Më 30 tetor 1938 u përurua godina e Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Fjalën e rastit e mbajti Presidenti i Bankës Kombëtare të Shqipërisë Antonio Moscheti dhe Rrok Gera, Ministër i Ekonomisë Kombëtare. Shiritin e përurimit të ndërtesës e preu Naltmadhnija e saj Princesha Sanije. Godina ishte vepër e arkitektit italian Vittorio Ballio Morpurgo. Në relievet e hyrjes kryesore të godinës janë gdhendur figura nga skulptori italian, Alfredo Biagini, të cilat simbolizojnë burimet e jetës e të pasurisë së kombit. Ato pershtaten me ato të sallës së pritjes të publikut, të cilat janë vepër e piktorit italian, Giulio Roso. Veshja dhe dekorimi i mureve është bërë sipas artit antik venecian.
Por historia e sistemit monetar e të kreditit në Shqipëri ka filluar që në vitin 1913 me krijimin e një institucioni bankar. Ky Institucion u krijua pas marrëveshjes së Qeverisë së Ismail Qemalit, me përfaqësues të Wienner Bank Verein përfaqësues të Banca Commerciale Italiana. Por ai nuk jetoi gjatë për vetë kushtet politike të kohës dhe për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore.
Shumë vite me vonë më 1925, u krijua Banka Kombëtare e Shqipërisë, me qendër administrative në Durrës pas marrëveshjes së Mufid Libohovës në emër të Qeverisë Shqiptare dhe një grupi financiar italian.
Në shkurt të vitit 1926, u bë edhe qarkullimi i monedhës së parë kombëtare shqiptare. Si njësi monetare zyrtare u caktua frangu ar.
Gjatë kësaj periudhe, Banka Kombëtare e Shqipërisë zbatoi standardin e arit që nënkuptonte se kartëmonedhat kthehen në ar dhe në valuta të huaja të forta në dollar, në lira, në stërlina, etj..
Në 3 janar 1945, u miratua edhe ligji i Bankës së Shtetit Shqiptar, me atributet e një banke qendrore dhe të një banke tregtare njëkohësisht.
Në 22 prill 1992, u krijua Banka e Shqipërisë si banka qendrore e Republikës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë është bankë me kapital tërësisht shtetëror dhe përgjigjet përpara Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ajo drejtohet nga Këshilli Mbikëqyrës, i cili përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët zgjidhen nga ana e Kuvendit të Shqipërisë për një periudhë 7-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje.
Këshilli Mbikëqyrës kryesohet nga Guvernatori, i cili vepron edhe si Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës së Shqipërisë, i ngarkuar për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të saj.
Brenda kompetencave të përcaktuara me ligj, Banka e Shqipërisë është e pavarur nga çdo pushtet tjetër për realizimin e objektivit kryesor të veprimtarisë së saj, si dhe në ushtrimin e detyrave të ngarkuara.
Banka e Shqipërisë është autoriteti monetar mbikëqyrës i vendit. Ajo e ka qendrën në Tiranë. dhe ka 5 degë në rrethet Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Lushnjë.