Faik Konica u lind më 15 mars të vitit 1876 në Konicë. Rrjedh nga familja e vjetër feudale e bejlerëve të Konicës. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Vazhdimin e shkollimit e bëri në Shkodër, më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA.

Me 1895 botoi në Paris broshurën “Shqipëria dhe turqit”.
Më pas vendoset në Bruksel, Belgjikë, ku nxjerr revistën “Albania”, nga viti 1897 deri më 1909 revistë politiko-kulturore dhe letrare që u bë organi më i rëndësishëm i Rilindjes sonë. U botua në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, ajo shpalosi programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.

Faik Konica

Më 1909 Konica, u ftua nga atdhetarët në SHBA. Në SHBA ai drejtoi gazetën “Trumpeta e Krujës”. Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj e drejtoi gazetën “Dielli”.
Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, që morën pjesë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve.
Në kongresin shqiptar të Triestes më 1913, ku u mblodhën për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali etj.

Në 1921 Konica u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”. Me dështimin e Revolucionit të Nolit, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë (Ambasador) në SHBA.

Vdiq në Uashington në 15 dhjetor 1942.

Faik Konica është një nga personalitetet e kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes.

Veprimtarinë e tij publicistike e letrare Konica e zhvilloi kryesisht në shtyp, në revistën “Albania” ai ai shkroi me qindra artikuj, pamflete, polemika, shënime, ese, botoi vjersha, proza poetike, skica, tregime, portrete, ese, artikuj të ndryshëm etj. Ai i kushtoi rëndësi publikimit historisë së popullit shqiptar, zbulimit dhe propagandimit të vlerave të tij etno-kulturore, e veçanërisht krijimit të një gjuhe letrare shqipe.

Përgatiti përmbledhjen letrare “Kandili i kuq”, por nuk mundi ta botojë. Në të vërtetë nga Konica nuk kemi asnjë libër të botuar, me përjashtim të vëllimit me përralla të përkthyer “Nën hijen e hurmave”(1924). Krijimtaria e tij ka mbetur e shpërndarë në shtypin e kohës dhe një pjesë është e pa përfunduar. Prej tyre duhen veçuar si vepra të rëndësishme proza e gjatë satirike, “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit”, cikli i tregimeve “Katër përralla nga Zullulandi”, udhëpërshkrimi “Shqipëria si m`u duk…”. Ai la në dorëshkrim anglisht veprën “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës jug-lindore” dhe ese të tjera, e cila u botua pas vdekjes (1957).
Faik Konica është krijuesi i kritikës sonë letrare, që së bashku me Nolin i hapën rrugën asaj në kulturën shqiptare. Ai shkroi një varg artikujsh teorikë letrarë si “Arti i të shkruarit”, “Ca këshilla për artin e shkrimit”, “Kohëtore letrare shqipe” etj. të cilat shënonin një kontribut për orientimin dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare.

Faik Konica shkroi edhe poezi, sidomos në fillimet e krijimtarisë së vet, si, vjershat “Gjuha jonë”, “Flamuri”, “Kushtrimi ose Marsejeza e shqiptarëve”, apo vjersha satirike “Anadollaku” dhe lirika “Helena e Trojës”.
Konica ks shkruar disa prozas poetike si “Një liqen”, “Anës liqenit”, “Bora”, “Malli i mëmëdheut” etj. Po ashtu ai shkroi disa skica letrare dhe rrëfenjëza që ai i quan përralla si “Urika”, “Në dritë të hënës”, “Ai që ishte gati të vdesë për Shqipërinë”, “E bija e mbretit dhe trëndafilat”, “I urti i malit” etj.
Veprat:

Doktor Gjilpëra, (prozë satirike)
Katër përralla nga Zullulandi, (cikël tregimesh)
Shqipëria si m`u duk, (udhëpërshkrim)
Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës jug-lindore, (dorëshkrim anglisht i veprës).