Më 1 korrik të vitit 1643  vdiq ipeshkvi imzot Frang Bardhi, shkrimtar i letërsisë së vjetër shqiptare.

Frang Bardhi lindi në Kallmet të Lezhës në vitin 1606.

Studioi në kolegjin kishtar të Loretos në Itali dhe në atë të Propaganda Fides të Vatikanit në Romë. U emërua ipeshkëv në dioqezën e Sapës. Krahas misionit e punës meshtarake e pastaj ipeshkvnore, imzot Frang Bardhi pati një kujdes të veçantë për kultivimin e kulturës shqipe dhe përparimin e popullit shqiptar, e kështu zhvilloi edhe veprimtari të dendura letrare dhe shoqëroro-politike.

Frang-Bardhi
Frang Bardhi

Ipeshkvi imzot Frang Bardhi u mor me përkthimin e veprave katekistike, liturgjike e fetare nga italishtja e latinishtja në shqip për formimin shpirtëror të besimtarëve të krishterë. Por imzot Frang Bardhi njihet edhe si leksikografi i parë shqiptar, si historian i folklorit e si etnograf. Që kur ishte student në kolegj pat filluar të shkruajë në latinisht vepra që më vonë e bënë të njohur.

Disa prej tyre janë: Dictionarium latino – epiroticum (1635, Romë ), (“Fjalori latinisht – shqip” dhe “Skënderbeu” (1636, Venedik) (Apologji). Këto vepra e lidhin atë me humanizmin. Siç përmendem Imzot Bardhi njofton vetë se ka përkthyer edhe libra fetarë të liturgjisë, katekizma e tjerë, të cilët sot nuk njihen, dhe se ka shkruar disa relacione për viset shqiptare, të cilat kanë vlerë historike.
Në veprimtarinë e tij shoqëroro-politike imzot Bardhi do të jetë në radhët e para të atdhetarëve që i përkushtohen luftës për t’u çliruar nga zgjedha e huaj osmane, zhvillimit dhe përparimit të vendit e të gjuhës shqipe.

Gjendja e mjeruar e popullit shqiptar nën sundimin e egër osman, dëshira e përpjekjet për ta ndihmuar atë që të shpëtonte nga kjo robëri, ishin shqetësime që e mundonin vazhdimisht bariun shpirtëror imzot Bardhin. Kjo duket edhe në relacionet që ai i dërgonte herë pas here Papës e Propaganda Fides në Vatikan.