Nga Pjerin Logoreci /

Abaz Tahir Hoxha
Inxinier elektronik, Studjues dhe Historian i Kinematografisë

Abaz_Hoxha
Abaz Hoxha (Foto nga Pjerin Logoreci)

Lindi në Tragjas, Vlorë më 14 prill 1930. Rrjedh nga një familje tradicionalisht intelektuale dhe patriotike, i jati i tij, Tahir Abaz Hoxha (1898-1974) mësues dhe drejtor shkolle në shkollën e parë shqipe në Vlorë, të themeluar nga Jani Minga, si dhe si mësues në shkollën Tregëtare të Vlorës, pjesëmarrës në Luftën e Vlorës (1920) komandant çete, shok dhe bashkëpuntor me Jani Mingën, Avni Rustemin, Hysni Lepenicën, Isuf Luzaj etj. U burgos për 18 vjet nga regjimi i Enver Hoxhës në burgun e Gjirokastrës dhe më vonë në Burrel.
Abazi u përfshi në lëvizjen antifashiste që në moshën 14 vjecare dhe mori pjesë në repartet partizane nga prilli i 1943-shit deri në çlirimin e atdheut. Kreu shkollën fillore në Tragjas dhe të mesmen në shkollën Teknike në Tiranë (ish Shkolla Teknike Harry Fulz), u diplomua si Teknik i mesëm ndërtimi (gjeometër) në vitin 1949. Studimet e larta i kreu në Pragë, Rep.Ceke dhe u diplomua si inxhiner elektronik në vitin 1954. Paralelisht kreu një kurs pasuniversitar dy-vjeçar për Teknikën e Studiove të Radios, Filmit dhe Televizionit e posaçërisht për optikën dhe akustikën. U emërua fillimisht si inxhiner zëri dhe për 10 vjet (1956-1965) kryeinxhiner i Kinostudios “Shqipëria e Re”. Më vonë, për 7 vjet (1966-1973), si drejtues i sektorit të kinemave, përkthimit dhe shpërndarjes së filmave. Nga viti 1972-1990 themeloi dhe drejtoi Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit.

Abaz Hoxha është Pedagog i Akademisë së Arteve dhe i Akademisë “Marubi” të Filmit dhe Multimedias ku jep lëndën e Historisë së Kinematografisë Botërore dhe Shqiptare. Anëtar i Redaksisë së Arteve dhe Arkitekturës në Akademinë e Shkencave për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, Anëtar i Këshillit Shkencor të AQSHF, Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe fitues i dy çmimeve në konkurset Kombëtare letraro-artistike, publicist dhe autor i mbi 150 shkrimeve të karakterit problemor dhe hartues i Enciklopedisë së parë të Artit.

kinemaja-shqip

Ka veprimtari të gjerë si:
Veprimtari pedagogjike, inxhinerike, studimore dhe kërkimore shkencore, publicistike, krijuese letraro-artistike,
Eshtë autor i 20 librave të botuara për kinematografinë shqiptare dhe të huaj dhe figurave të shquara të tyre si:
1.- Teknika e Kinoprojeksionit (bashkautor, 1969, 440 f, me ilustrime)
2.- Akustika e mjediseve të brendëshme (1970, 150 f, me ilustrime, për ndërtimin e sallave të kinemave dhe kinoteatrove).
3.- 4.-The International Directory of Cinematographers set and Costume Designer in Film (pjesët për Shqipërinë në dy vëllime 1983,1986 botuar nga Federata Ndërkombëtare e Arkivave të Filmit në Londër, Paris, New York, Berlin)
5.- Filmi Artistik Shqiptar 1957-1984 (1987, 370 f me ilustrime).
6.- Arti i Shtatë në Shqipëri vëll.I 1900-1944, 170f, me ilustrime, 1994).
7.- Enciklopedi e Kinematografisë Shqiptare (botim i parë 1999-400 faqe me ilustrime).
8.- “100 vjet kinema në trevat Shqiptare (2002, 400f,me ilustrime).
9.- “Enciklopedi e Kinematografisë shqiptare (botim i dytë i plotësuar,2002, 540 f,me ilustrime).
10.- Greta Garbo-Vajza që u kthye në legjendë-(2002, 70f, me ilustrime).
11.- Kinematografia e vendeve Skandinave (80f, me ilustrime, 2002).
12- Ne u shkolluam në Pragë (2003, 160f me ilustrime).
13- Histori Arti (bashkautor me M.Zeqo, A.Hado, J.Papagjoni, 202f, 2003).
14.- Kinematografia Shqiptare shqip-anglisht 1985-2005 (666f, me foto B/Z dhe me ngjyra, 2004).
15.- Historia e Kinematografisë Botërore 1895-1945, vëllim i parë (210 f,me ilustrime,2005).
16.- Historia e Kinemase ne Shqiperi-vellimi i I 1897-1944 (408 f, me ilustrime, 2007)
17.- Ne gjurme te filmave per Shqiperine/nga puna kerkimore ne disa arkiva evropiane/128 f,me ilustrime, 2007).
18.- Shqiptarët në kinematografinë botërore (420f me foto, 2008)
19.- Historia e Kinematografisë Botërore vellimi i dytë 1945-2005, 264f, me foto
20.- Na ishte një herë një kinostudio (kujtime)

Ka në proces të pabotuar:
1.- 2.- Vellezerit John dhe James Belushi
3.- Historia e Kinematografisë shqiptare Vëll.II 1945-2000
4.- Berlin, Aleksander Platz (kujtime)
5.- Dallgët e trazuara të jetës (shënime autobiografike)
6.- Intervista dhe dosje 1990-2006
7.- Artikuj kritikë (problematike e ndryshme)
8.- Kur hedhim vështrimin mbrapa (shënime historike, opinione, kritikë, mendime)
9.- Mrekullia e artit të shtatë (përmbledhje shkrimesh në organet e shtypit për kinematografinë botërore dhe figura të shquara të saj)

Abaz Hoxha jeton në Tiranë.

Shiko bisedën Historia e Kinemasë në Shqipëri