Elena Gjika, Dora d’Istria, shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune me origjinë shqiptare.
Elena Gjika lindi me 3 shkurt 1828 në Kostance, Rumani në familjen e Mihal Gjikës që kishte kohë që jetonte atje. I ati Mihal Gjika ishte vëllai i Princit të Vllahisë Grigor Gjika. Elena studioi për letërsi, pikturë, muzikë dhe histori, në Dresden, Vjenë, Venecia dhe Berlin. Kur u kthye përsëri në Rumani në 1849 u martua me dukën rus Aleksandër Kolstov-Massalski. Për disa vjet ajo jetoi në Rusi, në Shën Petërsburg, por shëndeti i saj u përkeqësua nga klima ruse kështuqë ajo shkoi fillimisht në Zvicër për disa vjet, bëri një udhëtim nëpër Greqi dhe Anadoll e përfundimisht, ndaloi në Itali në Firence. Herë pas here Elena udhëtonte në Francë, Irlandë dhe Shtetet e Bashkuara.
Si publiciste dhe shkrimtare (kryesisht në frëngjisht) Elena Gjika u bë e njohur në vitin 1855. Ajo shkruante me emrin Dora D’Istria. Elena botoi një numër shkrimesh që tregonin jo vetëm njohjet e gjuhëve rumune, italiane, gjermane, franceze, latine, greke (e vjetër dhe moderne) dhe ruse, por edhe njohuritë e saj në fushën e shkencës, fesë, politikës, si dhe talentin për të paraqitur pikëpamjet e saj.
Vepra e saj e parë ishte “La vie dans l’Eglise monastique Orientale” – “Jeta monastike në Kishën Lindore” (Bruksel 1855; Bot. II-Paris 1858), ku ajo bëri thirrje për shfuqizimin e urdhrave të manastirit. Ajo gjithashtu botoi shkrime të shumta mbi historinë e letërsisë, poezisë, çështje politike, shoqërore dhe fetare, historike, arti etj. në revista të mirënjohura franceze (sidomos në Revue des Deux Mondes), belge Libre Recherche, italiane Diritto, Antologia nuova, Rivista europea etj. dhe revista zvicerane, greke, rumune dhe amerikane.
Elena Gjika ishte gjithashtu piktore. Ajo ishte anëtare e shumë shoqërive të studiuesve, të tilla si Akademia italiane, ajo u emërua edhe qytetare nderi nga parlamenti grek dhe shumë qytete italiane.
Ajo mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës si kundërshtare e sundimit despotik monarkist dhe e shtypjes Kombëtare. U radhit në mes të 10 femrave më të ngritura intelektualisht ne botën e asaj kohe. Përkrahu nxehtësisht Rilindjen Kombëtare Shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si: Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko etj. Ajo rrahu mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në një varg studimesh: Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore (La nationalité albanaise d’après les chants populaires, 1866), Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore (Les ecrivains albanais de l’Italie Méridionale, 1867), Shqiptarët në Rumani (Gli albanesi in Rumenia, 1873), etj., ajo vuri në dukje nëpërmjet këngëve popullore historike luftën shumëshekullore të popullit Shqiptar kundër sundimit osman. Në shenjë mirënjohjeje për ndihmesën e dhënë në njohjen e çështjes Shqiptare nga opinioni publik botëror, patriotët rilindës dhe arbëreshë të Italisë e të Greqisë i kushtuan librin me titull : Dora d’Istrias-Shqiptarët (A Dora D’Istria – Gli Albanesi, 1870), një përmbledhje vjershash patriotike.
Elena Gjika vdiq në Firence më 17 nëntor 1888.
Tituj të veprave:
La vie dans l’Eglise monastique Orientale – “Jeta monastike në Kishën Lindore” (Bruksel 1855; Bot. II-Paris 1858)
La Suisse allemande – “Zvicra gjermane” (Gjenevë 1856, 4 Vëllime, gjermanisht; Bot. II, Zürich 1860, 3 Vëllime)
Les femmes en Orient – “Gratë në Orient” (Zürich 1859, 2 Vëllime)
Des femmes, par une femme – “Rreth grave, nga një grua” (Bot. II, Bruksel 1869, 2 vëllime)
Ekskursions en Rouméllie et en Moree – “Ekskursione në Rumeli dhe More” (Zürich 1863, 2 Vëllime)
Au bord des lacs helvétiques – “Lundrim në liqenet zvicerane” (Gjenevë 1861)
Fylétia e Arbenoré prej Kanekate laoshima (Livorno 1867)
Gli Albanesi in Rumenia, një histori e princëve Gjika, nga familja e saj, në shekujt e 17-të deri 19-të (Bot. II, Firenze 1873)
La poésie des Ottomans (Bot. II, Paris 1877), si dhe
La nationalité albanaise d’après les chants populaires (1866) Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore
Les écrivains albanais de l’Italie Méridionale (1867) Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore