Nga KOLEC TRABOINI
Nga qëndrimi i gjatë mohues, mesa duket diçka ka ndryshuar në vitin 2014, këtë vjeshtë shtatorja e Edgar Allan Poes, që shihet në foton më poshte të “The Paris Review” do të vendoset në një shesh të Bostonit, vendlindja e poetit.
Sa më shumë shkonin vitet, aq më tepër rritej fama e këtij shkrimtari që tashmë mbarë bota e konsideron si një gjeni. Shumë qytete në Amerikë e kanë nderuar duke krijuar muzeume apo buste e pllaka përkujtimore nëpër vendet ku ka jetuar. Por veç kurrkund nuk ka një muze ku të shkruhet e thuhet se këtu ka lindur gjeniu Edgar Allan Poe. Shumë kush e kapercen këtë moment të jetës së shkrimtarit, madje edhe kur e dinë vëndlindjen e tij, për të cilën vjen në ndihmë edhe epistolari i vetë Allan Poes, thëniet e tij.
Mattheu Pearl nga Kambridge Massachusets, author i veprës , “Hija e Poes” shkruan se :”Kurrsesi nuk shtrohet çeshtja se Poe e abandonoi Bostonin, përkundrazi shtrohet çeshtja tjetër, pse Bostoni vazhdon ta abandonoje Poen”.
Kjo është një e vertetë e dhimbshme për dashamirësit e letërsisë aq më tepër kur ndër njëmijë reliket historike që ka Bostoni, si një qytet i madh turistik, nuk ka as muzeum e as statujen e tij në ndonjë nga sheshet e veta të shumta kur këtë e kanë dhe komunitetet nga Europa, ta zëmë grekët kanë organizuar një shesh me monumentin e Aleksandrit të Madh që e konsiderojnë të vetin. E vetmja shenjë që tregon lidhjet e Edgar Allan Poes me qytetin e Bostonit është një pllakez e vogël përkujtimore në vendin kur ka lindur poeti, në faqen e murit të një dyqani valixhesh e çantash. Ndoshta ky indiferentizëm është shkaku që shoqata e studimeve për veprën e Poes e kishte lënë kryeqendren e Nju Inglandit jashtë programit për festimin e 200 vjetorit të lindjes së shkrimtarit qe u organizua në vitin 2009.
Në ditën e 19 janarit, në Boston nuk u pa kurrfarë veprimtarie që të binte në sy, ndërkohe që u përkujtua me nderime të medha në tërë bregun lindor të Amerikës, që nga Baltimorja, Riçmondi, Filadelfia dhe Sharleston, ku admiruesit e tij u mblodhën dhe dëgjonin në heshtje medituese “ Raven” të Egdar Allan Poes.
Shtëpia, për të cilat studiuesit thonë se ka lindur ky gjeni i letërsisë botërore, nuk ekziston më. Diku pranë Theater Distrikt në Boston është një park-ofiçinë e madhe e ndërtesës shteterore të transportit. Në vitin 1960 shtëpia ku kishte lindur poeti u prish, ndersa në 1989 një seksion i rrugës Carver Street ishte riemeruar me emrin Poe, mirëpo sot kurrkund nuk ka ndonjë shënim apo tabelë që të tregojë se ky seksion rruge ka emrin e poetit.
Edgar Allan Poe ka lindur në Boston me 19 janar 1819. Prindërit e tij Eliza dhe David Poe ishin aktorë shetitës dhe jepnin shfaqje në këtë qytet.
Sipas studiuesve, kur Poe ishte një vjeç, prindërit e tij e lanë qytetin e Bostonit, ndërsa kur kishte mbushur tre vjeç të dy prindërit i vdiqën duke e lënë jetim. E mori për ta rritur familja Allan në Riçmond, dhe për këtë ai emrit të tij i bashkangjiti edhe emrin e familjes së mirëbërësve të vet, pra Edgar Allan Poe.
Është vertetë për t`u çuditur për këtë neglizhencë të Bostonit, këtij qyteti të njohur për emra të mëdhej në letërsi. Këtu admirohet e ruhet plot përkujdesje emri i Longfellout, apo edhe i Hauthorne të cilët ishin bashkohës të Poes dhe në atë kohë vlerësoheshin më shumë se kushdo.
Në sytë e bashkohësve të vet Poe nuk ishte veçse një autor i zakonshëm dhe disi i çuditshëm. Madje sipas të dhënave të studiuesve, Poe dhe Longfellou nuk shkonin mirë me njëri-tjetrin, madje duke përdorur edhe akuza për plagjiaturë.
Në librin e tij të parë “Tamerlan dhe poema të tjera,” të cilin e kishte botuar vetë në vitin 1827, kur ishte 18 vjeç, në një stil jo të zakonshëm për kohën tij, libri shënonte autorin vetëm me emrin “Bostoniani”. Disa studiues kanë hedhur idenë se Poe vinte emrin e qyteteve në perpjekje për të shitur librat e vet. Por studiuesi Pearl thotë se Poe vertet shkonte nga një qytet në një tjetër në Bregun Lindor të Amerikës, por më shumë kohe ai ka qëndruar pikërisht në Boston ku dëshironte të kishte shtëpinë e tij.
Në vitin 1845 Poe bëri një lexim katastrofal në Liceun e Bostonit. Shtypi dhe shkrimtarët e tjerë e paraqitën si një dështim të tij të plote. Poe ishte udhëzuar të paraqiste diçka të re që nuk e arriti, madje e cilësuan se poeti u afroi dëgjuesve diçka që pretendohej të quhej poemë, duke shkuar edhe me tej, se autori u paraqit shumë pompoz dhe shumë pretendues.
Duke dashur të mbrohej nga sulmet në shtyp, Poe do të thoshte se leximi i tij ishte veçse një rreng i tij pa të keq për bostonianët.
Në të njejtin vit ai do të shërbente për pesë muaj në ushtri në kështjellën e ishullit në South Boston, ku sipas gojëdhënave kishte dëgjuar rrëfimet e një ish të burgosuri që e frymezuan të shkruante “The Cask of Amontillado .”.
Në vitin 1848 kur i kishte vdekur e shoqja, Virgjinia, poeti i madh kishte tentuar të vriste veten duke pirë një doze të lartë ilaçesh. Fatmirësish iu gjend pranë një mik i tij, i cili e ndihmoi që t`i villte e kështu e shpëtoi nga vdekja. Kjo ngjarje kish ndodhur në Boston. Mesa duket gjeniu Allan Poe kishte vendosur t`i jepte fund jetës pikërisht në qytetin ku lindi.
Pasi krijoi kryeveprën e dhimbjes së tij me titull “Eureka” në kujtim të së shoqes, Edgar Allan Poe do të pësonte tronditje psiqike që do ta shkaterronte përfundimisht. Kish derdhur në atë krijim, tërë dufin e shpirtit të tij, tërë dashurinë e dhimbjen dhe nuk i kish mbetur më kurrnji fare force a kurajo për të jetuar. Shkrimtari ndër më të mëdhenjte e Amerikës për të gjitha kohërat, do të mbyllte sytë përjetë në një mënyrë disi enigmatike. Ca shkruajnë se ajo ditë ishte ngjarje e veçante sepse zgjidhej presidenti i Amerikës. Sipas studiuesve gjasat janë që një grup itharësh presidenciale e kishin marrë dhe e kishin rrahur e braktisur në gjendje të dehur. Ashtu mbaroi. I pushoi se rrahuri zemra. Vdekja do ta rrëmbente gjeniun me memorie të humbur, i braktisur e në varfëri, në Baltimore Maryland me 7 tetor 1849, teksa brigjet rriheshin me tërbim prej dallgëve të oqeanit Atllantik. Që nga ai çast, Edgar Allan Poe do të niste udhën e pavdeksisë në mendjet e zemrat e miliona njerëzve, por edhe nën indiferencen e çuditshme dhe të pakuptueshme të qytetit ku lindi, Bostonit, për të realizuar kështu thënien biblike: “Nuk bëhesh dot profet në vëndin tënd….”
Por nga qëndrimi i gjatë mohues, mesa duket diçka ka ndryshuar në vitin 2014, këtë vjeshtë shtatorja e Edgar Allan Poes, që shihet në foton më sipër e “The Paris Review” do të vendoset në një shesh të Bostonit, vendlindja e poetit.