Fatmir Haxhiu, Piktor i Merituar, lindi më 28 dhjetor 1927 në Gjirokastër, në një familje qytetare nga Përmeti. Në vitin 1930 familia e tij u vendos me banim në qytetin e Tiranës, ku kaloi gjithë jetën. Kreu shkollën fillore në “Shkollën e Kuqe” shkollën e mesme në Liceun e Tiranës.
Në shtator të vitit 1943 shkoi partizan ku qëndroi deri në fund të luftës. Në nëntor të vitit 1945 Fatmiri shkon për studime ushtarake në Beograd (Jugosllavi) e me pas në Zagreb.
Në vitin 1948 fillimisht u emërua në Regjimentin e Artilerisë në qytetin e Beratit e më pas si zv/shef operativ i Komandës së Artilerisë së Ushtrisë deri në vitin 1956. Më pas punoi si pedagog në Shkollën e Bashkuar të Oficerave (sot Akademia Ushtarake e Trupave Tokësore “Skenderbej”), deri më 1959.
Në vitin 1959 për herë të parë merr pjesë në ekspozitën kombëtare të pikturës, kjo bëri ndryshimin e madh tek Haxhiu.
Po në vitin 1959 konkuroi në Institutin e Lartë të Arteve ku u pranua e në vitin 1965 përfundoi studimet.
Fatmiri ka qënë anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe anëtar i Komitetit Drejtues të saj deri në vitin 1991. Ai ka qënë Kryetar i Komisionit të Pikturës pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe pedagog i jashtëm i Insitutit të Lartë të Arteve në atelienë e pikturës monumentale.
Haxhiu ka realizuar një numër të madh veprash në gjininë e kavaletit dhe asaj monumentale. Punimet e tij janë ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve, Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Historik të Tropojës, Burrelit, Vlorës, Përmetit etj. Punimet e tij ndodhen edhe në koleksionet private jashtë Shqipërisë.
Veprat më të vlerësuara të tij janë:
Skroskë 1944
Luftëtari i Spanjës
Me shpatë në dorë
Bashkimi i Principatave shqiptare
Tokë e zhuritur
Beteja e Albulenës
Vallja e fitores
Lufta e Tiranës
Fatmir Haxhiu është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”.
U shua në Tiranë më 10 mars 2001