Frang-Bardhi
Frang Bardhi

Relacionet e ipeshkvit Frang Bardhi janë integruar në përbledhjen e hartuar nga Injac Zamputi, Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë veriore dhe të mesme në shek. XVII (1634-1650), Tiranë, 1965, ose janë botuar pjesërisht nga Tonin Çobani, Frang Bardhi dhe relacionet e tij, Zagreb 2006. Këtu kemi perzgjedhur disa pjesë nga përshkrimet e ipeshkvit.

1. Autonomia

Relacionet e Bardhit pohojnë vetëqeverisjen e disa zonave shqiptare nga popullsia lokale, ndonëse nën sundimin e konsoliduar osman. E tillë ishtë Zadrima, e cila sipas ipeshkvit qeverisej “si një republikë” (Zamputi, f. 205; Çobani, f. 129, relacioni ‘Zadrima dhe zadrimorët’), ngaqë kishte këshillin e pleqve. Kuvende më të gjera mbaheshin disa herë në vit dhe “drejtoheshin nga ipeshkvit”. Banorët e Zadrimës i kishin rimarrë pronat e kishave, pas një dekreti perandorak ose duke i blerë me gjysmë çmimi (Zamputi, f. 115). Ndërsa banorët e zonave të Pukës, për shembull, “nga kujdesi i pakët i tyne, i kanë lanë kishët e veta me u rrëzue” (Çobani, f. 93, relacioni ‘Puka dhe pukjanët’).

2. Marrëdhëniet njerëzore

Në relacionet e ipeshkvit bie në sy normaliteti i dhunës, nga të gjitha planet: osman dhe vendas, madje deri edhe kishtar. Ai i kishte shpëtuar për mrekulli një “atentati” të organizuar nga disa klerikë të dioqezes së Sapës, mbase nën urdhrin e xhaxhait të tij, Gjergj Bardhit (Zamputi, f. 173).

“Mehmet Çaushi, aga i Lezhës, epirotas nga Zadrima, mblodhi në një ditë 500 pushkatarë, gati të gjithë të krishtenë shqiptarë […], dhe shkoi gjatë natës në Trebunë […], dogji shtëpitë, mori 5 skllavë dhe vrau 6 burra” (Çobani, f. 94, relacioni ‘Puka dhe pukjanët’).

“Ves fligshtie, sodomie dhe kamate të padrejtë nuk ka në Pukë, por nuk janë pa vrasje e pa grabitje. E quejnë të zotin atë që ia del me vjedh” (Ibidem, f. 91).

“Ata të Gashit e të gjithë popujt banues të maleve të Dukagjinit, pa nevojë vjedhin njen tjetrin […], e pastaj me qenë se nuk ka drejtësi […] ata vetë e marrin hakun, dhe nuk marrin aq sa u ka qenë marrë […]. Vrasin njeni tjetrin, qoftë kur shkon ndoshta për të vjedhë ose kur, tue udhetue së bashku, s’ka si me ia marrë armën apor petkun për pa e vra […]. Pothuej të gjithë çka kanë në shtëpi janë gjana të marruna turqve dhe të krishtenëve” (Çobani, f. 108-109, relacioni ‘Pulti dhe malësorët’).

3. “Moda”, përditshmëria

“Burra e gra, ma të shumtën, janë me shtat të mesëm, janë të nximë prej diellit, sepse nuk barin kësula, e lanë mjekrën sipas natyrës, por e rruejnë kryet ashtu si e rruejnë mjekrën italianët. Dukagjinasit lanë në majë të kokës pak flokë që të rriten një pëllamë gjatë a ma tepër” (Çobani, f. 90, relacioni ‘Puka dhe pukjanët’).

“Shqiptarët rrijnë për një kohë të gjatë në tryezë, nga mesdita deri në mbramje, ose që prej mbramjes deri në mesnatë; jo se hanë vazhdimisht, por tue pie e tue kuvendue. Kanë arsyetimet e gjykimet e tyne të natyrshme sa i japin përgjegje çfarëdo filozofi […]. Edhe 10 vllazën po të jenë, të gjithë martohen dhe pastaj […] ia nisin grindjet mes tyre […]. Shqiptarët padisin njeni tjetrin pranë turqve” (Çobani, f. 149-150, relacioni ‘Zadrima dhe zadrimorët’).

3. Feja

“Popujt e Pukës janë shumë pak të përshpirtshëm në kultin e zotit: shumë pak gjenden që ta dijnë Besojmën, Atynën dhe Falemimërinë. Kur të kenë shkue tri herë në vjet me pa meshë, nuk kujdesen ma me shkue, as nuk u pëlqen që meshtari të shkojë tek ata. Disa i mbajnë do festa, të tjerë jo […]. Kanë frikë shumë të madhe nga çkishërimi aq fort sa nuk besoj të ketë në botë një popull që ta ketë frike ketë censurë sa shqiptari. U asht mbushë mendja në mënyrë të sigurtë se po ta çkishërojë ndokënd ose ndonjë popull lumënia e tij [papa], fëmija dhe bagëtia do të qelbeshin dhe çdogja do të zinte krymba […]. Nuk duen kurrë t’i japin femijët e vet për me nxanë që me u bamë priftën” (Çobani, f. 77-78, relacioni ‘Puka dhe pukjanët’).

“Besojne se turqit dhe sekta muhamedane shelbohen, dhe na jemi nën turqit e nuk mundemi me e thanë haptas dhe me ua heqë këtë nga mendja” (Ibidem, f. 89).

“I kanë disa bestytni këta popuj, dmth, që mos me pre n’e prende asgja, as thojt e dorës, mos me huajtë gja askujt n’atë ditë, mos me la petka n’ulishtë […], me e mbajtë festë” (Ibidem, f. 93).

“Turqit në Pukë e në Zadrimë i kanë marrë gratë e veta të krishtena, disa i kanë grabitë, disa ua kanë dhanë fëmijë prindja e tyne e disa kanë pëlqye vetë tue thanë se nuk e dinin se ishte kundër ligjes së krishtenë. Une […] ua kam mohue sakramentet [ketyre grave], kurse ato i kerkojne me lutje […]. Dhe burrat e tyne turq thonë se, po nuk deshëm me ua dhanë sakramentet, do t’i bajmë me e mohue besimin katolik” (Ibidem, f. 91-92).

“Për sendet shpirtnore janë shumë të paaftë dhe shumë trashamanë (Çobani, f. 99, relacioni ‘Pulti dhe malësorët’). “Kur pastaj kreva meshën dhe krezmimin […] erdhi kreu Mengu [kryeplaku i fshatit Gash në zonën e Pultit] me disa të tjerë tue murmurue e tue turfllue e më thanë se atë që kishëm thanë në fjalim ishte e pamundun që ata ta zbatonin me qenë se n’asnjë mënyrë nuk mund të rrinin pa vjedhë, pa vra atë që u vret farefisin, pa e shpërblye të keqen me të keqe” (Ibidem, f. 102).
A.C.

Shenim nga Gazeta Vatra
Kur Frang Bardhi thote “turqit”, a ka fjalen per shqiptaret muslimane, sipas kohes se tij shqiptaret musliman i quanin edhe “turq” ndersa katoliket vetem katolike.