Pjesa më e bukur e kryeqytetit shqiptar është bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza” dhe shëtitorja “Zogu i parë”. Gjatë gjithë gjatësisë së tyre janë krijuar ndërtesa që bëjnë përshtypje me arkitekturën e bukur dhe stilin e veçantë. Sigurisht që merita kryesore i shkon punës së italianit Gherardo Bosio.
Sipas arkitektit studiues shqiptar Artan Shkreli, puna e Bozios në Tiranë është një akt kurajoje i paparë, sepse përveç projekteve urbanistike, vetëm në Tiranë ai realizoi ndërtesën e Universitetit, Akademinë e Arteve, Institutin Arkeologjik, stadiumin, hotel Dajtin, Pallatin e Brigadave dhe parkun rrethues, dizenjoi gjithashtu dhe format planimetrike të Pallatit të Kulturës, Muzeun Kombëtar etj.
Është e vështirë të gjesh në historinë e arkitekturës botërore një arkitekt me një vullnet kaq intensiv në realizimin e veprave të mëdha siç Gherardo Bosio realizoi në Shqipëri.
Ushtria italiane sapo kishte zbarkuar në Shqipëri, kur Zenone Benini, zëvendës-sekretar i shtetit për çështjet shqiptare, pas një audience, në prill të 1939-ës me Benito Musolinin, i kërkoi një takim arkitektit Bosio.
Detajet e takimit mungojnë, por objektivi është protokolluar. Bosios iu caktua një detyrë e rëndësishme, që ishte një mundësi unike për çdo profesionist:të realizonte planin urbanistik të një kryeqyteti evropian.
Të një kryeqyteti, që nga pikëpamja urbanistike nuk ekzistonte, por perspektiva duhet të shprehte ambiciet e një superfuqie të re që kishte lindur në botë:Italia fashiste.
Perandoria e re italiane, duke shfrytëzuar historinë dhe rrënojat arkeologjike, pra influencën e Romës antike në Ballkanin perëndimor, ose në Mesdhe, kishte si qëllim të vendoste kontrollin e vet në një vend me një sërë programesh, ku arkitektura dhe urbanistika do të merrnin një vëmendje të veçantë nga ana konceptuale dhe ajo financiare.
Musolini donte ti tregonte Evropës skeptike, se nëpërmjet romanizimit Shqipëria e varfër, e rraskapitur nga pushtimi otoman do shkonte në pikun e zhvillimit të Epokës. Musolini besonte në këtë ëndërr.
Ai kishte mbështetjen dhe besimin e një gjenerate të tërë artistësh heronj të artit bashkëkohor, të cilët, në mënyrë të veçantë arkitektët, që shihnin tek diktatura mjetin më efikas për ndryshimin e qytetit dhe realizimin e ëndrrës së njerëzve që kishin ëndërr një qytet të ri.
Bosio vinte nga një familje e pasur bankierësh e ushtarakësh. Ai ishte mrekulluar nga punët e Walter Gropius dhe nga shkolla Bauhaus në Gjermani.
Ai i përkiste një rrethi artistësh dhe arkitektësh që kishin marrë mbi vete misionin e vështirë për të sjellë në Itali idetë avanguardiste. Bosio ishte i bindur për “tërmetin” që arti dhe arkitektura moderne ishin duke ju shkaktuar “Botës së vjetër”.
Gherardo Bosio
Ai ishte një ushtarak me një estetikë të admirueshme, sipas të cilit çdo gjë që nuk ishte funksiononte nuk mund të ishte e bukur. Krijuesi i “Grupit të Akitektëve Toskan”, ngul këmbë për realizimet e para në Firence të estetikës së re. Ai ndërtoi stadiumin “Pier Luigi Nervi” si dhe ndërtesën e tij, që për shumë vite u quajt kryevepra e arkitekturës evropiane, stacionin e Firences etj.
Bosio do tërhiqte vëmendjen dhe me punët e tij të mëpasme në Addis-Abeba, Gondar, Dessie, Gimma, Rieti dhe në Tiranë.
Po të shohim ndërtesat që ka projektuar Brosio ato janë të ndryshme. Ndërtesa e Universitetit është e ndryshme nga Akademia e Arteve dhe Pallati i Brigadave. Ajo që është karakteristikë është fakti që Bosio ruan një raport mes tradicionales dhe modernizmit.
Ndaj dhe Bosio në projektin e tij urbanistik ka ruajtur strukturën e qytetit të vjetër, për të mos humbur gjurmët e qytetit mysliman. Sipas tij Tirana edhe pse u projektua me stil perëndimor duhej ruajtur në karakterin e saj të brishtë dhe të rrethuar me gjelbërim.
Përveç Tiranës, ai filloi, pa humbur kohë planet urbanistike të qyteteve si Shkodër, Milot, Durrës, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë e Sarandë, duke u koncentruar veçanërisht në Vlorë e në Elbasan. Për fat të keq këto projekte nuk u vunë kurrë në jetë.
Marrë nga “njekomb.com”