Prokuroria e Përgjithshme, në një komunikim me mediat mbrëmjen e së premtes ka dhënë detaje mbi arrestimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe inspektores së përgjithshme të këtij institucioni, Elivar Golemi.
Shefja e kabinetit të Prokurorisë së Përgjithshme, Fjorida Ballauri ka sqaruar për mediat se, gjykata ka urdhëruar arrestimin e dy zyrtarëve pas një kërkese të Prokurorisë së Tiranës.
Kjo e fundit, sipas Ballaurit, përmes hetimeve ka arritur në përfundimin se guvernatori dhe kryeinspektorja kanë vepruar në kundërshtim me ligjin duke neglizhuar me veprimet ligjore dhe masat e auditimit.
“Gjykata ka vendosur masën e arrestit me burg për shtetasit Ardian Fullani dhe Elivar Golemi, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Në vijim të hetimeve për vjedhjen në BSH, prokuroria ka arritur në përfundimin se, për shkak të mosveprimeve të tyre dy zyrtarët kanë krijuar kushtet për realizimin e kësaj vjedhjeje”, ka deklaruar shefja e kabinetit të Prokurorisë së Përgjithshme.
Konkretisht, nga hetimet ka rezultuar se zoti Fullani ka shkelur ligjin sepse:
1-Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës zëvendësguvernatorin e dytë Bankës së Shqipërisë, që do të mund të bënte administrimin dhe mbikëqyrjen e financave;
2-Nuk ka ushtruar kompentencat dhe nuk ka ndërmarrë nismat juridike për mbarëvajtjen e BSH;
3-Nuk ka mundësuar funksionimin e Departamentit të Emisionit;
4-Në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të BSH nuk ka marrë masat e nevojshme për zbatimin e vendimeve dhe rregullores së Këshillit Mbikëqyrës për qeverisjen dhe punën administrative të BSH;
5-Ndesh me rregulloren e BSH, guvernatori ka emëruar dy herë të njëjtin person.
Ndërsa për zonjën Elivar Golemi është konstatuar:
1-Nuk ka ushtruar auditimin konform ligjit dhe rregullores së BSH;
2-Ka vepruar në kundërshtim me kuadrin ligjor për kontrolloin dhe administrimin e financave të BSH;
3-Nuk ka informuar Këshillin Mbikëqyrës për veprimet financiare; nuk ka ushtruar auditime në vitet 2012, 2013 dhe 2014, që është dhe periudha kur është kryer vjedhja;
4-Nuk ka kryer detyrën pasi nuk ka hartuar asnjë raport për arkën.
Shiko vidion e arrestimit
/Gazeta Vatra/