Luigj Gurakuqi u lind në Shkodër më 19 shkurt 1879 në një familje tregtare shkodrane, nga Pjetër e Leze (Tereza) si fëmija i katërt i kësaj familje.
Shkollën fillore e të mesme i ndoqi në Kolegjin Saverian në degen tekniko-tregtare, deri më 1897 dhe e plotësoi arsimin e mesëm në Kolegjin arbëresh e Shën-Mitër Koronës, ku pati mësues De Radën, që e frymëzoi për tërë jetën; ishte nxënësi i parë shqiptar aty.
Diplomën e pjekurisë e mori në Kozencë për shkenca natyrore, por aty ndoqi dhe kurse të veçanta në filozofi. Vijoi studimet universitare në Napoli në Fakultetin e Mjeksisë në vitet 1901-1906 ku njohu Zef Skiroin, profesorin e arbërishtes në Institutin Oriental të Napolit.

Kur ishte njëzet vjeç u bë pjesë shoqërisë “Bashkimi” të Abat Doçit, ku ishte i vetmi anëtar civil. Për shkak të ideve e veprimtarisë së tij pati probleme me autoritetet turke më 1904, për këtë aresye u detyrua te largohet më 1905 për t’i shpëtuar ndjekjeve. Pas shpalljes së Kushtetutës u falen të gjithë ç’kishin bërë faje politike. Më korrik 1908 u kthye në Shkodër.
Në nëntor 1908 merr pjesë në Kongresin e Manastirit, ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Bashkë me Fishtën ishte përfaqësues i “Bashkimi”-t, me Logorecin kishin mandat të përfaqsonin inteligjencën shkodrane, gjithashtu vetë Luigji kishte mandat të përfaqsonte arbëreshët e Italisë.
Shkroi alfabetet e miratuar nga Kongresi i Manastirit dhe i zbuloi para delegatëve.
Në tetor të 1909 u emërua drejtor i Normales që u hap në Elbasan, ku ndihmoi për vënien e arsimit mbi baza kombëtare. U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentet e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve.

Por nga gjendja politike e krijuar u detyrua të largohet nga Elbasani, jashtë shtetit bashkë me Aqif pashë Elbasanin.
Në prill 1911 Gurakuqi merr pjesë në kryengritjen e Mbishkodrës e si një nga udhëheqësit e saj, së bashku me Ismail Qemalin hartoi Memorandumin e Greçës. Më 1912 zhvilloi një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, duke qenë i pranishëm në Toskëri dhe më vonë edhe pranë krerëve të Kosovës.

Shoqëroi Ismail Qemalin në mbledhjen e Bukureshtit, dhe në shtegtimin nga Bukureshti në Vienë. Me vaporrin e dhënë nga austro-hungarezët zbret në Durrës më 24 nëntor në orën 4 mbasdite, u nisën për në Vlorë ku mbërritën më 27 nëntor në darkë.

Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, Gurakuqi u zgjodh Ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza.
Më 1913 mori pjesë në Konferencën e Londrës, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin.

Në Luftën I Botërore, Shkodra pushtohet nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi u internua në Podgoricë nga 17 korriku 1915 deri në janar 1916. Gjatë pushtimit austro-hungarez, prej konsullit Kral, Gurakuqi vihet drejtor i përgjithshëm i Arsimit.
Gurakuqi ishte një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916.
Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Durrësit ishte përfaqësues i Shkodrës dhe Mirditës.
Më 1921-1924 u zgjodh deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar.
Në qeverinë e Nolit u emërua ministër i Financave. Mori pjesë në Konferencën e Gjenevës krahas Nolit më 1924.
Pas rënies së qeverisë së Nolit shkoi në Itali.

Mbrëmjen e 2 marsit 1925, në restorantin e hotelit “Cavour”, Luigj Gurakuqi po darkonte me dy miq të tij Riza Dani me bashkëshorten Makbule dhe vëllai i tij Dan Hasani.
Duke dalë nga restoranti u godit nga 3 plumba. Ndërroi jetë në Bari, 2 mars 1925.
Në ceremonime mortore në Barit shkuan shume shqiptarë. U mbajtën fjalime prej bashkëshortes së Sotir Gjikës, zonjës Lilli Quarta, Ll. Fundos, B. Valterit H. Prishtina etj. Miku i Gurakuqit, Gjon Kamsi ruajti veshjen me të cilën ishte veshur kur u vra.

Më 1957 eshtrat e tij u rivarrosën në Shqipëri.
Regjimi komunist kohës i dha titullin Hero i Popullit.

Veprat:
(Gurakuqi shkroi edhe me pseudonimet Marosh Ujka, Jakin Shkodra, Lek Gruda, Pjetri dhe Pali, Hamidi).

  • Abetare nga Luigj Gurakuqi (Lek Gruda), Bukuresht, 1906
  • “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frengjisht n’marim” botuar në Napoli më 1906.
  • “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet” Bukuresht
  • “Fjalorth Shqyp-Frengjisht e Frengjisht-Shqyp i fjalëve të reja” Napoli etj.
  • Autor e bashkautor, 8 tekste mësimore me një vëllim prej 738 faqesh.(Ka merita të shquara në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe, në përpunimin e gjuhës letrare dhe në njësimin e shqipes së shkruar, në stabilizimin e drejtshkrimit, në pasurimin e fjalorit, në çështjet e leksikologjisë, terminologjisë e të gramatologjisë. Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tone).

Gurakuqi përveç shqipes, zotëronte latinishten, italishten, turqishten dhe frëngjishten, njihte greqishten e gjermanishten.

Është ndër hartuesit kryesorë të programit arsimor e kulturor të levizjes kombëtare për autonomi, liri e pavarësi. Ai ishte njohësi dhe propaganduesi më i mirë i traditave të popullit tonë, i traditave kulturore e patriotike, i traditës gojore e shkrimore dhe i psikologjisë së popullit shqiptar.

Disa nga veprat e krijimet e veta, L. Gurakuqi ia kushtoi Gjergj Fishtës, Prenk Doçit, Hilë Mosit e Mati Logorecit. Por edhe Gurakuqit i drejtohen mjaft dedikime e përkushtime nga Filip Shiroka, Hilë Mosi, Gjergj Fishta. (dedikon vepren “Pika e voeset”).

Luigj Gurakuqi
Ministër i Arsimit
4 dhjetor, 1912 – 22 janar, 1914
Drejtor i Përgjithshëm, më pas Ministër i Arsimit
janar 1916 – 29 janar, 1920
Ministër i Brendshëm
6 dhjetor – 12 dhjetor 1921
Ministër i Financave
16 prill – 27 maj, 1924
16 qershor – 24 dhjetor, 1924