Një kafe me z. Abaz Hoxha, historian dhe studjues i Kinemasë
– Këtë kafe mund ta pinim si zakonisht duke biseduar për problemet e përditëshme por sot po e shfrytëzojmë për një bisedë për hapat e parë të kinemasë botërore
– Dakort, për dicka do të bisedojmë, zëre se sot po jap mësim në Akademinë e Arteve.
– Apo Akademinë e Filmit Marubi…
– Po
– Atëherë në fillim një pyetje të përgjithëshme! Si lindi kinemaja?
Kinemaja është pasojë e një sëri zbulimesh në fushën e fizikës, kimisë dhe, padyshim, rrjedhojë e zhvillimit të pandërprerë të fotografisë. Ajo ishte rezultat i progresit të përgjithëshëm shoqëror, i revolucionit tekniko-shkencor dhe industrial, por edhe i koncepteve estetike për artet polisintetike.
Përpjekjet e para për shpikjen e aparatit kinematografik të marrjes dhe shfaqjen e figurave në perde janë bërë shumë vjet me radhë nga studiues në vende të ndryshme, gati paralelisht nga Edison në Amerikë, vëllezërit Skladanovski në Gjermani etj.
Por autorësinë e lindjes së kinemasë e morën vëllezërit August dhe Luis Lymier, të cilët shfaqën publikisht para spektatorëve në një sallë, më 28 dhjetor 1895 në Paris, filmat që kishin e xhiruar vetë. Këta në mënyrë private kishin shfaqur filma që në mars 1895, por para publikut dolën vetëm në dhjetor 1895, në sallën Grand Caffe në Bulevard de Capysen, prandaj ata i quajmë autorë të këtij arti.
Filmat e vëllezërve Lumier ishin të shkurtër deri në 17m, që paraqisnin ngjarje nga jeta e përditshme të fiksuara në film si: dalja e punëtorëve nga uzinat Lymier, ushqimi i fëmijës në një kopsht në natyrë, zjarrfikësat etj. Por filmi që zgjoi më shumë interes, dhe panik njëkohësisht, ishte filmi “Mbërritja e trenit në stacion”. Ata e kishin xhiruar trenin duke u afruar dhe spektatorët u ngritën të llahtarisur nga salla, duke vrapuar jashtë, sepse iu duk sikur treni hyri në sallë.
Filmat e vëllezërve Lymier ishin ngjarje të ditës, marrë nga jeta reale.
– Këto pra ishin filmat e parë që ishin një pamje e realitetit, kishin pak të bënin me artin, por cili ishte hapi i dytë, poqese e quajmë kështu?
Kinemaja mori nje zhvillim nga Zhorzh Melie, një iluzionist, që futi në kinema truket, iluzionet. Rolin e magjistarit e luante vetë dhe, meqë për xhirimin e këtyre filmave u përdorën disa korridore të shtëpisë së tij, filmi nga natyra u zhvendos brenda, në atelie. Melie, krahas filmave iluzionistë, xhiroi edhe disa filma komedi fantastiko-shkencore. Pra, ai qe i pari që futi fantazinë në botën e kinemasë. Melie ishte prodhues, regjisor, skenarist, skenograf dhe, herë pas here, edhe interpretonte vetë në filmat e tij. Ai bëri shumë filma të ndërtuar mbi truket, por filmi që e bëri të njohur, ishte “Njeriu me katër kokë” (1898), që njihet edhe si “Njeriu me kokë prej kauçuku”, ku magjistari ndërronte kokën disa herë. Në vitet 1896-1914 ai xhiroi rreth 500 filma, por filmi i tij më i njohur ishte “Udhëtim në Hënë” (1902), sipas tregimeve fantastiko-shkencore të Zh. Vernit. Ky ishte një film mjeshtëror në truke, në fotografi, ku kombinohej aksioni i gjallë me sekuencat e animuara. Një kryevepër për kohën.
Në vitin 2011 për Melies u bë një film i bukur “Hugo”.
Stili dokumentar i vëllezërve Lymier dhe fantazia teatrale e Zh. Melie shpunë drejt filmit të interpretuar nga aktorë, të zbuluar nga Edvin S. Porter, i cili shpesh quhet “babai i film-tregimit” (filmit artistik). Duke punuar në studiot e Edisonit, ai xhiroi filmin më të madh të kohës, “Rrëmbimi i madh në hekurudhë” (1903), një film që zgjat afro 12 minuta, i cili ndikoi në një shkallë të madhe në zhvillimin e filmit artistik për shkak të disa zbulimeve. Këto zbulime kishin të bënin me ndërlidhjen e disa planeve (skenave) të xhiruara në kohë dhe vende të ndryshme, për të dhënë një tregim të njësuar. Për ndërtimin e këtij tregimi E. Porter përdori montazhin, që ishte një nga mjetet kryesore për përcaktimin e gjuhës së filmit. Me montimin, pjesë të zgjedhura të celuloidit (filmit) bashkohen me njëra-tjetrën për të arritur një qëllim të caktuar, që të përpunohet mendimi dhe emocionet e shikuesve, për të arritur shkallën e dramaticitetit të aksionit. Ai njihet edhe si filmi i parë Western.
Ky film, që pati sukses të madh në publik, ishte njëkohësisht përpjekja e parë për ta shndërruar filmin në një art masiv e njëkohësisht në një biznes fitimprurës.
– Kinemaja si art kolektiv kërkon një organizim të madh prodhuesit, shpërndaresit, kinematë, kur ajo u bë industri?
Që pas viteve 1900 u krijua shoqëria e parë kinematografike franceze Pate. Vëllezërit Pate kuptuan se kinemaja ishte një spektakël që mund të sillte fitime të mëdha, prandaj ndërtuan atelietë, laboratorët dhe sallat e shfaqjeve që kishin programe të rregullta. Prodhimi kinematografik u bë industri dhe shfaqjet e filmave një zbavitje popullore.
Suksesi nxiti producentët që filmi të shndërrohet nga një shpikje teknike në një industri fitimprurëse.
Në ditët e para të kinemasë, shfaqjet e filmave të Lymierëve dhe bashkëkohësve të tyre bëheshin në vende të ndryshme, në natyrë (panaire), në kafene, hotele etj. Nga viti 1906, si në Evropë ashtu edhe në Amerikë, filloi ndërtimi i kinemave. Në vitin 1906 u ndërtua në Paris kinemaja e parë me emrin “Omnia-Pathe”, më 1907 u ndërtua një kinema në Lankashir të Londrës dhe pas vitit 1912 shumica e qyteteve kryesore evropiane dhe amerikane kishin kinema luksoze. Në Amerikë shfaqjet e para u dhanë në mjediset e uzinave e të qendrave të mëdha punëtore. Në vitin 1908 kishte rreth 10.000 qëndra për shfaqje filmash, me një frekuentim javor rreth 20 milionë spektatorë, duke u bërë kështu një burim i madh të ardhurash. Shumica e tyre u vendosën në qendrat punëtore të qyteteve kryesore, ku kishte shumë emigrantë, shumica e të cilëve nuk flisnin anglisht dhe filmi u bë një mjet i rëndësishëm argëtimi për ta.
Ky sukses i nxiti pronarët se mund të kishin fitime më të mëdha, nëse ata i prodhonin, i shpërndanin dhe i shfaqnin filmat vetë. Kjo çoi në suksesin e Hollivudit. Pjesa sunduese e industrisë amerikane të filmit, deri në këtë kohë (1910), ishte vendosur në bregun lindor të ShBA-së dhe në Çikago. Shpërngulja në Hollivud filloi më 1910, si pasojë e detyrimeve të vendosura nga Motion Picture Patents Company (MPPC), një grup prej 10 personash në shkallë ndërkombëtare, duke përfshirë T. Edison dhe Zh. Melie, të cilët gëzonin të drejtën ekskluzive për të xhiruar filma dhe për të dhënë liçensat për shpërndarjen e tyre. Në vitet 1909-1912 të gjitha aspektet e industrisë filmike kontrolloheshin nga ky trust, që drejtonte të gjithë prodhuesit e lëndës së parë (celuloidit), xhirimin dhe shpërndarjen e filmave. Ata limitonin gjatësinë e filmave në një ose dy akte, sikurse drejtonin edhe rrjetin e kinemave. Ky trust u shpërbë kur prodhues të pavarur në Evropë dhe në Amerikë krijuan studiot e tyre prodhuese dhe shpërndarëse. Në këtë mënyrë lindi sistemi i studiove. Ata nuk e limitonin gjatësinë e filmit (metrazhin) dhe shpërndanin edhe filma të gjatë.
Kalimi në Hollivud (1910) i industrisë së filmit amerikan ofroi natyrën, klimën, diellin, shkretëtirën e pafund, të gjitha që duheshin për xhirimin e filmave, sikurse edhe kosto më të ulët të prodhimit të filmit.
U profilizuan disa dhjetëra studio private. Prodhimi u decentralizua dhe tashmë nuk varej më nga një trust, trusti i patentave. Disa producentë të pavarur, si Tomas Inc, Sesil B. de Mij dhe Mak Senet, ngritën studiot e tyre. U krijua një sistem pjesor (në grupe xhirimi), ku prodhimi ishte i decentralizuar, duke mundësuar xhirimin paralel të disa filmave nga grupe të veçanta që nuk përgjigjeshin drejtpërsëdrejti nga drejtuesit e studiove. Prodhimi u rrit shumë, deri qindra filma në vit, pjesa më e madhe e të cilëve ishin komedi dhe disa melodrama. Shumë filma ishin me kauboj, ku dolën në pah aktorë që u bënë popullorë, si Tom Tyler etj.
– Pra popullariteti sidomos i aktorëve, që shiheshin nga masa, u rrit derisa këta u bënë të famshëm “yje” sic i quajmë sot?
Los Anxhelos i dha filmit kushtet ideale të xhirimit, ndërsa industria kinematografike e bëri Hollivudin të pasur dhe të famshëm. Me pasurinë lindi edhe sistemi i “yjeve”. Për herë të parë aktorët dhe aktoret u bënë objekt i një publiciteti të shfrenuar. Dolën termat e reja Biograph Girl ose Vitagraph Girl. Pagesat e aktorëve u rritën në mënyrë virtuale dhe nga viti 1918 “Yjet” e Hollivudit merrnin mbi një milion dollarë në vit. Aktorët filluan të mbizotërojnë e të kontrollojnë prodhimin e filmave dhe u shndërruan në producentë. Ata u grumbulluan në shoqëri filmike. Një nga shoqëritë më të fuqishme ishte United Artists (“Artistët e bashkuar”, 1919), ku bënin pjesë Çarli Çaplin, Meri Pikford, Dejvid Grifit dhe Daglas Ferbanks.
Artistët u kthyen në perëndi dhe perëndesha. Hollivudi u bë një fabrikë e ëndrrave, që filloi të ndikonte në të gjithë opinionin botëror. Mijëra emigrantë nga e gjithë bota shkuan drejt Hollivudit. Vetëm në vitet 1918-19 mbi 18.000 vajza të bukura nga e gjithë bota shkuan në Hollivud me shpresën për t’u bërë “yje”. Ky u bë një nga kontigjentet më të mëdha të fitimit për biznesmenët. Tematika ishte e lehtë, përfundimet ishin gjithnjë të lumtura, sikurse edhe shumë filma Western dhe me kauboj që tërhiqnin më shumë spektatorë.
– Ndërkohë çfarë bëhej në Evropë?
– Filmat e parë ishin ekranizime të thjeshta dhe kamera vendosej në një pikë të palëvizur, duke i parë ngjarjet si një spektator që ndodhet në mesin e sallës së teatrit. Në këtë periudhë u bënë shumë përpjekje për ta ngritur filmin në rangun e arteve të tjera dhe për ta shkëputur përfundimisht nga koncepti i teatrit. Për të rritur vlerat artistike të filmit, u zgjodhën aktorë të njohur që kishin bërë zë në teatër, sikurse u bënë edhe shumë ekranizime të veprave të shkrimtarëve të mëdhenj, të cilat u shpeshtuan në periudhën e filmit me zë (mbas vitit 1930).
Në vitin 1907 u krijua në Paris shoqëria “Film d’Art” nga aktorë të njohur të “Komedisë Franceze”, si aktorja e madhe Sarah Bernardt etj. Kjo shoqëri u përpoq t’i japë filmit vlera estetike si nëpërmjet interpretimit të aktorëve të njohur, ashtu edhe duke bashkëpunuar me piktorë të dëgjuar në krijimin e dekoreve. Për këtë qëllim imitoheshin tablo të piktorëve me famë, si Rubens etj. Po kështu, i kushtohej vëmendje e madhe ndërtimit të dekoreve, kostumografisë etj. Por edhe këto ishin mjete të jashtme. Ata përsëri filmonin shfaqjen teatrale (si Zonja me Kamelie etj.) nga një pikë fikse në sallë, njëlloj sikurse e ndiqte spektatori në teatër. Kamera ishte e palëvizshme. Dramaticiteti i aktorëve të teatrit, që nuk ishin mësuar të interpretonin para kamerës, shikimi i ngjarjes në një kënd të ngushtë brenda mureve të skenës, shprehjet e sforcuara të aktorëve, ishin dukuri anakronike për mundësitë e reja që jepte kinemaja. Vetë natyra e filmit kërkonte një çlirim të aktorëve nga interpretimi teatral dhe përgjithësisht u deshën mjaft përpjekje për ta shkëputur filmin nga koncepti i teatrit.
Një rol të rëndësishëm dhe një vend nderi në historinë e kinemasë zuri në këtë kohë kinemaja daneze, si në realizimin e një numri të madh filmash, ashtu edhe në figurat e shquara në regji dhe interpretim. Aktorja daneze Asta Nielsen hoqi dorë nga teatri për t’u bërë artistja e parë e madhe e kinemasë. A. Nielsen, V. Psilander etj. dijtën të mbajnë një qëndrim të natyrshëm para kamerës. Ata kishin një ndjenjë më të zhvilluar se kolegët e tyre të vendeve të tjera, në lidhje me “Shprehjen Kinematografike” dhe e vendosën kinemanë daneze në pararojë të krijimtarisë kinematografike botërore, ndonse ajo ende nuk i kish kapërcyer kufijt e skenës.
Drejt kësaj tendence, për të dalë nga kornizat e skenës së ngushtë të teatrit dhe në veçanti në përdorimin e mundësive të mëdha që jepte aparati çudibërës kinematografik, bëri një hap të madh përpara kinematografia italiane, me xhirimin e superprodhimeve me dekore vigane dhe tepër të shtrenjta, me skena masive njerëzore, si ato në filmat Quo Vadis? (1912), Cabiria (Regjia G. Pastrone, 1914), Ditët e fundit të Pompeut etj. Këta filma të përmasave të mëdha frymëzuan regjisorin amerikan D.U.Grifit të realizonte filmin e tij më të gjatë deri atëherë, mbi tri orë, mbi Luftën Civile në Amerikë “Lindja e një kombi” (The Birth of a Nation, 1915).
Regjisori danez Stelan Rye xhironte filma në Pragë (Studenti i Pragës, 1913) për llogari të një shoqërie gjermane. Po këtë vit u xhirua në studiot gjermane të Neues Babelsbergut, si dhe në Luzanë, në breg të liqenit të Komos, edhe komedia e artit “Fati i zi” (“Das Shwarze Los”) me një interpretim të shquar të aktorit të madh shqiptar Aleksandër Moisiu. Në Francë u xhirua filmi i gjatë “Gjerdani i mbretëreshës”(1912).
Kamera mori rolin e reporterit ajo nuk ishte më një vëzhgues pasiv i vendosur në një pike fikse. Ky ishte një hap i madh përpara për shndrimin e filmit në një art. Zëri në film ishte një revolucion i vërtetë në kinema. Hapa të mëtejshme si kinemaja me perde të gjerë, kinemaja tredimensionale, zëri stereofonik dhe kërkimi i mjeteve të tjera shprehëse të sotifiskuara etj, do ta shndrronin filmin në një art polisintetik magjepsës por edhe në një industri komplekse…
– Faleminderit Abaz, mirupafshim në takimin tjetër.
– Mirupafshim Pjerin!