin me Nr.25, i cili ka kufijtë kohorë 1878-1917, strukturën e përpunimit (veprimtari krijuese), llojin e dokumentit (fjalor, lutje), gjuhën e përdorur (shqip me alfabet arab), mënyra e ruajtjes (origjinal, kopje, mikrofilm), përpunuar në vitin 1974 (shtesë 1985).
Vepra:
“Hoda rabbin terxhmeri”, 1880.
“Abetare shqip” (?)
“Fjalor turqisht-shqip”, Stamboll, 1897.
“Fjalor shqip-turqisht”, Stamboll, 1897.
“Mevludi”, përkthim, Stamboll, 1878, 1933.