Kuvendi-i-Lezhes

Në katedralen e Kishës së Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet dhe memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt Besëlidhja e Lezhës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar gjatë periudhës së mesjetës.

Kuvendi u çel më 2 mars 1444 pranë katedrales së Shën Kollit të Lezhës. Midis bujareve që moren pjesë në kuvend qenë udhëheqësit e kryengritjeve të mëparëshme: Gjergj Arianiti, Andre Topia, Nikollë Dukagjini dhe Teodor Korona Muzaka.

Personalitete të tjera të rëndësishme qenë gjithashtu Pal Dukagjini, Lekë Zaharia, Lekë Dushmani,Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani, sundimtari i Malit të Zi Stefan Cernojeviçi dhe mjaft feudalë të tjerë. Në kuvend morën pjesë edhe përfaqësues të fiseve malësore.

Çështja kryesore që u bisedua në kuvend qe ajo e bashkimit të vendit në luftën kundër turqve. Skënderbeu, pasi u foli pjesëmarrësve të kuvendit mbi të kaluarën e tij dhe arësyet që e kishin detyruar të shërbente si sanxhakbej i sulltanit, u theksoi atyre nevojën e bashkimit të forcave të vendit per të marrë pjesë në luftën kundër turqve tani që fitorja e hungarezëve kishte hapur prespektiva për çlirimin e popujve të Ballkanit. Në përfundim të bisedimeve, bujarët shqiptarë, megjithëse në shumë çështje kishin divergjenca të theksuara, u shprehën në mënyrë të njëzëshme për bashkimin e tyre në luftë kundër turqve, bashkim ky në shkallë kombëtare që ndodhte, nga sa dihet, per të parën herë në historinë e Shqipërisë feudale. Me pëlqimin e pjesëmarrësve kuvendi vendosi formimin e një besëlidhjeje e cila njihet me emërin “Lidhja shqiptare”, ose “Lidhja e Lezhës” Lidhja shpalli Skënderbeun kryetar të saj.

Një vendim tjetër me rëndësi që mori kuvendi i Lezhës qe formimi i një ushtrie shqiptare me repartet që do të rekrutonin si Skënderbeu ashtu dhe bujarët e tjerë në zotërimet e tyre. Komandant i saj u caktua gjithashtu Skënderbeu, me titullin “kapiten i përgjithshëm” (Capitaneus generalis) ndërsa komandantët e reparteve të veçanta do të caktoheshin nga vetë bujarët. Përveç ushtrisë, kuvendi vendosi të krijonte edhe një arkë të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Fondi do të krijohej me kontributet që do të jepnin bujarët shqiptarë si dhe me një pjesë të të ardhurave të kriporeve të Shën-Köllit që ndodheshin në veri të Durrësit. Kontributi që premtuan të jepnin bujaret arriti në shumën e rëndësishme prej 200 mijë dukatësh ari.

“Lidhja Shqiptare” kishte karakterin e një aleance politike e ushtarake të krijuar për nevojat e luftës kundër pushtuesve turq, por secili bujar pjesëmarës e ruante autonominë e vet, Skënderbeu, si kryetar, ishte në këtë kohë vetëm një “i parë midis të barabartëve” dhe nuk gëzonte asnjë të drejtë të ndërhynte në zotërimet e bujarëve të tjerë. Megjithatë, caktimi i një udhëheqësi të vetëm politik e ushtarak kishte një rëndësi të madhe, ishte një hap përpara në kapërximin e përçarjes feudale. Në duart e Skënderbeut, i cili fitoi një prestigj dhe autoritet në radhët e masave popullore si çlirimtar i zotërimeve të gjëra të Kastriotëve, “Lidhja e Lezhës” u bë një mjet për bashkimin politik të mbarë popullit shqiptar në luftën kundër pushtuesve turq.

Republika Raguzes, ndonse premtoi, nuk dërgoi ndonjë perfaqësues në kuvend. Edhe Republika e Venedikut nuk mori pjesë zyrtarisht. Ajo dërgoi këtu vetem një vëzhgues. Republika, e cila ishte në paqë me sulltanin dhe nuk donte t’i prishte marrëdhëniet me të, u dha shqiptarëve, me anën të vëzhguesit të saj, vetëm premtime të thata. Ajo bile, vrapoi të nxirrte përfitimet e veta. Duke përdorur si pretekst rrezikun e shqiptarëve, republika hyri në bisedime me turqit, dhe u kërkoi Vlorën e Kaninën. Por këto qytete sulltani nuk i lëshoi.