Abaz Hoxha
Historian, Studjues i Kinemasë.

Kalova në rrugën e Kavajës para ish ndërtesës të Radio Tiranës, për koincidencë sot më 17 nëntor. Mu zgjuan kujtimet e ditëve të luftës për çlirimin e Tiranës. E rrodhën njëra mbi tjetrin ngjarjet e jetuara, mbasi kanë kaluar shumë vite dhe vitet shumë ngjarje kujtesës ja kanë marrë.

ish radio
Ish ndertesa e Radio Tiranes

Isha ende një fëmijë në kohën kur u rreshtova në radhët e luftëtarëve të lirisë, kjo pasojë e traditave të lashta patriotike të familjes dhe të bashkëfshatarëve të mi të Tragjasit. Kalova nëpër shumë sakrifica nga Jugu në Veri të Shqipërisë deri në clirimin e Dibrës dhe më vonë të Tiranës. Kreva thjesht një detyrë patriotike që e bënë gjithë shqiptarët se luftën nuk e bëmë vetëm ne partizanët, por i gjithë populli u ngrit në këmbë dhe bëri sakrifica sublime.
Në datën 17 nëntor 1944 u clirua kryeqyteti nga forcat partizane. Ditën e fundit ne morëm pjesë në clirimin e Radio Tiranës.
Merreni me mend një fëmijë 14 vjecar si unë vetëm me një automatik që më bllokohej herë pas here. Futesha nën një portë ku ishte nje gjerman trupmadh i vrarë që i ishte bërë një brimë e madhe në ballë dhe motocikleta e rrezuar pak me tej, ulesha mbi trupin e tij e zbërtheja automatikun, e mbertheja prap dhe filloja përsëri të qëlloja. Ndërkohë një tank doli në krye rrugës sonë. Bashkë me skuadërkomandantin e plagosur kaluam rrugën në errësirë për nga shtëpia ku banon sot Reshat Arbana dhe takuam një komandant batalioni të brigadës së parë dhe i thamë se kishim mbetur vetëm. Ai na urdhëroi të ktheheshim dhe të vazhdonim të qëllonim për të mos lejuar të futeshin trupat gjermane në atë rrugë mbasi mund të na dilnin nga mbrapa, ndonse trupat gjermane kishin marrë rrugën e largimit drejt aeroportit të dikurshëm ku do grumbulloheshin për tu nisur drejt Shkodrës. Na dërguan për ndihmë një mitralier me një mitroloz të lehtë.

Pas betejës për marrjen e Radios, hymë brenda në ndërtesë, Cdo gjë ishte shkatërruar, dritare dhe dyer të thyera nga plumbat, mure të coptuara, nëpër dhoma një rrëmujë e vërtetë, altoparlantë, mikrofonë, pllaka gramafoni dhe karrike të hedhura ngado. Në krye të shkallëve ishte një thes me sheqer. U sulëm si të babëzitur mbasi kishim dy vjet që nuk e kishim parë sheqerin me sy por komandanti na urdhëroi të mos hanim se mund te ishte i helmuar. Te shkallët dy kufoma. I shikonim me neveri mbasi një natë më parë, një rrugë më poshtë, na ishin vrarë tre shokë dhe skudërkomandantit i ishin prerë gishtërinjtë nga një predhë duke e nxjerrë jashtë luftimit.
Të nesërmen morëm urdhër që të patrullonim nëpër rrugët dhe të mos lejonim të dilte populli në rrugë mbasi mund të ishin të minuara nga gjermanët. Një bunker që ish vendosur në qendër sot Sheshi Skenderbej kishte sipër një platformë tanku rrotulluese dhe 3-4 gjermanë që nuk ishin dorezuar ende vazhdonin të qëllonin duke vënë në rrezik qytetarët. Ata u dorëzuan nëpërmjet të një tuneli që shkonte deri e ndërtesën e bashkisë mbasi iu mbaruan municionet. Tek shkallët e ish shtëpisë së oficerave, sot Ministria e kultures, kishte shumë trupa ushtarakësh dhe civilesh të vrarë. Ishim bërë si bishat, nuk i harronim shokët e vrarë gjatë natës dhe i qëllonim trupat e te vrarëve me shkelma. Lufta të bën të ashpër, të shtyn të bësh veprime që në kohë paqje nuk mund të konceptohen. Përballë ishte një vile duke u djegur dhe një grua po ulërinte me zë. Gjermanët dhe bashkëpuntorët e tyre i kishin vrarë në ikje burrin dhe djalin dhe vënë flakën shtëpisë. Një ngjarje makabër. Në rrugicat që ndalonim popullin të dilte rrugëve na prisnin na përqafonin me dashuri populli midis tyre takuam edhe dy motrat e Qemal Stafës. Ato na pëqafonin dhe qanin pa ndërpreje, ju dukej sikur u erdhi Qemali dhe vepra dhe sakrificat e tij u realizuan.
Një ditë më vonë bëra këtë fotografi tek muri i ish Bashkisë së Tiranës që u prish më vonë dhe u ndërtua në vendin e saj Muzeu Historik Kombëtar. Në rrugët e kryeqytetit vërshuan i gjithe populli dhe këndonin e kërcenin bashkë me partizanët.

abazi
Abaz Hoxha, partizan – 1944

Duke kaluar para ndërtesës se Radios më la një përshtypje të keqe që është lënë në atë gjendje. Ajo është ndërtesa e parë ku Radio Tirana ka folur shqip. Të paktën të ishte vënë një pllakë përkujtimore dhe të restaurohesh fasada e saj. Ajo duhet të mbetet si një monument kulture se aty kane filluar transmetimet qe nga viti 1938.