Baltasar Benussi lindi në Shkodër, më 6 janar 1897, në një familje intelektuale me prejardhje nga Rovinio, Itali. I ati Gaspër Benussi ishte mësues (Mësues i Merituar 1993) i cili në vitin 1890 botoi në Bukuresht “Abetare” dhe “Shqiptari i mësuem në gjuhë të vet”. Baltasari, kreu shkollën fillore në Shkodër, të mesmen në Peç të Hungarisë ndërsa shkollën e lartë në Itali, në Universitetin La Sapienza të Romës në Fakultetin e Drejtësisë.

baltasar_benussi
Baltasar Benussi

 

Në dhjetor të vitit 1924 diplomohet Doktor në Shkencat Juridike. Kthehet në Shqipëri dhe emërohet gjykatës në Vlorë dhe pas një viti prokuror në Berat. Në vitin 1927 emërohet në Tiranë në Komisionin Ligjpërgatitës të ligjeve europiane moderne meqë kishte ardhur koha që Shqipëria të shkëputej nga ligjet turke. Komisioni përbëhej nga Mehdi Frashëri, Agjah Libohova, Thoma Orollogaj dhe Baltasar Benussi. Benussi i cili zotëronte shumë mirë gjuhët, latinisht, italisht, frengjisht, gjermanisht, anglisht dhe  hungarisht, ishte i ngarkuar kryesisht për hartimin e Statutit të Mbretërisë si dhe Kodin Civil, gjë që e vërtetojnë dhe dy Komentarët e Kodit Civil të shkruara nga vetë ai. I pari komentar që titullohet “Sendet, zotërimi dhe modifikimet e tija” ndërsa i dyti “Obligimet dhe kontratat Përgjithësisht”. Të dy librat janë botuar në vitin 1931.

benussi-libra

Në vitin 1929 emërohet anëtar i Gjykatës së Diktimit (Gjykata e Lartë) detyrë të cilën e mbulon deri në vitin 1932 kur shkëputet nga detyra shtetërore dhe kalon si avokat privat po në Tiranë. Këtë profesion Baltasar Benussi e ushtroi deri në 1947-ën, vit në të cilin arrestohet nga regjimi komunist me akuzën: Pjesemarrje në Organizatën e Deputetëve, “armik i popullit” dhe “poliagjent”. Torturohet në mënyrë çnjerëzore për 11 muaj me radhë nga hetuesi V. F. Si pasojë e torturave mbeti invalid për tërë jetën. Pas hetimit denohet me 7 vjet heqje lirie dhe i shtetëzohet pasuria. Dënimin e ka kryer në burgun famëkeq të Burrelit, dhe ishte i pari që pasi kreu dënimin u internua për 4 vjet në Kuç të Kurveleshit nga ku u lirua në prill të vitit 1958. Familjarët e Baltasarit, pas dënimit të tij, u dëbuan nga Tirana dhe u kthyen në vendlindje, në Shkodër. Në vitin 1960 Kur Baltasari lirohet fillimisht i jepet e drejta e ushtrimit të profesionit të tij në Shkodër pranë Kolegjit të Avokatëve, detyrë të cilën e ushtroi deri në vitin 1967, kur kjo e drejtë ju hoq përsëri, për arsye politike. Meqë nuk plotësonte vitet për një pension minimal i dhanë një kioskë dhe ishte në moshën 70 vjeçare kur punoi si cigareshitës derisa plotësoi vitet e një pensioni minimal. Baltasar Benussi ndërroi jetë në korrik të vitit 1982, në moshën 85-vjeçare.