Aleksandër Xhuvani u lind në Elbasan (Vilajeti Manastir) më 14 mars të vitit 1880. Studimet e larta i kreu për filologji në Universitetin e Athinës dhe më pas dha mësim në shkollën e parë të mesme kombëtare, në Normalen e Elbasanit (dhjetor 1909). Krahas Luigj Gurakuqit, Sali Cekas, Sotir Pecit, Kostaq Cipot, Simon Shuteriqit, Kahreman Yllit, Qamil Guranjakut, etj. Xhuvani dha ndihmesën e tij në përparimin e kësaj shkolle për një kohë të gjatë si mësues dhe si drejtor i saj. Xhuvani dha një ndihmesë të rëndësishme për zhvillimin e arsimit në Shqipëri (1946-1951), për organizimin e drejtimin e jetës shkencore si drejtues i seksionit të Gjuhës e të Letërsisë të Institutit të Studimeve të quajtur më vonë Instituti i Shkencave (janar 1947- shtator 1953).


Xhuvani luftoi e punoi për njësimin e gjuhës letrare të folur e të shkruar. Ai drejtoi hartimin e udhëzuesve të njëpasnjëshëm drejtshkrimorë (1949, 1951, 1954, 1956). Xhuvani ishte ndër studiuesit e parë të fjalëformimit, të morfologjisë e të sintaksës. Hartoi punime e studime për kategori e çështje të ndryshme të gramatikës.

Gjithashtu ai mori pjesë në jetën shoqërore dhe politike të kohës. Ai ishte anëtar i Asamblesë Kushtetuese në kohën e Mbretit Zog dhe më vonë anëtar i Asamblesë Kushtetuese (dhjetor 1945), anëtar i Kuvendit Popullor dhe zëvendës i Presidiumit të tij deri në fund të jetë se tij më 22 mars 1961. Aleksander Xhuvani mban Titullin e lartë “Mësues i Popullit”.

Veprat

· “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” – (1956);
· “Parashtesat” – (1956), (në bashkëpunim me Eqrem Çabej);
· “Prapashtesat e gjuhës shqipe” – (1962), në bashkëpunim me Eqrem Çabej);
· “Fjalori i gjuhës shqipe”- (1954);
· “Vepra” –Botim në gjashtë vëllime nën kujdesin e Akademisë së Shkencave,(1980)