Gjok Beci, i biri i Gjinit dhe i Marës, ka lindur më 30 korrik 1939, në Zajs të Selitës (Mirditë). Karriera e tij ka nisur si mësues, në vitin 1955 në Mirditë, gazetar në Radio Gjirokastra, në vitet 1960-1967, për t’u kthyer përfundimisht përsëri në Mirditë duke kryer detyrën e Drejtorit të Bibliotekës të këtij rrethi, Për vitet 1967-1974. Në vitin 1974-1979, e dënojnë me largim nga veprimtaria administrative, duke e detyruar me “punë korrektonjëse”. Kështu, Gjok Beci, Për rreth pesë vjet me radhë u detyrua të bënte punë të rëndomta në Ndërmarrjen e Ndërtimit, Rrëshen.Në vitet 1979-1985, Drejtor i Shtëpisë së Kulturës Rubik dhe nga vitin 1985 e deri në vitin 1992, ka kryer detyrën si Drejtor i Qendrës së Kulturës, në Rrëshen.
Gjokë Beci është i njohur kryesisht si autor i teksteve të këngëve të muzikës së lehtë dhe atyre të muzikes popullore.
Nder kenget me te njohura me tekst te Gjok Becit jane: “Rrjedh ne kenge e ligjerime” kenduar nga Vace Zela, “Nje zambak i bardhe mbi gur”, “Dy gezime ne nje dite”, këngës për Mic Sokolin: “Xhamadani i Trimërisë”, që u këndua në festivalin folklorik të Gjirokastrës në vitin 1978 etj. Ai është autor i 10 librave. Vëllimi i parë me poezi, “Kur zgjohen Bjeshkët”, iu botua në vitit 1970. Pas një pauze prej 20 vitesh, nga rrethanat ideologjike të kohës, Gjeka botoi librin “Zambaku im”, 1990, duke vijuar krijimtarinë me disa vëllime të tjera poetike, si: “Qiell e dhe”, “Antologjia e shpirtit” (1, 2), “Thuj vetes ec” dhe “Plis në Luvër”. Poezia e mëposhtme “Trokitje” na jep një njohje më të gjellë të shpirtit të poetit Gjokë Beci.
U nda nga jeta ne Tirane me 14 shkurt 2014.
Sigurisht figura e tij ka një vend te vecante si ne kulturen shqiptare ashtu edhe ne faqet e Gazetes Vatra per lexuesin e saj ndaj per kujtim te tij po botojme nje interviste qe gazetari Gjergj Marku i ka marre autorit Beci shume vite me pare dhe ne me plot deshirë po e botojme edhe në Gazeten Vatra Online (G. V.)
Intervistë me poetin Gjok Beci marre në Dhjetor 2001
Përgatiti: Gjergj Marku
“Buzë Valmorit kush ka dalë, bukurinë e ka parë….”.
Vërtetë, rrëzë asaj kurore të mrekullueshme malesh të Selitës ndodhet fshati Zajs. C’ju kujton ky fshat në prehër të këtyre mrekullive?
Do guxoja t’i merrja leje shpirtit të madhërishëm të Serembes për të thënë: “Zajsi që prapa maleve më kujton se une i huej s’jam te ai dhe”….
Sado larg të kem qenë, kam besuar se marr frymë nga qielli i atij fshati, nga nënqiella e një catie të vjetër, gjysëm të shembur, por asnjëherë të harruar. Sado shumë të kem parë, nuk besoj të ketë qenë kurrë më e bukur se mëngjeset që shkrepin mbi buzën e Valmorit dhe se muzgjet që faniten mbi buzën prej gurëve të Trangës apo asaj të “gurit të rrumbullakët”. Sado shumë kam dëgjuar, rrallë kanë qenë aq të magjishme sa tregimet e pleqve të fshatit tim, të cilat edhe tash më ngjajnë herë shekspiriane,herë homerike dhe herë si apologji të Sokratëve të bjeshkëve të mija. Fëmijëria ime është kacarrue me një lum që thërritet Urakë. Troftat e këtij lumi, prej kjartësisë së rrjedhjes të të cilit, njeriu mund të njohë kuptimin e vërtetë të fjalës transparencë, më janë dukur asokohe Pegasi im. Unë rendja t’i zija, ato më rrëshqisnin si motivet që kam humbur në jetën e bukur e të gjatë që po vazhdoj.
Më kujtohen e nuk më harrohen loket zajsiane për bujarinë e tyre mahnitëse, për bardhësinë e teshave që vishnin, për atë të përhershmin kuvendim me zë të ulët…më kujtohen duart që kam djegur kur lexoja me pishë hatullave deri vonë netëve; bashkëmoshatarët prej të cilëve mjerisht kanë ndërruar jetë. Mbi të gjitha më kujtohet ikja ime e madhe. I ndjeri babai im më ka lënë shumë të vogël e më është dashur të braktis prehërin e atyre mrekullive edhe pse ende nuk e di mirë përse…
Fëmijëria juaj c’ ju sjell në kujtesë; një mashkull që vinte pas një krisme pushke për t’iu shtuar si krah familjes afër një parmende për të lëruar arën apo një shpirt ku regëtinte sadopak drita e diturisë?
Nuk kam qenë i zoti për punë fizike dhe kështu i trembesha ugarit apo ngritjes së mureve. Meqë kam qenë fizikisht delikat, ndoshta lakmova që në fëmijëri plugimin e letrave, të lehtë në dukje. Mbaj mend se kur kam qenë 3-4 vjec, kushëriri im i shtrenjtë Pjetri, më dha një shkurticë italjane ta shprazja, dhe kur doli plumbi ashtu nëpër flakë unë u tremba shumë. Jam i lumtur që atë erë baurti e kuptova vetëm në sensin që kërkon liria kombëtare. I ndjeri kushëri që përmenda ka ndikuar që në shpirtin tim të regëtinte drita e diturisë.
Dhe është koncidencë emrash apo s’di cka tjetër, por pas largimit për në shkollën e mesme, përsëri një Pjetër, Petro Marko, këtë herë mësuesi im i letërsisë dhe, më lejoni me këtë rast ta them, nëse sot unë kam lënë a do të lë dicka në rrugën e krijimtarisë, në atë rrugë më ka vënë shkrimtari i madh shqiptar Petro Marko. Nuk kam si harroj se kur ne mësonim në shkollën pedagogjike “Ndrecë Ndue Gjoka”, mbasdite profesori na vinte përpara një deng me letra dhe na diktonte pjesë nga romani i tij i ardhshëm “Hasta La Vista”. Më ka qëlluar të shkruaj për herë të parë dialogje të Gorit me Anitën, prapësitë e Pucellit e më tej. Kishte një fantazi shungulluese. Kush donte, kishte një rast unikal për të mësuar edhe mënyrën, edhe stilin, edhe konceptin krijues. Bashkëkohësit e mij më kuptojnë më mirë, sepse që asohere kanë rrjedhur shumë ujëra në lumin e jetës.
Sic ju mbajnë mend bashkëmoshatarët, pak e nga pak tek ju po vinte poeti që më vonë, do të bëhej simbiozë e pandarë me folkun e kësaj krahine nga më të begatat. C’iu kujtoni fillimeve tuaja kësisoj?
Poeti tek unë, nëse ka ardhur vërtetë, ka ardhur më vështirësi. Ai fillimisht erdhi si një kapricio do të thoja, sepse është pakëz e pabesueshme normalisht që të mendohet të bëhet poet një fëmijë me prindër analfabetë. Por puna, studimi dhe mbi të gjitha nxitja e dikujt me pëshë,si rasti i mësuesve tanë Petro, Bedri Dedja, Gjergj Zheji etj; më duket i se i thërrasin poetit sado thellë qenies sonë të jetë fshehur, sidomos tek ne shqiptarët.
Fillova të shkruaj. Krijuesit e dijnë lumturinë që sjellin botimet e para, sidomos kur të tjerët t’i vlerësojnë.
Mirdita, sikundër mund ta kem thënë edhe herë të tjera, ka qenë për mua miniera e 8-të…(kemi shtatë miniera të konfirmuara apo jo?!) edhe në sensin e njohjes së karaktereve, të mencurisë, të traditave në familje por edhe në vlera kulturore e artistike, sidomos folklorike.
Fillimet e bashkëpunimit me folkun mirditor,.i kam aty rreth viteve 1967 kur edhe jam kthyer në vendlindje për të qëndruar për një kohë bukur të gjatë.
Gjirokastra! Ju lidhin me të sa e sa kujtime besoj, vjershërimët e tua të gdhendura me po aq mjeshtëri dhe muzikalitetin tipik të krahinës, bënë që nuk mund të kuptohej një festival folklorik kombëtar pa grupin brilant të Mirditës. Mbresat tua?
Kur më përmendet Gjirokastrën, më shkoj mendja tek një fakt disi krejt rinor. Unë qysh në vitin 1960, i dija sa “vargje gurësh” kishte kalldrimi i pjerrët nga xhadeja kombëtare, ngjitur shtëpisë së Kadaresë, kapërce Qafën e Pazarit dhe përfundo portën e kalasë mesjetare të Argjirosë. Është dicka e ndërlidhur: u gjend kurrizi i kësaj kështjelle për ta mbartur gjithë atë peshë të rëndë dhe të cmuar të artit vital të Kombit tonë të bukur por fatkeq.
Kështuqë, gjatë 10 viteve jetë në atë qytet të gurtë, pata rastin të njoh njerëz dhe vlera që lanë gjurmë të pashlyera. Ju përmend se kam patur miqësi me burra të tillë si Ramiz Harxhi, Sokrat Kutra, Thoma Papapano, poetët Kadare, Agolli, Agim Shehu, Bekim Harxhi, Tasim Gjokutaj, Pano Cuko e të tjerë pafund. Nuk mund të mbeteshe i papërfshirë në krijimtari në një mjedis të tillë, boll të kishe një shkëndijë të talentit tënd.
U ktheva në Mirditë pa hapa të dridhur në udhën e vështirë të poezisë, por ndodhi dicka që unë shpesh herë e kam quajtur fatlume. Pas njohjes tendencioze të vlerave reale të folklorit oral të krahinës, ndoshta për pamundësi shpalosjeje shterruese, m’u krijua bindja se, sidoqoftë varfëria ndihej. Të kuptohem me ju dhe gjithë mirditorët e mij të dashur asnjëherë nuk kam menduar të bëj babanë e folkut, sepse kjo do ishte një marrëzi për cilindo, sidomos kur kujton perlat anonime të trashëguara. Gjithsesi varfëria tematike dhe stilistike, në folkun e krahinës filloj të më shqetësojë seriozisht si qytetarë dhe ndërpreva gjithë lidhjet pothuaj me poezinë e kultirvuar, pavarësisht lidhjeve të “nëndheshme” të tyre që nuk u shmangëshe dot.
Lindën përpjekjet e para në pragun e Festivaleve Kombëtare që, sikurse mund të mbahet mend, është Kuvendi i Rapsodëve, zhvilluar në Lezhë në 1967 me rastin e 500 vjetorit të Skëndërbeut. Aty e kanë zanafillën edhe konfirmimi i këngës dyshe mirditore, por edhe ëndërra për grupin e burrave.
Por, para se të venit atje, ju ishit një eksplorator i folkut popullor mirditor anekënd Mirditës, mbase mund të na sillni ndonjë nga ato kujtimet e shumta që iu ngacmojne për asokohe?
Sigurisht, dhe nuk janë pak. Ka pasur dy mënyra për të eksploruar thesaret shpirtërore të mirditorëve ndër mote. E para, ajo zyrtare me ekspedita, që përgjithësisht ishte diletante, dhe mënyra e eksplorimit vetjak, në funksion të njohes dhe krijimit të mbishtresave.
Natyrisht kam marrë pejsë në të dyja këto mënyra. Dhe të dyja kanë patur efektin e vet, sepse asnjëherë në foklor nuk mund të ketë krijimtari-vlerë vetëm për hir të njërit komponent. Kam mbresa shumë interesante me këngëtarë si Preng Kotica, Vëllezërit Preng e Dod Beci, apo instrumentistin virtuoz Zef Gjinali, Ndue Dona, Simon Beleshi e të tjerë.
Nuk më shlyhet nga kujtesa zbulimi i përdorimit të lingeve, këmborëve dhe guralecëve në orkestër. Këtu dua të kujtoj instrumentistin virtuoz Tom Lleshi.
Ndoshta rastësisht, në një dasëm në Trojëz të Përlatit, një nënë shumë e vjetër (bijë nga Zajsi im) na përshkroj dhe rirealizoj këtë fakt: në livadhet e Valmorit cobaneshat, edhe pse ishte marre, tinëz burrave e djemve kërcenin e këndonin. Dikush prej tyre, më e vjetër sigurisht, kishte kujtuar se paraardhëset u bënin shoqërim kërcimeve me linge, këmborë dhe guraleca. Unë pak dhe i bezdisur nga një muzikë aspak popullore dhe për më teper banale, i kërkova nënës fisnike të kërcejë vallen e saj në dasëm, në prezencë të profesor Ramazan Bogdanit që ishte me mua dhe Dorjan Ninit. Vlera erdhi por vetëm kur ne i shkuam atje ku buron.
Mbresa të tilla ka pafund, aq sa meritojnë të shkruhet më gjerë, dhe ndoshta do të shkruhen një ditë.
Brenda ansamblit Mirdita, “grupi i burrave te Mirditës”, nje nder mrekullitë artistike, besoj edhe te përvojes suaj ne epizmin e këtij grupi, sa lidhet me emrin tuaj?
Grupi i Burrave të Mirditës ka qënë një realizim emblematik për mua, dhe nuk ka qënë aspak e lehtë. Janë dashur përpjekje të mëdha për ta krijuar si njësi interpretuese, për hir të mendësive konservative të kohës. Këtu janë të vlerës së lartë përpjekjet e këngëtarit mrekulli Fran Vorfi me shokët e vet, të cilët të më falin qe nuk po i përmend, janë dashur lëndë të cilësisë së lartë për ta mbajtur. Unë nuk i kam kursyer krijimet, por kanë shkruar me shumë cilësi edhe Kolë Zefi, Viktor Gjikola, Jak Tuci e krijues të tjerë të talentuar. Sidoqoftë, unë e pranoj nderin që më bëhet duke më quajtur konstruktor i epizmit të këtij grupi.
Dhjetë vjet e kam mbajtur brenda gjoksit e kokës idenë për “Xhamadanin e Trimërisë” kënduar me aq pasion nga Mrikë Trumshi. Ashtu për “Dasmën e Kamber Loshit”, “Hapi flet more zambak”, e mos pyet…përmes jush më lejoni t’u dërgoj një mezazh të përzemërt përshëndetje atyre nëntë djemve të dikurshëm që bënë epokë në këngën mirditore. Ashtu dhe muzikantit Dorjan Nini, i cili duhet njohur kurdoherë si zbulues dhe konstruktor i vlerave të tyre vokalo-interpretuese.
Të vazhdojmë më tutje, “trio mirditore”, këngët e së cilës deri edhe muzika moderne e sotme po i stilizon me aq endje, në c’rrethana të përbashkëta me ju lindi? A është e nevojshme që këto perla të atyre viteve të ringjallen?
Vjen një ditë kur dhe mjalti të duket pak i kripur. Ishim vjelur disi me këngët epiko heroike. Kishim krijuar vlera. Por unë nuk desha që kjo të kthehej në një mani krijuese për mua dhe shumëkënd. Bisedova me krijuesin e mrekullueshëm mirditor Mark Gjoka e ishim duke rënë dakort të zbusnim pak tematikën, po si?
Punoja në Rubik. Ndikova që bashkë me Dod Prendin e Markun të sillnim aty dhe Anton Gjokën, një “gramafon” më vete edhe ky. U bashkuam dhe filluam të eksperimentojmë, por që në fjalët e para ishim gati të prisheshim në këtë “Pazar”…thuajse me forcë e ka hapur rrugën e Treshes së Rubikut kënga, titullin e së cilës ju e përmendet në fillim të kësaj bisede. Do të jem gjithmonë i lumtur për këtë gjë dhe për ato cka pasuan në këtë hulli midis meje dhe djaloshit muzikant nga Kullaxhiu.
Edhe Treshja e Djemve është emblematike në llojin e vet, dhe mendoj se disa metalmuzika edhe po prishin dicka prej repertorit të saj, bane Zot padashje!….ndersa për ringjallje në traditën burimore, jam i sgurtë se mund të flitet. Ka rëndësi kush e flet dhe kur flet.
Rrufetë politike, sidomos në një rreth të cilësuar politik si yni, nuk lanë pa rënë edhe mbi krijuesit, pikërisht edhe mbi ju, është një brengë që nuk doni ta kujtoni?
Po, një brengë që nuk dua ta kujtoj por që s’mund ta harroj. Sepse vec të tjerash, nën ato pesë vite llac, tulla e beton, u tentua të më shterrej shpirti poetik dhe njerezor, kjo është dhimbja që nuk mund të harrohet.
U tentua, po a mori dicka?! Sigurisht që mori dicka, së paku kohën më vitale për një krijues. Nejse, unë jam kristian në shpirt dhe Zoti i faltë!
Pas rehabilitmit politik deri në njëfarë mase, ju e ndjetë se kishit rënë në “kurthin e shkruesit të Oborrit”, natyrisht për provincën, apo muza poetike popullore iu tërhiqte si me magji, për të mbetur,qoftë dhe anonim i saj?
Asnjëherë nuk e kam pranuar shkruesin e Oborrit. Kam qenë kokëfortë dhe më është thënë se për këtë do e pësoja, sikurse me ndodhi. Dhe, ju siguroj se ngado që të jetë stisur, shkaku i ndëshkimit tim ka patur në nukël një kundërshtim timin ndaj një ish titullari politik të asaj kohe për t’i bërë monoigrafi për të atin. Qesharake dhe cinike e vërtetë apo jo, në Mirditë njerezit e kujtojnë këtë fakt, pastaj, magjia krijuese që më ka harkuar me vlera që fatmirësisht kanë mbetur.
Anonimatin, këtë kafshë të keqe kam qenë i detyruar ta pranoj edhe unë për shumë kohë. Miku im poeti Viktyor Gjikolaj, e provoj dhimbshëm krejt sepse iu ndalua kënga, iu burgos liria dhe emri, por ai është si gurët e bardhë të Selitës, që stuhitë e dimrave të zinj i përcjell me buzëqeshjen e njeriut që nuk din të mundet.
Vitet pas 80-s janë një shpërthim i vërtetë në krijimtarinë tuaj: festivale folklorike, festivale zonale e kombëtare të fëmijëve, festivale të këngës në RTSH, disa libra, e me rradhë…
Ashtu është. Kam shkruar për të gjitha gjinitë e skenës përjashto dramën, ku e kam ndjerë se suksesi ishte detyrimisht i kufizuar për hir të “fundeve të lumtur”! Kam mbresa të jashtëzakonshme me brezin më të ri.
Fëmijët janë të prirur për sport dhe art, por nëse din të shkosh bashkë me ata atje. Prandaj gjithë herë kam bërë dhe bëj apel: kini kujdes fëmijët e talentuar, ata janë Mirdita nesër, Atdheu i artit të nesërm.
Mund të na kujtoni disa nga bashkepunimet më të suksesshme me kompozitorë nga më të mirët e vendit në festivalet e RTSH?
Më lejo të them se janë tejet të pakët ata kompozitorë me të cilën s’kam bashkëpunuar nëpër mbi 20 festivale ku kam marrë pjesë dhe disa herë cmime të para, duke filluar nga Zadeja, Gaci,Deda, Tili, Kaftalli, Daia, Laro, Lalo, Nini e të tjerë.
Por besoj se shkëlqim kanë mbetur bashkëpunimet me të ndjerin Feim Ibrahimi.
“Një zambak i bardhë në gur” dhe “Rrjedh në këngë e liëgjerime”, kënduar nga bilbilat e këngës shqiptare,Vaco Zela dhe Gaqo Cako, këngët “Dy gëzime në një ditë” dhe “Mirsevjen ditë e re”, me kompozitorin David Tukici, “Në cdo zemër njëherë troket”,me Kujtim Laron, për ta ardhur tek bashkëpunimi i mjaft viteve e sukseseve tashme me shumë të talentuarin Edmond Zhulali,me të cilin e kam për nder të vijoj krijimtarinë.
Pas viteve’90, për pak kohë vijoni të krijoni në Mirditë, por ju merr me vete dhe vorba politike si një politikan deri në qendër. Kjo ngajse poltike,e mbyti shpirtin e poetit apo dhane e morën me njëra tjetrën?
Mund të thuhet se për pak kohë e mpiu pakëz, por tek krijuesi i vërtetë kurrë politika nuk mund të bëhet sunduese, aq më pak asgjësuese. Tash sikur marrin frymë mirë pranë njëra tjetrës.
Janë disa arsye të tjera që më kanë vorbulluar më shumë se poltiika që kanë të bëjmë me sense të tjera të jetës. Poltitika nuk u jep asgje shkrimtarëve në një kuptim, mbasi ata kur hyjnë në politikën aktive nuk e lënë mantelin e personalitetit të krijuesit jashtë derës së saj. Janë të tjerë ata që vijnë pa të, dhe kur dalin nga politika i nxjerr me mantel të veshur. Sa i gjatë është ky mantel, kjo është një tjetër gjë. Manteli i krijuesit nuk vjetërohet, përkundrazi.
Me sa duket në politikë, duhet të hysh me një lloj egoizmi që intelektuali i fushës së krijimtarisë nuk din ta shfaqë. Kjo nuk do të thotë se une nuk ndihem mirë midis miqve të mij politikanë si në Tiranë ashtu dhe në gjithë Shqipërinë.
Në gati një dekadë që ju punoi e jetoni në Tiranë, në jetën tuaj kanë ndodhur edhe shume brenga, keni humbur gruan në moshë të re, për të cilën si redaksi ju ngushëllojmë thellësisht, mund të na thoni se c’ka ngjarë me krijimtarinë tuaj?
Edhe unë thellësisht ju falenderoj për ngushëllimin e sinqertë. Liza ishte jo vetëm bashkëshortja ime dhe edukatore e fëmijëve, por ajo ishte dhe një ndihmëse e shkëlqyer lidhur me ato që shkruaja, në kuptimin e përjetimit, ruajtjes dhe nxitjes për publikim. Ajo mjerisht i la të gjitha bashkë me jetën e saj të re.
Thuhet se jeta vazhdon, ani, ashtu qoftë! Mbasi kam mbledhur veten disi, me krijimtarinë time ka ngjarë e zakonshmja ime, shkruaj, publikoj, sistemoj, sa mundem. Jeni ndër të parët që ju vë në dijeni se humbja që më ngjau me ka kompensuar me një libër të ri lirikash thuajse familjare që ia vlen botimi.
Derimë tash në bisedë, kinse nuk ua përmenda dhe aq shume politikën, nga sa jemi të përfaqësuar në politikë si trevë, duket se s’po kemi cfarë t’i themi shumë asaj, sepse realisht politika shhqiptare e ka hunbur busullën e idealizmit, cka psh i shquan mirditorët. A është e arsyeshme të mos i flasim kulturës kombëtare ku kemi cfarë të themi dhe të japim, pasi dhe e kemi një potencë të tillë krijuesish e studiuesish intelektualë?
Kjo do të kërkonte një shtjellim të gjerë, gjë për të cilën shpresoj të na jepni kënaqësinë të bashkëbisedojmë sërish në faqet e kësaj gazete të mirpirtur. Gjithsesi mund të thuhet se treva jonë ende nuk po e ka përfaqësimin që meriton në politikë. Kjo, mendoj une se ka arsye që duhen kërkuar edhe brenda nesh por edhe jashtë nesh si mirditorë.
Edhe ata pak politikanë që kanë votbesimin e Mirditës, pavarësisht të cilit krah politik, nuk janë ende as “pasqyrë e qorruar” e idealizmit mirditor. Fjala është për politikanët me dorë në busull. Ka dhe prej nesh që realitetet shqiptare nuk na lejojne ende të kapërcejmë barrierat e dilitantizmit politik,dhe kështu punët shkojnë si po i sheh.
Potencë intelektuale edhe krahina jonë ka, dhe jo pak, por intelektualët kjo kohë po i “vret”, po i përzë, për të mos thënë se po i anatemon. Sidoqoftë, ne jemi një komb feniks dhe do të dijmë të rigjejmë edhe idealizmin në busullen e jetës.
Mirdita nuk bërtet por mban mend.
Sa e gjeni me vend edhe ju “mergimtarët” tanë në Metropol e gjetkë për t’u angazhuar e kordinuar me këtë bërthamë që tashmë është formësuar posacërisht në Rrëshen?
Ju kam thënë në fillim të kësaj bisede të përzemërt, se “unë i huaj s’jam tek ai dhe”.
Ka qenë dhe është një krenari puna e bërthamës tejet rrezatuese e intelektualëve të Rrëshenit. Nëse në një vend tjetër një bërthamë e tillë duhej falenderuar një herë, nga cdo mirditor i mirë, duhet të falenderoheni dy herë, për arsye se ju, pos rezistencës që po i bëni jetës së vështirë në një provincë thuajse të lënë në harresë, gjeni forca shpirtërore, mendore, fizike dhe morale për të bërë histori. Ju qofsha falë, e kjo do të thotë se ne “mërgimtarët” jemi aty dhe jo vetëm me fjalë e zemër.
Duke e mbyllur këtë bisedë, cfarërë ju mbetet më për merak për t’u përcjellë në formë mesazhi lexuesve të gazetës sonë?
Së pari, ju lutem t’u përcjell një mesazh dhimbjeje, për mikun dhe kolegun tim Lin Loci, i cili mjerisht nuk është midis nesh.
Përshëndetja ime e parë sot është për ju, gazetën, lexuesin tuaj të nderuar. Më dhatë rastin e lumtur të bashkëbisedoj me ata që i dua dhe më duan, që nuk di shumë gjëra për ta momentalisht, por një gjë e di me siguri: nuk mund t’i harroj kurrë për mirësinë e tyre, dua të përëshëndes zotin Ndue Dedaj me ekipin e shtëpisë botuese “Mirdita’, të gjithë ata djem azganë që i janë përkushtuar një misioni që Mirdita din ta cmojë shumë sot e më shumë nesër.
Falmeshëndet artistëve të skenës mirditore, djemve të penës, djemve të politikës ndërtuese, emigrantëve mirditas, falmeshëndet të gjithëve!
Faleminderit!
Përgatiti: Gjergj Marku
(Intervistë me poetin Gjok Beci, botuar në gazetën MIRDITA, dhjetor 2001)