papa-tirane

 

TIRANË- Papa Francesku, që karakterizohet nga buzëqeshja e ëmbël dhe plot dashamirësi, nuk lë mënjanë dhe batutat. Në takimet që kreu në Tiranë, figura që të imponon vetvetiu respekt, u shpreh me çiltërsi dhe kjo në varësi të rrethanave ku u ndodh.
Batuta për Nënë Terezën
“Kur Papa njohu Nënë Terezën, ishte koha e Sinodit të ‘93-it në Sinodin e Ipeshkve. Nënë Tereza ishte e ftuar nga Papa dhe qëndronte pas tij. Admironte forcën, vendosmërinë e ndërhyrjeve të saj e cila nuk impresionohej nga Asambleja e Ipeshkëve. Ai bëri dhe një batutë të vogël “Do kisha pasur frikë nëse do kishte qenë superiorja ime. Kjo ishte me humor dhe kjo tregon që Papa është me humor në këtë vizitë”- u shpreh zëdhënësi i Vatikanit At Lombardi, i cili tregoi rrëfime të sinqerta të Papa Franceskut.

 

Gjatë takimit me komunitetet fetare
Batutat nuk munguan dhe gjatë takimit të Atit të Shenjtë me komunitetet fetare në Shqipëri në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”. Papa Francesku gjatë fjalës së tij i ‘tërhoqi’ vëmendjen organizatorit për mënyrën e pozicionimit të të pranishmëve.

“Miq të dashur ju ftoj ta mbani dhe të zhvilloni raportet që keni mes komuniteteve fetare këtu në Shqipëri dhe të ndjeheni të bashkuar në shërbim të atdheut tuaj të dashur. Kështu si jeni vendosur duhet tamam sikur është një skuadër futbolli katolikët përballë atyre që nuk janë, por në fakt jeni të gjithë bashkë për të mirën e atdheut. Vazhdoni të jeni shenja për vendin tuaj. Duket se katoliket janë kundër të tjerëve, por jo, të gjithë sëbashku për të mirën e njerëzimit.”- tha Ati i Shenjtë duke e shoqëruar këtë moment me buzëqeshje.

 

Gjatë lutjes mbrëmësore
Ati i Shenjtë, krijoi momente humori dhe gjatë Lutjes së Mbrëmësores me meshtarët, teksa predikonte fjalën e zotit, iu drejtua të gjithëve në sallë se nuk do të jetë xhelat. “Nuk dua të bëhem xhelati juaj dhe t’ju bie me shkop, por mjerë ata që kërkojnë ngushëllim diku tjetër, pasi nuk do jeni të lumtur.”-tha Papa Francesku.