Nga Ramadan Bozhlani /

Shpresa e mëshirës kaloj nga një fytyrë tek tjetra dhe nga një vit tek një vit tjetër deri sa u ligështua nga forca morale dhe u dergj nga lëngata. Moralistët hoqën dorë me keqardhje dhe dëshpërim nga teoritë e tyre, atdhetarët u zhgënjyen, ndërsa vetëm ata që këmbëngulen në përndezjen e fantazisë luksoze në kushte mjerane siç janë politikanët kryelartë, mbetën të poshtruar karshi atyre që me dhimbje vendosën të shpërgulen nga trualli arbëror i ushqyer me gjakun fisnik. Shtëpitë e arnuara nga plagët e luftës sot po ndërrojnë titullar, e disa të tjera po e përjetojnë aktin fatal, mbylljen e dyerve me shtat dryna. Pytjeve të trishta të mësimdhënësve: kush mungon sot?
Ju përgjigjen me zë të përvajshëm nxënësat: ata më të zellshmit që i shikonim si e ardhmja e vendit, kanë marrë rrugën për emigrim!
Familje, shkolla, lagje, qytete dhe vendlindje lamtumirë se shpresa po na zhvendos në toka të tjera përmes udhëve të torturushme. Ndarjet e këtilla tepër të vështira po e ujitin me lotët e dhimbjes tokën për të cilën u flijuan në emër të lirisë.

braktisje
Shtatë vjetori i pavarësisë do t’i gjente nëpër përrenj, nëpër male dhe nëpër rrugë të dërrmuar, të lagur, të baltosur, të frikësuar, të tmerruar dhe me ankthe, në shtetin e atyre, që qenien tonë kombëtare e torturuan, e dhunuan, e masakruan, e pushkatuan dhe u munduan me të gjitha forcat akademike, diplomatike, politike dhe ushtarake te ç’banojnë nga trualli amnor e me kënaqësi edhe nga ky planet, por, motivet e ikjes janë edhe më tragjike: kafshata e bukës, shërimi i sëmundjeve dhe e ardhmja e fëmijëve. Edhe familjarët e të zhdukurve udhëtojnë për të njëtat arsyje nëpër ato rrugë dhe mund të shkelin mbi eshtrat e familjarëve të tyre sepse ai shtet mban peng eshtrat e afërsisht dy mijë të zhdukurve. A ka gjë më të rëndë nën këtë qiell se sa kur familja shkel mbi eshtrat e familjarit të zhdukur nga lufta, dhe ai atje nën tokë klith nga gëzimi se familja e tij mbi tokë erdhi për t’ia kthyer eshtrat në vendlindje, por ata mbi tokë i shqetësojnë edhe një mijë brenga të tjera dhe nxitimthi mundohen ta kalojnë territorin e atij shteti që i ka hapur plagë të pashërushme. Klithja në formë të pytjes e nxjerrur nga eshtrat e të zhdukurve nga nën toka e Serbisë e çan dheun dhe i ndjek pas: kush po ju detyron ta braktisni atdheun, për të cilin ne u flijuam ?!
“Kafshatë që s’kapërdihet është or vëlla mjerimi, kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi”, Migjeni përmes kësaj fraze shtrin fuqinë e fjalës poetike për ta kapur dramaticitetin e mjerimit të njeriut shqiptar edhe në vitin 2015-të. Vetëm për një çast të mundohemi t’i ndjejmë shumë prindër kur fëmijët e tyre kanë nevojë për shërim, para për kontrolle mjeksore dhe barna duhet t’i sigurojnë duke trokitur nëpër porta të shumta. A nuk është ky një terror emocional për çdo nënë e baba?! E ka edhe shumë situata të tjera që të ngjethin e zemrën njerëzore e coptojn në mijra pjesë. Shqetësimet e pafund dhe të pandashme prej shumë vitesh shumicën e popullit e orientuan drejt një vendimi të tillë fatal, dhe përballë këtij vendimi kushdo e në veçanti ata që ishin përgjegjës për mirëqenien e tyre privohen nga e drejta morale për ta vënë para përgjegjësisë këtë karavan njërzish të rrënuar moralisht. Ky fenomen po i trondit edhe eshtrat nën varre por siç duket shqiptarët të cilët po kërkojnë me vendosmëri të ardhmen, i kanë mbyllur veshët e stërlodhur nga broçkullat dhe s’ka njeri që i spraps dhe t’i rikthehejë në botën e tyre të çveshur nga shpresa dhe ëndrrat, nëpër sofrat e tyre ku kryepjata është e mbushur me lëng dhe nëpër ambientet e tyre ku më shumë zotron terri se sa drita.
Gjysma e qeverisë së sotshme mbart mallkimin dhe përgjegjësinë për këta lotë të derdhur të dhimbjes sepsa ajo ishte në krye të tyre përgjatë tetë viteve. Le të marrë inciativën fisnike për t’ja konfiskuar pasurinë atyre që u pasuruan në korriz të popullit dhe për t’i rehabilituar këta njerëz që do të kthehen më varfanjakë se sa ishin. Ndërsa kryeministri le të marrë një inciativë tjetër fisnike duke u kërkuar pagat e gjashtë mujorshit të paralizës institucionale deputetëve si dhe uljen e rrogave të tyre në emër të rehabilitimit të këtyre të mjerëve.
Shpresa kthehet me plane konkrete që kanë synim fonde për mirëqenien e tyre, e jo me deklarata të thata dhe foshnjore, se tek e fundit ju do të mbartni mallkimin historik për humbjen e dinjitetit të këtij populli fisnik.