Sipas organizatës me qendër në Uashington D.C. transfertat e paligjshme gjatë 2013-ës përbëjnë vetëm një fraksion të 1.2 miliardë dollarëve të cilat besohet se janë transferuar jashtë vendit nga viti 2004 deri në vitin 2013.
Sipas studimit nga Shqipëria në vitin 2012 u transferuan drejt vendeve të treta 36 milion dollarë, dhe në vitin 2011 vlerësohet që këto transferta kapën shifrën 255 milionë dollarë.
I titulluar, “Transfertat e Paligjshme nga Vendet në Zhvillim 2004-2013,” studimi i cili u publikua të mërkurën tregon se në 2013 transfertat e paligjshme arritën shumën e 1.1 trilion dollarëve. Kjo shifër shënon një rritje dramatike nga viti 2004 kur transferimet e paligjshme ishin 465.3 miliardë dollarë.
“Ky studim në mënyrë të qartë tregon që transfertat e paligjshme janë një nga problemet më të dëmshme me të cilën përballen vendet në zhvillim,” tha Presidenti i GFI-së Raymond Baker, i cili konsiderohet një autoritet mbi krimin financiar.
Transfertat e paligjshme të identifikuara nga GFI janë transferime kapitali jashtë vendit, kryesisht drejt vendeve me taksa më të ulëta. Në këtë kapital përfshihen transferta jashtë vendit të parave që vijnë nga burime tregtare ose para që janë krijuar nëpërmjet krimit dhe korrupsionit.
Sipas raportit të GFI-së transfertat e paligjshme nga vendet në zhvillim, të marra në totral përbëjnë 4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të tyre.
Në shtatë nga 10 vitet e marra në studim nga raporti transfertat e paligjshme nga vendet e varfra tejkalonin vlerën ndihmës së huaj dhe investimeve të huaja direkte në këto vende.
Sipas raportit nga viti 2004 deri në vitin 2013 të paktën 7.8 trilion dollarë u transferuan në mënyrë të paligjshme nga vendet në zhvillim./birn/