Akademia e Shkencave e Shqipërisë e ka fillimin e saj në vitin 1750, kur u krijua në Voskopojë e ashtuquajtura “Akademia e Re”. Që në atë kohë, ajo ishte njëherazi shkollë e mesme dhe qendër kulturore e mirënjohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Ndonëse “Akademia e Re” nuk kishte as strukturën, as detyrat e Akademive të vendeve të tjera të Europës, ajo ishte e lidhur me trashëgiminë dhe zhvillimet kulturore të popullit shqiptar. Shqiptarët duke qenë për shekuj me radhë nën sundime e qeverisje të huaja, mundën të mbijetonin duke ruajtur e zhvilluar gjuhën dhe kulturën e vet të origjinës. Përpjekjet e shqiptarëve për të lëvruar dijet e tyre nuk kanë munguar ndër shekuj. Kontributet kulturore dhe shkencore të tyre janë të njohura jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende europiane e më tej. Ata kanë lënë gjurmë në tri fusha kryesore:

1. Në fushën e humanizmit (filozofi, histori, letërsi, teologji, folklor); Dhimitër Frëngu (1443-1525); Gjon Buzuku (shek. XVI); Marin Barleti (rreth viteve 1460-1512); Pjetër Budi (1566-1623); Frang Bardhi (1606-1643); Pjetër Bogdani (1625-1689) etj.;
2. Në fushën e artit (muzikë, pikturë dhe skulpturë); Jan Kukuzeli (1010-1075) – figura më e njohur në muzikë; Onufri (shek. XVI), piktori më i njohur; piktorët e shek. XVIII, David Selenicasi dhe Konstandin Shpataraku etj.;
3. Në fushën e shkencës dijetarë si, Gjon Gazulli (1400-1465), astronom dhe matematikan; Leonik Tomeu (1456-1531), astronom, filozof dhe profesori i Nikola Kopernikut në Universitetin e Padovës etj.

Pushtimet e njëpasnjëshme penguan dhe dëmtuan zhvillimin kulturor dhe përparimin e vendit, por nuk mundën të ndërprisnin trashëgiminë kulturore dhe të tjetërsonin origjinalitetin e artit e të kulturës popullore shqiptare. Për shkak të këtyre rrethanave historike, shqiptarët mbetën prapa në zhvillimin e tyre kulturor dhe shkencor në krahasim me disa vende të tjera. Madje, edhe dëshmitë e para të rëndësishme të shkrimit shqip e të letërsisë shqipe, janë të shek. XVI (Gj. Buzuku 1555, L. Matrënga 1592), ndonëse shqipja është një nga gjuhët më të lashta indoeuropiane. Një traditë e shëndoshë letrare dhe kërkimesh shkencore mbi gjuhën dhe lashtësinë e kombit tonë u krijua tek Arbëreshët e Italisë, sidomos pas krijimit të Kolegjit të Palermos dhe Kolegjit të Shën Adrianit (në Shën Mitër të Kalabrisë), në vitet ’30 të shek. XVIII. Veprat e Engjëll Mashit, Vinçens Dorsës, G. Krispit, Dhimitër Kamardës, Jeronim De Radës etj., nga arbëreshët e Italisë ose A. Kulluriotit nga arvanitasit e Greqisë etj., tërhoqën vëmendjen e botës shkencore dhe nxitën zhvillimin e studimeve shqiptare ku shquan kontributi i një vargu albanologësh të huaj si G. Mejer (Meyer), F. Bop (Bopp), J. G. von Han (Hahn), K. Rajnhold (Reinhold) etj. Rilindja Kombëtare (gjysma e dytë e shek. XIX), me përpjekjet e saj në luftën për liri e pavarësi, për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare e për të afirmuar kombin dhe kulturën shqiptare, i dha një nxitje të madhe përparimit të mendimit shkencor rreth çështjeve të gjuhës, historisë e traditave të popullit shqiptar; përhapjes së arsimit në gjuhën amtare; njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe; lëvrimit dhe përpunimit të dijeve fillestare në degë të ndryshme të shkencës. Shumë figura të ndritura të kombit shqiptar, si Sami Frashëri, Hasan Tahsini, Refat Frashëri etj., megjithëse e zhvillonin veprimtarinë e tyre jashtë atdheut, u përpoqën jo vetëm për liri dhe pavarësi, por edhe për zhvillimin e arsimit, kulturës dhe shkencës shqiptare. Pas Shpalljes së Pavarësisë, në nëntor 1912, me përpjekjet e intelektualëve dhe të studiuesve më të njohur shqiptarë, u krijuan disa qendra kulturore dhe klube që kryenin edhe funksione studimore, në disa prej qyteteve kryesore të Shqipërisë. Këto përpjekje të para për të krijuar shtratin e shkencës shqiptare, u shtuan dhe u bënë më të organizuara me konsolidimin e shtetit shqiptar, pas Kongresit të Lushnjës (1920). U ngritën disa shërbime të veçanta, të cilat kryenin edhe ndonjë funksion studimor, si Shërbimi Veterinar ose Epidemiologjik (1928), ferma e Xhafzotajt e ndonjë tjetër. Edhe kërkues të huaj, si F. Nopça (Nopcsa), H. Lui (Louis), F. Markgraf, E. Dèrham (Durham), L. Rej (Rey), L. Ugolini, Z.Valentini etj., dhanë ndihmesën e tyre të çmuar për zhvillimin e studimeve shqiptare, duke çuar më tej traditën e studimeve albanologjike të shek. XIX. Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore dhe më pas, u hulumtuan jo vetëm gjuha, etnologjia e historia e Shqiptarëve, por edhe gjeologjia e pasuritë natyrore, relievi, bimësia dhe u bënë hulumtime e gërmime arkeologjike. Në këto hulumtime e studime filluan të merrnin pjesë e të bashkëpunonin edhe specialistët shqiptarë që po përgatiteshin në universitetet e huaja. Gjuha shqipe dhe historia, arti e letërsia, traditat dhe kultura popullore, qenë fushat kryesore të kontributit të tyre vetjak. Kjo veprimtari shkencore nisi të marrë formën e vet më të plotë dhe të zhvillohej më tej gjatë viteve ’30-’40, kur mjaft intelektualë të shkolluar jashtë vendit, hodhën themelet e studimeve shqiptare si: Gjergj Pekmezi, Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Eqrem Çabej, Bilal Golemi, Gjovalin Gjadri, Hasan Ceka etj.

Një përpjekje e parë për të organizuar veprimtarinë shkencore u bë me krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare (1940), por në kushtet e luftës dhe të pushtimit, ky institucion nuk mundi të realizonte nxitjen dhe zhvillimin e kërkimeve shkencore. Pas Çlirimit të vendit u ngrit Instituti i Studimeve (1946), i cili u riorganizua si Institut i Shkencave (1948), dhe u bë vatra e parë e kërkimeve dhe e veprimtarisë shkencore të organizuar. Më 1957, u krijua Universiteti i Tiranës, i cili përfshiu edhe Institutin e Shkencave dhe hodhi bazat për përgatitjen e kuadrit shkencor për të gjitha fushat në vend. Duke filluar nga fundi i viteve ’60 të shek. XX e më pas, për të përballuar një problematikë gjithnjë e më të gjerë, u ngrit një rrjet institucionesh shkencore më të specializuara për fusha të veçanta, disa prej tyre me theks me të spikatur zbatues. Puna e tyre hulumtuese është pasqyruar në një varg revistash shkencore në gjuhën shqipe e në gjuhë të huaja, si dhe në përmbledhje joperiodike. Deri në vitin 1972, në vendin tonë vepronin 25 institucione kërkimore-shkencore. Në këto kushte, u bë e domosdoshme ngritja e Akademisë së Shkencave si një institucion kërkimor-shkencor kombëtar.

Kështu, më 10 tetor 1972, me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor, u vendos krijimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Mbledhja e parë e Asamblesë së Akademisë së Shkencave u mbajt më 25 janar 1973. Prof. Aleks Buda u zgjodh Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Midis themeluesve të saj spikatnin shkencëtarë të shquar si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Petrit Radovicka, Kolë Popa etj. Në fillimet e saj, Akademia kishte 17 anëtarë të rregullt dhe 5 anëtarë korrespondentë; ajo funksiononte me një varg institutesh të shkencave shoqërore dhe albanologjike, si dhe të shkencave natyrore e teknike. Deri në fund të viteve ’80, mbi veprimtarinë shkencore ndikuan një varg kufizimesh të karakterit jashtëshkencor, kryesisht të natyrës politike e ideologjike. Ato cenonin, sidomos fushën e shkencave shoqërore; kërkimet akademike impononin gjykime apriorí, bëheshin pengesë për vlerësime objektive të disa arritjeve shkencore bashkëkohore e për zbatimin e tyre. Lidhjet ndërkombëtare të shkencëtarëve shqiptarë, pjesëmarrja në veprimtari ndërkombëtare, shkëmbimet shkencore dhe akademike, ndonëse nuk mungonin, ishin mjaft të kufizuara si pasojë e izolimit të vendit dhe të klimës politike. Studimet shkencore të kryera nga institutet e Akademisë së Shkencave kanë zgjidhur një varg problemesh të rëndësishme të lidhura me njohjen e historisë, gjuhës e kulturës së popullit shqiptar; njohjen e natyrës e të pasurive natyrore të vendit; futjen dhe përdorimin e metodave dhe të teknologjive të përparuara në prodhimin industrial e bujqësor; përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit e të shëndetit të popullsisë etj. Në fillim të vitit 2008, pas një reforme në kërkimin shkencor, institutet shkencore u shkëputën nga varësia e Akademisë.

akademia _shkencave

Sot Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka marrëdhënie bashkëpunimi me akademi shkencore kombëtare të rajonit dhe më gjerë në botë si: me akademinë e Austrisë, Britanisë së Madhe, Bullgarisë, Egjiptit, Italisë, Kinës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Polonisë, Rumanisë, Rusisë, Sllovenisë, Turqisë. Bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është shumë i ngushtë; me këtë institucion realizohen shumë veprimtari dhe studime të përbashkëta. Akademia e Shkencave e Shqipërisë është anëtare e disa organizmave shkencorë ndërkombëtarë si: Federata Europiane e Akademive Kombëtare të Shkencave (ALLEA); Grupimi Interakademik (IAP); Akademia e Mesdheut; Akademia Europiane e Arteve, Shkencës dhe Lëndëve Humane; Akademia Botërore për të Drejtat e Njeriut; Qendra e Studimeve të Vendeve të Detit të Zi; Këshilli Ndërakademik për Europën Juglindore.

Akademia sot përbëhet nga këta anetarë:

ANGJELI Anastas – Ekonomi
BAÇE Apollon – Arkeologji
BEQIRAJ Gudar – Matematikë-Informatikë
BULO Jorgo – Letërsi
BUSHATI Salvator – Gjeofizikë
DADO Floresha – Letërsi
DOJA Albert – Antropologji
FRASHËRI Neki – Matematikë-Informatikë
FUGA Artan – Sociologji
GRUDA Nazim – Bujqësi
HAXHIMIHALI Dhimitër – Kimi
KAÇANI Jorgaq – Mekanikë
KASTRATI Adnan – Mjekësi
KONGOLI Fatos – Letërsi
LIKA Ethem – Gjuhësi
MERKOÇI Arben – Kimi
META Beqir – Histori
PETRO Petraq – Matematikë
RESULI Bashkim – Mjekësi
SPAHIU Xhevahir – Letërsi
TOLE Vasil – Muzikologji
VANGJELI Jani – Biologji
VILA Floran – Fizikë

Kryetar
Muzafer KORKUTI
N/Kryetar
Gudar BEQIRAJ
Sekretar Shkencor
Vasil S. TOLE