Nga Ndoc Selimi

Mediat shqiptare të datës 17 dhjetor të vitit 1975 dhanë një lajm tepër sensacional; Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Tiranë Ndue Marashi kishte vrarë veten. Mënyra se si vazhduan programet mediatike të asaj nate duke mos i dhënë asnjë lloj rëndësie kësaj ngjarjeje jo të zakontë, kuptohej qartë se politika e Tiranës dhe e Shqipërisë donte ta anashkalonte ngjarjen, si dhe t’i tregonte opinionit publik se i vrari së shpejti do të shpallej armik i popullit.
Një ditë me parë (16 /12/ 1975) kur ndodhi ngjarja, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës Ndue Marashi kthehet nga zyra për në shtëpi rreth orës 10 paradite për t’u përgatitë për një pushim disa ditor në Vlorë bashkë me të shoqën Françeskën, pasi kjo e fundit ishte goditur në kokë në mënyrë banditeske në errësirë në kohën që kishte lënë punën nga disa njerëz që nuk u identifikuan kurrë.
Në orën 11 të ditës së 16 dhjetorit 1975 dëgjohet një krismë e vetme arme në shtëpinë e Kryetarit, të cilën e pohuan komshinjtë. Mbas kqyrjes së rrethanave të ngjarjes si dhe nga proces – verbali i policisë, del se i vdekuri ishte Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit Tiranë, Ndue Marashi.

ndue marashi
Ndue Marashi

Një komunikatë të brendëshme lëshuar nga kryeministri i asaj kohe Mehmet Shehu nesërmen më 17 dhjetor thuhej se “bajraktari i fshatrave të Tiranës është vetëvrarë”. Më pas mediat, lajmëruan se Ndue Marashi ka vrarë veten me pistoletën e punës me një plumb të vetëm në ballë. Komunikata ishte pa komente, por thjeshtë njoftim.

Në momentin e vrasjes së Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranes Ndue Marashi askush nuk ndodhej në shtëpi; bashkëshortja do të blinte cigare për të shoqin tek nji kinkaleri te sheshi A. Rustemi për udhëtimin e nesërm, ndërsa shërbtorja kishte ishte larguar për të “blerë bukë”, kur kësaj të fundit nuk i lejohej të largohej nga shtëpija asnjë çast. Komshinjtë në fillim deponuan se kishin parë dy persona te dera e shtëpisë që u larguan me një motorr pikërisht pasi u degjua krisma së armës (kush mbante motorr në atë kohë?), por më vonë u tërhoqën duke thënë se nuk kishin parë gjë. Sapo u kthye në shtëpi e shoqja e Ndues, Françeska, dhe mori vesh lajmin e kobshëm, tha: ” Ma vratë Nduen” duke iu drejtuar hetuesve që merreshin me rrethanat e vrasjes. Këtë thënie, megjithë presionin e kërcënimet që iu benë, ajo nuk e mohoi kurrë, as para Feqor Shehut, as në hetuesi, as në tortura, as në internim , as edhe sot e kësaj dite.
Ndue Marashi u lind në rrethinat e Shkodrës me 1933. Familja e tij ishte shpërngulur nga Dushmani (lagja Malagji) dhe ra në qytet si shumë familje dukagjinase për ti shpëtuar varfërise e duke kërkuar një jetë më të mirë.
Kur ai nuk ishte as gjashtë vjeç, me 1939, familja bën lëvizjen e dytë e kësaj radhe në drejtim të Tiranës në Lagjen e Bamit, që në atë kohë ishte vetëm një fushë me ferra e driza, si dhe një pjesë e varrezave të qytetit. Në këtë lagje me vëllezër e motra e në varfëri hedh shtat numri një i ardhshëm i Tiranës Ndue Marashi. Njerëzit dhe komshinjtë si Kokonozt, Shehët, etj flasin fjalët më të mira për këtë familje, për shpirtin solidar, për urtësi e integrim në shoqëri. Nduja i vogël ishte inteligjent nga natyra, por nuk mund të vazhdonte shkollën direkt, pasi ishte me i madhi i fëmijëve e kështu gjen një punë e nga këtu fillon të arsimohej pa shkëputje për disa vjet rrjesht. Direkt nga prodhimi i ngjitët dijes duke mbaruar me rezultate të shkëlqyera shkollën buqësore në degën Zooteknikë. Aftësitë vetëm tijat; energjia në punë, aftësia drejtuese dhe mbi të gjitha karakteri i tij, bëjnë që sapo mbaroi fakultetin të emërohej drejtor i konvikteve të Institutit Kamëz dhe me vonë bëhet pedagog në këtë institut. Shpejt Ndue Marashi do të përfshihej në nomenklaturen drejtuese duke filluar së pari si kryetar i koperativës bashkuar të Kasharit. Në këtë detyrë merr nderimin e gjithë fshatarëve duke qenë krah për krah me ta në punë e shtëpi, në dasma, gëzime e morte. Ai dijti të fitojë respekt sa askush tjetër, ku edhe sot nuk del një banor i kohës tij të thotë një diçka të keqe për këtë kuadër, përkundrazi ata e kujtojnë plot nderim. Ai rriti rezultatet e të ardhurat për krahë pune e mbi të gjitha barazoi klasat duke mos përfillur biografitë. Potenca organizuese dhe aftësia për t’u zgjidhë hallet popullit e sjellin Nduen sekretar të parë të partisë për Rajonin Nr 4 të Tiranës, i cili kishte në vartësi të gjitha fshatrat. Emri i tij filloi të lakohej në skajet ma të largëta të rrethit dhe në vatrat ma të varfëra duke u sjellur besim në zgjidhjën e halleve e problemeve që kishin njerëzit. Në keta vite dëgjoheshin këshillat që qytetarët e fshatarët u jipnin njëri – tjetrit: “Shko te Ndue Marashi, se ai ta zgjidh problemin “. Kështu sekretari i parë cakton një ditë në dy javë për takim direkt me popullin. Fjala e tij ishte shpatë dhe zgjidhja e problemit e sigurtë. Puna po i jipte rezultate dhe në vitin 1970 zgjidhet Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Vështirsive i del me gjoks, pasi dikasteri kishte shumë mangësi e burokraci që kërkonin zgjidhje urgjente. Përseri njerëz hallexhinjë pas dere për takim me kryetarin, e përseri një ditë në dy javë takim me popullin. Ishin këta vite që njerëzit kishin filluar të humbnin besimin te dikasterët për shkak të një burokracie të tepruar dhe papërgjësie që kishin kuadrot, për shkak të frikës e të pa aftësisë së tyre për të vepruar në pavarësi e me kopetencë dhe për këtë i vetmi që mund t’i ndihmonte dhe t’u zgjidhte hallet e t’u vinte në ndihmë ishte vetë Kryetari.
Në shtator të vitit 1973 edhe unë, autori i këtij shkrimi, i shkova në takim kryetarit Ndue Marashi për të zgjidhë një padrejtësi që enti i banesave i kishte bërë repartit tonë të helikopterëve. Sa për kurjozitet në këtë kohë Komiteti Ekzekutiv i Tiranës ishte në mes të sheshit para Pallatit të Kulturës ku është sot Muzeu Kombëtar. “Ka ardhe shoku i helikopterëve” i tha sekretarja. Ai u ngrit në këmbë e më dha dorën. “Prej nga je” më tha duke parë emrin tim verior në kartë vizitë. (kujtoj që në këto vite ishin shumë pak verior që banonin në Tiranë). “Prej Komani” iu përgjigja si me krenari. “O po, ai fshati poshtë në breg të Drinit”. I shpjegova pastaj se Kom. Ekz. na ka marrë një hyrje me shumë te pallati që kishte ngritë reparti i helikopterëve për efektivin e vet me kontribut vullnetar, sepse nga 15 hyrje duhet të merrte dy, ndërsa ju na keni marrë tre. Dha urdhër të vinte shefi i urbanistikës dhe i tha para meje, që ti kthente apartamentin këtij institucioni ushtarak. U ndamë duke më premtuar se do të vinte në repartin tonë për të bërë një fluturim me helikopter. Dhe vërtetë erdhi tre ditë pas takimit tonë, ku bëri një bisedë me efektivin kuadër, pilot e teknik për punën në dikasterin e tij. Pastaj bëmë një demonstrim me helikopter, ku megjithe deshiren e tij, nuk u la të fluturonte. U largua duke na zgjidhur edhe një problem tjetër madhore; sjelljen e rrjetit të ujit pishëm në repartin tonë të helikopterëve Farkë.

Ligji i xhunglës në Shqipërinë tonë komuniste kërkonte të kishte vetëm një kapo, një “unë” dhe çdokush më i fortë, me i dijeshëm, apo më guximtar duhej të eleminohej. Fati i dijës, zotësisë dhe ndershmërisë përbënte krim dhe krimi ndëshkohej. Shifrat fiktive në prodhim, në realizime 5-veçarësh, në jetën e “lumtur” te krijuar nga partia, në begatinë e vendit etj kishin marrë përmasa të mëdha. Të gjithë gënjenin nga lart e deri në bazë, por askush nuk i besonte dhe të gjithë i besonin se duhej besuar, se ndryshe përseri ndëshkimi ishte prezent. Në raportin që paraqet Manush Myftiu në një plenum të udhëhequr nga kreu i partisë E.Hoxha, flet me shifra fiktive e plot pasaktësi e gënjeshtra në lidhje me sigurimin e bukës në vend dhe marrjën e një rendimenti të lartë në produktet e drithrave në kooperativën e Shëngjergjit të rrethit Tiranës. Ky raportim fiktiv u kundërshtua në vend nga Kryetari i Kom. Ekz. Ndue Marashi, i cili i thotë se këto shifra nuk janë të sakta dhe se kjo kooperativë nuk siguronte as gjysmën e prodhimit që flitej në raport. M.Myftiu nuk ishte mësuar ta kundërshtonte njeri dhe me ton i përgjigjet se “duhet të skuqet faqja nga gënjeshtra”, ndërsa Kryetari mbron personalitetin e vet duke i thënë se “unë jam i ndershëm e nuk di te gënjej”. Simbas të thënave vetëm ndërhyrja e E.Hoxhës bëri që situata të qetësohet.
Ky ishte ai fillimi në formën e një zjarri të vogël, i cili më vonë do të digjte gjithë shtëpinë dhe fill pas këtij incidenti e kërkon urgjent në takim Enveri, i cili e përgëzon për ndershmërinë e kurajon dhe i thotë se “…vazhdo kështu, se je në rrugë të drejtë. I kemi gjetur njeriun e duhur Tiranës…”. Por duhet kuptuar se kjo ishte taktika djallëzore e diktatorit, i cili para se të godiste të jipte një “dozë gjumi”, taktikë që e kishte përdorë edhe me të tjerë dhe do ta përdorte deri në fund të jetës tij. Ishte e vështirë të “hahej” malësori i jonë i ndershëm me një klan jugor tepër dinak dhe të pabesë. Në mbrapaskenë u përgatit një buletin për përdorim të brendshëm në parti, i cili u shpërnda urgjent nëpër të gjitha organizatat e partisë se Tiranës, ku Kryetari i Kom. Ekz. të rrethit Tiranë Ndue Marashi cilësohej si “njeri i drekave e darkave” se “ishte si qehajaj i Tiranës e deri imoral”, duke përgatitë terrenin për fundin e tij si drejtues, si politikan e si njeri. Vala e kësaj situate tepër të tensionuar u pasua nga një tjetër ngjarje e rëndë dhe e jashtëzakonëshme që ra direkt mbi shpatullat e Kryetarit. Në kooperativën e Baldushkut të Tiranës ngordhën rreth 100 lopë nga helmimi me zhivë dhe mënjiherë formulohet akuza tjetër në drejtim të Ndue Marashit si “përgjegjës direkt për punën e grupit armiqsor”. Sipas hetuesit të çështjes së asaj kohe Dilaver Bengasi, Manush Muftiu i jep urdhër të arrestohen deri 100 vetë, po unë, thotë ai , arrestova 8 përsona e dy me pushkatim. Por e parë nën dritën e fakteve të sotme, kjo ishte thjeshtë një hakmarrje primitive ndaj Ndues dhe kjo ngjarje lidhet direkt me sigurimin e shtetit e klanet në udhëheqje. U arrit deri atje sa të thuhej se mjelsja e lopëve Nadire Shima dhe punëtori i stallës Selman Balla ishin me biografi të keqe e për këtë nuk ishte zhvilluar lufta e klasave nga kuadrot e deri në nomenklaturat e larta të ekzekutivit. Po ku e siguruan zhivën këta fshatarë të mjerë?, për ç’grup armiqsorë bëhej fjalë?. Kush e udhëhiqte këtë organizatë armiqësore?. Me këtë rast u denuan dhe u pushkatuan disa njerëz të quajtur në ate kohë “me biografi të keqe”, por pa as me të voglin faj dhe që ishin planifikuar të hiqeshin qafe, por kokrra ishte tjeterkund, ishte të ai njeri, që siç thoshte ish shoku i ngushtë i Ndues, Fadil Lame se: “Ora e tij punonte në krahun e dashurisë humane”. Pas kësaj ngjarja të Baldushkut fillon lufta e hapur e kastës udhëheqëse kundër Ndues, ku mirrnin pjesë më potentët e vendit si E.Hoxha, i cili shprehet se “duhet shikuar puna armiqësore e këtij krietari”, si dhe M.Shehu, K.Hazbiu, M.Myftiu etj. Periudhës tepër të rënduar, të vështirë e tepër stresante që kalonte familja Marashi, i shtohën edhe disa letra anonime. Kësaj nuk i mungoi edhe kërcënimi direkt që i bën M.Shehu në një darkë për nder të një delegacioni të huaj, ku si portokoll kishte vëndin e vet Kryetari i Komitetit Ekzekutiv. M.Shehu troket gotat me të pranishmit dhe kur i vjen radha Ndues i thotë gjithë kërcnim se “e kemi pak punë me ty”.
Që nga ajo ditë e deri sot kanë kaluar plot 40 vjet, kur 42 vjeçari, njeriu i parimeve njerëzore, personi politiko – drejtues që kishte hyrë kaq thellë në zemren e popullit, i mungon familjes, i mungon historisë, na mungon nè bashkëkohësve të tij e mbi të gjitha mungon e verteta e ngjarjës.
Vetvrasje apo vrasje? Kjo vazhdon të jetë dilema e bashkëshortes Françeska, tashme e semurë, të bijtë, familjarët dhe gjithë opinioni dashamirës i Ndue Marashit. Pas peripecive të internimeve dhe vuajtjeve të pafund për 16 vjet këto familjarë menduan se nderi i pjestarit të familjes tyre do të vihej në vend mbas viteve 90’. Presidenti i asaj kohe Berisha, në takimin që i kërkuan njerëzit e afërm të Ndue Marashit, u premtoi atyre, zbardhje të çeshtjës por me kaq mbeti nën hirin e harresës, megjithëse kanë shkuar e ardhë disa qeveri deri tani, kësaj historie të trishtueshme nuk i ka dale e vërteta. “Ne nuk kërkojmë hakmarrje – thotë Franceska, – por duam të dalë e vërteta”.
Vetëvrasja apo vrasja po zhduket dalëngadalë në heshtjen e përjetëshme, ku e mori me vete në varr atë ditë dimri të vitit 1975 malësori, njeriu i ndershëm, shëmbulli i lartë i një kuadri, biri i Dukagjinit Ndue Marashi.