Nga Kujtim Dashi /
GJEÇOVI, Shtjefën Kostandin (Mëhill Kostandin Gjeçi-Kryeziu, 1874-1929)
Eshtë një ndër figurat e shquara të kulturës sonë kombëtare, etnolog e mitolog, shkrimtar, arkeolog, “Mësues i Popullit”, sipas Faik Konicës “njëri nga njerëzit më të lartë që ka pasur Shqipëria”, ndërsa albanologu i shquar N.Jokli ka thënë “punëtor i palodhur në fushën e letrave shqipe”.
Shtjefën Gjeçovi u lind në fshatin Janjevë në jug të Prishtinës të Kosovës, më 12 korrik 1874, në një familje me prejardhje nga Kryeziu i Pukës. Në këtë mjedis, nga dolën njerëz të shquar të kulturës shqiptare, do të rritej Gjeçovi, të cilit në pagëzim prindërit ia kishin vënë emrin Mëhill. Duke parë zellin e interesin për dije, prindërit e dërguan Mëhillin e vogël (që shkurtimisht e thërrisnin Hilë) në shkollën e vendlindjes për të mësuar shkrim, këndim e njehësim. Në shkollë ai u dallua për zgjuarësi, karakter e vullnet të fortë, cilësi këto që i ranë në sy edhe priftit të Janjevës, i cili u propozoi prindërve që ta dërgonin djaloshin në një shkollë më të mirë, siç ishin në atë kohë kolegjet fetare. Qe nxënësi më i mirë e me dhunti të jashtëzakonshme. Për këtë arsye, autoritetet kishtare të Shkupit e dërguan që të vogël, në moshën 10-vjeçare, për të filluar seminarin françeskan të Troshanit. Në Troshan pati bashkënxënës Gjergj Fishtën, megjithëse dy vjet pas tij. Më 1888, në moshën katërmbëdhjetë vjeç, u dërgua për të vazhduar shkollën në institucione arsimore françeskane në Bosnjë. Më 15 gusht 1892, hyri në seminarin e Fojnicës pranë Sarajevës, vazhdoi pastaj në Derventa (1893) dhe Banja Luka (1893) në Bosnjen veriore dhe më pas hyri në seminarin françeskan të Kreshevës, përsëri afër Sarajevës, ku studioi teologji e filozofi së bashku me shokun e klasës Pashko Bardhi (1870-1948), i cili më vonë do të bëhej gazetar i njohur dhe pronar i revistës kulturore të Shkodrës “Hylli i dritës”. Aty ai pat rast të njohë mirë edhe poetin kroat Gërga Martiqin, autor i përmbledhjes së këngëvë epike “Hakmarrësit”. At Pashk Bardhi shkruan: “At Shtjefni kje dashtë fort prej A. Martiqit, i cili ishte më se shtatëdhjetë vjetsh “.
Gjatë kohës së studimeve, Gjeçovi u kujdes që të mësonte sa më shumë mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare për liri e pavarësi e, sidomos, të njihej me letërsinë shqipe të traditës dhe të atyre viteve. Ekzistojnë prova të shumta se ai e njihte mirë letërsinë shqipe të traditës, sidomos “Mesharin” e Buzukut, “Çetën e Profetëve” të Bogdanit, veprat e Barletit, të Samiut etj. Një interes të veçantë tregoi Gjeçovi, veçanërisht, për gjuhën shqipe. Në vitin 1893, deri sa ishte ende në Kuvendin e Banja Lukës, shkonte në Kreshevë për të dëgjuar leksionet e Tolotcit mbi origjinën e lashtësinë e gjuhës shqipe. Gjatë asaj kohe Gjeçovi bëri edhe përpjekjet e para letrare-poetike e shkencore. Ai shkroi edhe një studim të gjatë 350 faqesh (Metropolis Antibarensis Ecclisiarum Episcopalium subiecta e guerunt). Historia (latinisht) dëshmon për talentin e rrallë dhe për përgatitjen intelektuale të tij
Gjeçovi i ri u shugurua prift i urdhërit françeskan më 1896 dhe po atë vit u kthye në Shqipëri për t’u emëruar meshtar në Troshan. Veprimtaria patriotike e Sh. Gjeçovit do të jetë një shqetësim i vazhdueshëm i qeveritarëve dhe i disa eprorëve të tij, prandaj atë do ta shohim të lëvizë sa në një vend në një tjetër. Shërbeu si famullitar e mësues i popullit nëpër famulli e kuvende të ndryshme, si në fshatrat Zllakuqan të Klinës, në Rubik, Pejë, Sapë, Theth-Prekal, Laç-Sebaste të Kurbinit, Gomsiqe, Durrës, Vlorë, Shkodër, Gjakovë, në fshatin shqipfolës Arbanasi (ital.Borgo Erizzo) në rrethinat jugore të Zarës (Zadar) dhe së fundi në Zym të Hasit të Thatë. Ai kurrë nuk e ndau çështjen kombëtare nga çështja e arsimit. Moto e jetës së Gjeçovit ishte kushtrimi “Të hapim shkollën shqipe”. Ai zë një vend të nderuar edhe në historinë e pedagogjisë shqiptare për idetë pedagogjike që dha, për veprimtarinë e shumanshme arsimore e kulturore, si mësues i popullit.
Ndër botimet më të para të Sh. Gjeçovit janë dymbëdhjetë vjersha që dolën nën pseudonimin “Lkeni i Hasit” në organin me influencë të Faik Konicës “Albania” më 1901-1902. Ai është autor edhe i disa krijimeve dhe përkthimeve fetare, të cilat i shkroi dhe i botoi me alfabetin e shkrimtarëve katolikë të shekullit shtatëmbëdhjetë (Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani) si “Pajtoria e Durzit a se Sc’Lucia”, Shkodër 1902, 1904 (“Pajtorja e Durrësit ose Shën Luçia”) etj. Sh. Gjeçovi më 1907 e pajisi Kolegjin Françeskan me bibliotekë.
Veprimtaria e Sh. Gjeçovit është e gjithanshme, duke filluar nga ajo shkencore, kulturore e letrare. Njihet si folklorist, arkeolog, përkthyes, dramaturg. Bashkëpunoi me revistat e kohës: “Populli”, “Hylli i dritës”, “Albania”, “Brezi i ri”, ku shkruante dhe botonte me pseudonimet “Komnen Kanina”, “Lkeni i Hasit”, “Zana e Prezës”, “A.Sh.K.Gj. O.F.M”, duke kontribuar me shkrime interesante nga fusha të ndryshme shkencore dhe letrare. Shkroi vjersha, tregime, novela, drama, studime, etnografike, etj. Në katër numra të revistës “Albania” botoi 16 tregime e gojëdhëna të ndryshme kushtuar Skënderbeut.
Kontributin më të rëndësishëm Sh. Gjeçovi e dha në fushën e etnografisë. Ai përmendet kryesisht për kodifikimin monumental dhe botimin e së drejtës zakonore shqiptare që e bëri të njohur në botën shkencore. “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (Shkodër, 1933), i cili, së pari, u botua pjesë-pjesë në “Albania” të Faik Konicës më 1898 dhe 1899, e pastaj më gjerë në revistën “Hylli i dritës” nga 1913 deri në 1924. “Kanuni i Lekë Dukagjinit” është unikal si shkrim e përmbledhje e ligjit të pashkruar të fiseve malësore në Shqipërinë e Veriut. Kanuni është përkthyer italisht nga Pal Dodaj (Romë, 1941), anglisht nga Leonard Foks (Nju Jork, 1989), gjermanisht nga baronesha gjermane Mari Ameli fon Godin (Marie Amelie von Godin, 1882-1950). Mjaft fragmente të kanunit janë mbledhur në rrethinat e Lezhës si Malësi e Dibrit, Kashnjet, në katër bajraqet e Lezhës, Breg të Matës etj. Sh. Gjeçovi jetoi e punoi, në periudha të ndryshme të jetës së tij, në rrethin e Lezhës, bashkë me shkollimin, 15 vjet. Gjeçovi ka lënë gjithashtu shkrime të shumta, të botuara e të pabotuara për doke e zakone të lindjes, të martesës e të vdekjes, për gjëmën, për mikpritjen e besën shqiptare, për përshëndetje e fjalë të urta, por më së shumti u mor me të drejtën zakonore të popullit tonë. Në punimet e tij bëri përpjekje të lidhte mitet e besimet e lashta vendase të popullit tonë me ato trako-ilire e pellazge. Ai përgatiti për shtyp vëllimet “Përralla popullore” (1903), “Doke e zakone vdekjeje” (1907), “Mënyra e jetesës në Malci” (1908), “Doke e zakone dasmash” (1910-1911), “Vaje në raste vdekjesh” (1917-1920). Sh. Gjeçovi la punime të mirëfillta, që i kushtohen historisë së Lezhës si: për lashtësinë e qytetit të Lezhës, studimin “Lufta e Bregut të Matës”, ciklin e artikujve “Një argëtim arkeologjik”. Ai konsiderohet nga studiuesit si themelues i arkeologjisë shqiptare, ndërsa Troshani, ku ai bëri gërmimet e para, zona arkeologjike më e para, që u studiua nga një arkeolog shqiptar. Ai grumbulloi një pasuri të madhe prej 500 objektesh arkeologjike dhe bëri disa shkrime në këtë fushë.
Sh. Gjeçovi ka lënë tridhjetetetë vepra origjinale, të pabotuara. Ndër to janë shtatë pjesë me tema kombëtare, që trajtojnë kryesisht epokën historike të Skënderbeut. Nga këto pjesë mund të përmendim “Dashuria e Atdheut” (1901), “Ravgime”, “Princi i dy Dibrave ose Mojsi Golemi” (1902), “Shqyptari ngadhnjyes” (1904), “Trathti gjaksore”, “Katër të lumtur”, ose “Edipi i Shqipnisë” (1926) dhe tragjikomedia “Mark Kuli kryengritës”, “Përkrenarja e Skënderbeut”, të cilat edhe pse aspak të përpunuara, kanë vendin e tyre në historinë e hershme të dramaturgjisë shqiptare. Ai gjithashtu përktheu dhe përshtati në gjuhën shqipe veprat: “Atil Regul” (1912), dramë e italianit Pietro Metastasio (1698-1782), “Shën Ndou i Paduas” (1912) dhe “Vajza e Orleansit” (Zhan d’Ark) (1915), botuar të gjitha në Shkodër. Ai gjithashtu la pa botuar përkthime të sentencave të Sokratit, romanin shumë të lexuar “Quo vadis” (1916) të polakut Henrik Shenkieviçit (1846-1916) dhe pjesë nga “Scritti su Parga” të poetit neoklasik italian Ugo Foskolo (1778-1827). “Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit”, të cilën, si duket, At Shtjefën Gjeçovi e shkroi gjatë qëndrimit të tij si famullitar e mësues në Zym të Hasit (1928-1929) është vepër e pambaruar në dorëshkrim, mbase vepra e fundit e At Shtjefën Gjeçovit, është një vepër proze, është një roman dhe Ungjill shqiptar i pakryer. Teksti është në dorëshkrim, i pambaruar dhe ka 93 faqe. Studiuesi Isak Ahmeti vë në dukje se kjo vepër e Gjeçovit do të mbetej e humbur apo e harruar pa kujdesin e Imzot Nikë Prelës, ipeshkëv (Kosovë). Teksti që është shkruar me dije e përkushtim të rrallë krijues merret jo vetëm me jetëshkrimin e jetës dhe veprës së Jezu Krishtit, por edhe me shqyrtime të thella filozofike, teologjike dhe shkencore.
Në sajë të punës së tij si përkthyes, si punëtor shkencor e letrar Universiteti i Laipcigut (Gjermani) i dha titullin e Doktorit të Shkencave in honoris causa. Albanologu i shquar N. Jokli e cilëson Gjeçovin “punëtor i palodhur në fushën e letrave shqipe”.
Më 1926 At Shtjefën Gjeçovi u transferua në famullinë e Zymit, një nga fshatrat katolike në krahinën e Hasit midis Prizrenit dhe Gjakovës në Kosovë. Atje, me famën që gëzonte si luftëtar kombëtar shqiptar i vendosur dhe si studiues i interesuar në zbulimin dhe nxjerrjen në dritë të lashtësisë së popullit të vet, ai ndezi urrejtjen e popullsisë serbe vendëse e të autoriteteve serbe. Vritet tradhëtisht në Kodrën Rrezina të Zymit të Hasit të Thatë, më 14 tetor 1929, rrugës kur po kthehej në shtëpi nga Prizreni. Varri i Shtjefën Gjeçovit në Karashëngjergj afër Prizrenit ka mbetur një vend pelegrinazhi për shqiptarët.
Shkolla tetëvjeçare e Troshanit (Zadrimë) që nga viti 2000 mban emrin e Shtjefën Gjeçovit, ndërsa në Zym të Hasit të Thatë mbahen vit për vit përkujtimore kushtuar Sh. Gjeçovit. Dhe, pas shembjes së diktaturës në Shqipëri, pra, gjashtëdhjetë vjet pas vdekjes së tij, disa nga dorëshkrimet panë dhe po shohin dritën e botimit në vazhdimësi, ashtu siç dhe po zbulohen, si studime, monografi, vjersha, tregime, novela etj.
Në Udhërrëfyesin e Arkivit Qendror Shtetëror–Fonde personale dhe familjare-(Vëllimi i parë, Tiranë, 2000) dokumentacioni i Shtjefën Gjeçovit (At) përbën fondin me Nr. 58, i cili ka kufijtë kohorë 1864-1930, strukturën e përpunimit (material biografik, veprimtari zyrtaro-shoqërore, letërkëmbim, veprimtari krijuese, të tjerët për krijuesin e fondit, material i grumbulluar), llojin e dokumentit (procesverbal, artikull, studim, dramë, tragjedi, komedi, tregim, thirrje, studim, fotografi, përkthim, raport, këngë popullore, shënim, dramë në vargje, pjesë teatrore, historik familje, shënime udhëtimi, ditar, përshkrim, epitaf, urim, përrallë, koment, skeç, poezi, shprehje popullore, satirë, kanuni i maleve, predikim, akt besëlidhjeje, alfabet i vjetër shqip), gjuhën e përdorur (shqip, latinisht, italisht, frëngjisht, serbo-kroatisht), mënyra e ruajtjes (origjinal, kopje, mikrofilm), përpunuar në vitin 1963 (shtesë: 1985, 1989, 1992, 1993).
Vepra:
“Dashtunia e atdheut”, Shkodër, 1901.
“Pajtoria e Durzit a se Sc’Lucia V.e M.N’kreme gasctmdhetcinnore t’veten. Jetsckroie e sckurt. Cit per kuides t’P.Sctiefnit Kost.Ghecov OFM, Sctypsckroje t’Zojs zânun pa mkat t’rriedhscem, Shkodër 1902, 1904.
“Agimi i gjytetniis”, Shtypshkroja Nikai, Shkodër, 1910.
“Atil Rreguli. Dramë me trii pamje. Shqyptimi i lirë mas Pjeter Metastasit (1905) prejë A.Shtjefen Konstantinit Gjeçov, OFM (pro manoscripto). Shtypshkroja Nikai, Shkodër, 1912.
“Shna Ndou i Padues. Shqyptue mas A.N.Dal-gal, OFM prejë Shtjefen Konstantinit Gjeçov, OFM. Shtypshkroja Nikai, Shkodër 1912.
“Vajza e Orleans’it asè e Lumja Joana d’Ark, shqypnue mas A.F prej Bergamos. Vepra pijore N.17. Shtypshkroja e Zojës s’Paperlyeme, Shkodër 1915.
“Joana d’Ark. Shqypnue prej A.Sh.K.Gjeçov OFM.Vepra pijore N.17.
Shtypshkroja e Zojës s’Paperlyeme, Shkodër, 1916.
“Kanuni i Lekë Dukagjinit”.Vepër postume. Përmbledhë e kodifikue prej A.Shtjefen Konst.Gjeçov.OFM. Shtypshkroja Françeskane, Shkodër 1933. Ribotim Enti i teksteve, Prishtinë 1972, “Kuvendi”, Lezhë 1997,2001.
“Codice di Lek Dukagjini ossia diritto consuetudinario delle montagne d’Albania. Tradotto dal P.Paolo Dodaj. A cura di Giorgio Fishta e Giuseppe Schirò. Introduzione di Frederico Patetta. Reale Accademia d’Italia. Centro studi per l’Albania. Romë 1941.
“Vepra 1-4”. Rilindja,Prishtinë 1985.
“Kanuni i Lekë Dukagjinit”. The code of Lekë Dukagjini. Albanian text collected and arranged by Shtjefën Gjeçov. Translated ëith an introduction by Leonard Fox. Gjonlekaj, Nju Jork 1989.
“Kanuni i Lekë Dukagjinit. Me parathënie të Gjergj Fishtës”. Albinform, Tiranë 1993.
“Kanuni i Lekë Dukagjinit. Me parathënie të Gjergj Fishtës,”Kuvendi”, Lezhë, 1997.
“Një argëtim arkeologjik”, Shkodër,1920.
“Sèbaste n’Armeni apo n’Arbëni”, Shkodër, 1921. “Trashëgime thrake-ilirjane”, Shkodër, 1924.
“Shpërblimi i botës ase jeta e Jezu Krishtit”, Ferizaj, 1993.
“Shtyllat e kombit”, Tiranë, 1999.
“Tomorr e Pashtrik përpiquni”, Tiranë, 2000.
“Mnera e Prezës”, Tiranë, 1902, 2000.