Bisedoi Keze Kozeta Zylo
Që prej shekujsh rron e thëna:/ “Qengj i urtë pi dy nëna”. /Por nuk dini më të renë:/ “Pi servili gjithë kopenë!” (F.Lamaj)
Si prezantim për Fabulistin Lamaj po sjellë vetëm vlerësimin e Artistit të Popullit Kadri Roshi i cili thotë: “Më kanë pëlqyer përherë fabulat e Ferit Lamajt, këtij Ezopi shqiptar. Kam patur kënaqësinë e rrallë të interpretoj në moshën 75-vjecare në një film televiziv pjesë nga krijimtaria fabuleske e Lamajt. Më duket se jam rilindur. Faleminderit, Ferit”!
Ju jeni një ndër fabulistët tepër seriozë edhe pse fabulat nuk mund të konceptohen pa humorin, ironinë tallëse, sarkazmën therrëse, kur keni filluar të shkruani fabulën e parë dhe cila është konkretisht, çfarë ju motivojnë më shumë në shkrimin e fabulave?
Mëse e vërtetë. Humori ironizues, sarkazma, paradoksi, alegoria kanë qenë veçori karakterizuese të zhanrit fabulesk qysh në kohët ezopiane e më pas me Fedrin, La Fontenin, Krillovin, Trilusën, për të ardhur gjer në ditët tona.
Me fabulën jam dashuruar herët, në vitet ’70. Sapo kisha kryer studimet e mesme dhe bashkëpunoja me revistën e mirënjohur satiro-humoristike “Hosteni”. Fabula e parë e botuar titullohet “Fleta e pemës”, një krijim katërvargësh.
Konciziteti në krijimtari më ka pëlqyer e tërhequr vijimësisht. Pak vargje, pak radhë, por që të shpërfaqin qartë e saktë mendimin dhe idenë artistike.
Motivimi në fabul është vetë përditshmëria që jetojmë, kohë e mbarsur prej vesesh e fenomenesh regresive. Kafshët e shpendët veprojnë, gjestikulojnë, tingullimitojnë, grinden, dredhojnë, kacafyten, përleshen, gërvishten e gjakosen, fitojnë e munden. Por a nuk ndodh kështu edhe me njeriun? Morali kryesor, jo i një fabule të veçantë, por i të gjitha fabulave, nga më e hershmja deri te e pashkruara ende, është ky: “Në këtë botë të trazuar me virtyte e vese kafshët kanë gojë e flasin. Por ato flasin që të dëgjojmë ne, njerëzit. Ato flasin përmes artit të qëndisur metaforik.”
Qëllimi finalizues stilistik është pikërisht goditja, fshikullimi i vesit dhe stimulimi i virtytit. Të ndihmojë sadopak në korrigjimin e balancës ves – virtyt.
Fabulat tuaja janë tepër të dallueshme sepse të japin kënaqësi estetike, larg moralizimeve dhe shumë prej tyre mësohen përmendsh, konkretisht fabulën që kam përzgjedhur më lart është më se e përdorshme kur lypet nevoja në mjedise të ndryshme, edhe pse ju e keni zgjeruar me dy vargje më shumë kohët e fundit mos gaboj?
Fabulat e bukura dhe të arrira artistikisht ngelen gjatë në trurin e vëmendshëm të lexuesit, ndaj edhe mësohen përmendsh. Fabula është magjike, të ngjizet në shpirt, të pushton. Të josh me përjetësinë e saj. Fabula bën çudira. Të ledhaton, por edhe ta ngul. Fabula ndjek jetën. E lufton vesin shoqëror përmes groteskut, lakonizimit, befasisë e mbi të gjitha, me filozofinë e saj. Fabula është filozofike.
Fabula është pronë e të gjitha moshave dhe profesioneve. Le të perifrazoj shprehjen e shkrimtarit Dritëro Agolli në përathënien e një libri tim: “Fabulën e do edhe gjyshi, edhe nipi, edhe shkencëtari, edhe bariu. Prandaj fabula ka jetë të gjatë në gjirin e lexuesit.”
Artistë të Popullit dhe shumë personalitete të kulturës dhe artit ju kanë vlerësuar maksimalisht, por Kadri Roshi e ka më të spikatur duke ju quajtur Ezopi shqiptar, si ndiheni përballë vlerësimit maksimal nga këto personalitete?
Nuk ke si të mos ndihesh mirë, kur njerëz të shquar të artit dhe të letërsisë të përkrahin shpirtërisht e çiltërsisht me vlerësimet e tyre. Kadri Roshi, Roland Trebicka, Bedri Dedja, Dritëro Agolli, Margarita Xhepa, Astrit Bishqemi etj. kanë qenë jo vetëm dashamirës sqimatarë të fabulës sime, por edhe nxitës e inkurajues të zellshëm për ta përvijuar më tej misionin jo pak të vështirë, por aq të këndshëm të këtij zhanri.
Ndërkohe Ezopi ka qenë skllav, por ju si jeni ndjerë si shkrimtar, fabulist gjatë sistemit komunist dhe postkomunist?
Të shkruaje fabula para viteve ’90 s’ishte dhe aq e lehtë, ndaj edhe fabulistët e ahershëm thuajse numëroheshin me gishtat e njërës dorë: Nonda Bulka, Spiro Çomora, Tonin Miloti, Gjikë Kurtiqi, Jani Duri. Duhet të ishe mjaft i vëmendshëm në thumbimin artistik, pasi mund të të kthehej në bumerang. Më kujtohet si sot porosia e satiristit të shkëlqyer Dionis Bubani, teksa shkelja për herë të parë ne redaksinë e Hostenit: “Duhet të mendohesh mirë, djalosh, para se t’i hysh shkrimit të humorit e të fabulës. Është thikë me dy presa.”
Nëse para ‘90-s kishte rrallësi fabulistësh, pas ’90-s autorët e fabulave mbinë si kërpudhat pas shiut. Dhjetëra të tillë shkruajnë fabula, më së shumti krijime pa nerv artsistik, pa gjetje inrtiguese, pa humor origjinal e të qenësishëm. U kalua nga skaji në skaj. Liria e të shprehurit i çeli udhë mediokritetit, vargëzimit kilometrik, bejtes së mirëfilltë. Vërtet sot nuk të pengon kush të satirizosh fort me armët e mprehta të humorit, madje shumë lart, por kjo s’do të thotë që të bjerresh, të varfërohesh në ngjyresat stilistike.
Çfarë ka ndikuar më shumë nëshkrimin e fabulave dhe cila është kultura konkrete që ju keni marrë gjatë studimit në cikle të ndryshme shkollore?
Në formimin tim si fabulist natyrshëm ka ndikuar kultura letrare humoristike shqiptare dhe ajo botërore. Jam rritur në një kohë kur libri dhe sporti qenë të vetmit mjete argëtimi të moshës. Fillimisht e kam shfaqur talentin në rrethin letrar të pallatit të pionierëve, të cilin e drejtonte shkrimtari dhe studjuesi Rinush Idrizi. Më tej, gjatë viteve të shkollës së mesme dhe sidomos asaj të lartë për gjuhë-letërsi, kam bashkëpunuar me shtypin letrar të kohës, revistën “Hosteni’, gazetat “Drita” e “Zëri i Rinisë”.
Çarja e kufijve ideologjikë e fizikë me botën natyrisht solli ballafaqimin e kulturave dhe të llojeve letrare. Kësisoj edhe të fabulës. Kam marrë pjesë në shumë veprimtari, kongrese e konferenca letrare, por edhe në trajnime në fushë të fabulës. Kam prekur, si të thuash, përbotshmërinë e fabulës në vende të ndryshme, si në Itali, Gjermani, SHBA, Greqi, Francë, Egjipt, Bullgari, Rumani etj.
Fabulat tuaja janë ekranizuar në TV të ndryshme, ekrane etj, nga artistë të shquar, cilat jane disa nga kujtimet më të spikatura më këta aktorë pas intepretimit të fabualave të ndryshme?
Aktorët janë miqtë e mi më të mirë, bashkëpunimet me ta kanë qenë mjaft të frutshme. Fabula ka marrë forcë shumëfishuese nën zërin e magjishëm të mjeshtrave të skenës dhe të ekranit K. Roshi, R. Trebicka, M. Xhepa e L. Filipi. Kujtimet me ta përgjatë ditëve të filmimit do të mbeten të pashlyera në kujtesën time. Por le të përmend vetëm çastet e mbrëmjeve në Divjakë, me të paharrueshmin Kadri Roshi. Më thoshte: “Ferit, fillo të recitosh fabulat që do të kemi nesër në sheshxhirim.” Përskuqesha nga turpi: “Unë të recitoj përpara Jush?!”. “Mos humb kohë, – insistonte, – dua të prek shpirtin tënd, se je krijuesi i fabulave. Dua të marr nga shpirti yt. Nuk më lejohet të turpërohem tani, në moshë të thyer.”
Cilat janë librat e botuar në shqip, gjuhë të ndryshme dhe çmimet ndërkombëtare që keni marrë?
Librat e botuar janë shumë, plot njëqind. Libri i parë, i botuar në vitin 1977, titullohet “Në verë dhe në dimër”. Vetëm këtë vit janë botuar 5 libra, më i fundit prej tyre, “Masterchef” në 4 gjuhë të huaja (anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht).
Si librin më të suksesshëm do të veçoja “Dhelpra e Trojës”, që ka patur 3 ribotime e së shpejti do të ripublikohet. Botimet fabuleske kanë qenë të larmishme edhe përsa i përket formës. Vitet e fundit lexuesi ka mirëpritur variantin e formatit të vogël “Fabula xhepi 1, 2, 3, 4”. Këtë vit rezultuan gjithashtu me sukses edhe fabulat e shkruara si kartëvizita, të ndërfutura në kopertinën-kuti.
Çmimet kombëtare e ndërkombëtare kanë qenë të vijueshme, ku do të veçoja ato të fituara në Itali, Kinë, çmimin “La Fonten” të akorduar nga Ambasada Franceze, etj.
Cilat janë disa nga momentet më të bukura dhe më të dhimbshme gjatë krijimtarisë suaj?
Krijimi vetë është moment i i bukur, por i dhimbshëm. Çastet e kapjes së idesë, të stërholljes, të gjetjes së figuracionit stilistik janë plot magji e kënaqësi, por edhe aq të stërmundimshme. Të vërtitet në mendje një tallaz i fuqishëm deti, të cilin duhet ta qetësosh e ta ledhatosh si një krijesë të bindur.
Ndërsa për t’iu përgjigjur më drejtpërdrejt pyetjes tuaj, çasti më i bukur është sjellja e një libri të ri fabulesk në jetë, ndërsa çasti më i dhimbshëm është ikja e një njeriu të mirë nga kjo jetë.
Në vitin 2000, në Tepelenën tonë, Shtëpia e Kulturës organizoi një veprimtari për krijimtarinë time letrare, ku morën pjesë edhe miqtë e mi: Kadri Roshi e Steve Williams,
përkthyesi i fabulave. Mes të tjerash, në skenar qe futur edhe spektakli “Mis Kafshët”. Në skenë, me fashën përkatëse, hyn Mis Dhelpra, e cila ishte një dhelpër e gjallë. Kënaqësi e rrallë për të gjithë auditorin. Nuk do ta harroj kurrë.
Ju jeni me origjinë nga Tepelena, Tepelena poetike do ta quaja sepse jane disa poetë të mirënjohur në mbarë trullin shqiptar duke filluar me poetin më të vjetër nga mosha Agim Shehun dhe për më tepër nuk ka qenë rastësi që një poet botëror si Bajroni u përul përballë kalasë, u magjeps me natyrën dhe mikpritjen e Ali PashëTepelenës, sa është frymëzuese ky qytet magjik për ju?
Sot s’përbën më ndonjë çudi e s’hyn në gjërat e rralla, që kafen e mëngjesit mes miqsh e shokësh ta shoqërosh, jo vetëm me të kthjelltin “ujë Tepelene”, por edhe me të mençurën “poezi Tepelene” apo me sarkastiken “fabul Tepelene”. Tepelena, ky qytet i vogël buzë Vjosës e rrëzë kalasë së Ali Pashait, ta lëmë mënjanë modestinë, shquhet edhe për numrin jo të vogël të poetëve dhe fabulistëve për metër katror. Në burimet, krojet, puset e çezmat tepelenase kanë pirë ujë dhe kanë freskuar muzën e tyre krijuese poetë e fabulistë të tillë si: Agim Shehu, Petrit Ruka, Ilirjan Zhupa, Qazim Shemaj, Novruz Shehu, Izet e Rezo Çulli, Kozeta Zylo, Shkëlqim Hajno, Pandeli Koçi, Ilia Laska e të tjerë. Qyteti, por edhe Izvori e Rabija, fshatrat ku kanë lindur prindërit e mi, më kanë frymëzuar, më kanë dhënë polenin e parë fabulesk. Që i vogël, tok me vëllezërit e mi, shkoja për verim në fshat, ku mahnitesha e përshtatesha në çast mes jetës baritore. Një pjesë leksiku dhe terminologjie labe në krijimet e mia është pikërisht frut i përvojës akumuluese të moshës fëminore në ato zona. Falë edhe mençurisë së spikatur të njerëzve dhe traditave aq të pasura e të vyera të tyre. Kam parasysh sidomos dasmat: nuset me duvak mi kalë, burrat mysafirë që tërhiqnin për rripi qengjin apo kecin, gratë me tepsi bakllavaje a revanije mbi kokë dhe ne fëmijët që fluturonim nga gëzimi.
Ju faleminderit për bisedën z.Lamaj!
Ju faleminderiet dhe juve!
Staten Island, New York
Gusht 2014