Nga Kastriot Myftaraj /

kastriot_myftaraj

Kurthet juridike që ka ndërtuar Federata e Futbollit e Serbisë ndaj Shqipërisë për “ndeshjen” e 23 tetorit në tryezën e UEFA

(Mbi deklaratën e Federatës së Futbollit të Serbisë për ndeshjen Serbi-Shqipëri)

Që të nesërmen e ndeshjes së ndërprerë Serbi-Shqipëri, Federata e Futbollit e Serbisë ka nxjerrë një deklaratë prej 1474 fjalë në anglisht, që përmban thelbin e argumenteve që do t’ i adresojë Serbia UEFA-s për të kërkuar fitoren e ndeshjes në tryezë, 3-0. Prandaj është e nevojshme që kjo deklaratë të analizohet deri në detaje. Deklarata duket se është shkruar me kontributin e një grupi të përbërë nga juristë, ekspertë të ligjeve dhe rregulloreve sportive ndërkombëtare të UEFA-s dhe FIFA-s, nga ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare në rrafsh politik, ekspertë policorë, të inteligjencës etj. Më tepër se një deklaratë e një federate sportive, kjo është deklarata e formuluar nga një kancelari shtetërore, është një dokument që tregon kohezionin mes autoriteteve sportive dhe atyre politiko-shtetërore në Serbi. Në deklaratën serbe analizohet dhe sqarohet në mënyrë të detajuar dhe në pikëpamje shumëplanëshe, sportive, politike, gjeopolitike, policore, të inteligjencës, çdo detaj i diskutueshëm i ndeshjes dhe i ndodhive pas ndërprerjes së saj. Nga deklarata zbulohet se çfarë kurthesh, në rradhë të parë juridike, i kanë ngritur serbët Shqipërisë në ballafaqimin para Trupit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA, në 23 tetor.

Kurthi kryesor juridik që ka ngritur Serbia është ai se banneri i zbritur në fushë me një objekt fluturues nuk kishte si pjesë të tij flamurin shqiptar, në qendër, por baneri në tërësi, banneri, me hartën, sfondin e zi dhe portretet brenda sfondit të zi, është flamuri i një shteti joekzistues, por të aspiruar nga shqiptarët, që quhet Shqipëria e Madhe. Ky është në rradhë të parë një kurth për lojtarët tanë të cilët u përleshën me lojtarët serbë për të mbrojtur flamurin shqiptar që gjendej në pjesën qendrore të bannerit, e pastaj edhe për krejt përfaqësuesen shqiptare. Në deklaratën serbe bëhet fjalë për “a provocation from the opponent’s side, started by entering a flag of non-existing so-called ‘Great Albania”.

Pra ideja e serbëve është që t’ i thonë trupit gjykues të UEFA-s:

“Lojtarët shqiptarë u bënë shkak që të shkallëzohet tensioni në fushë dhe në stadium, se ata i sulmuan lojtarët serbë që ishin duke larguar bannerin, ashtu që të mund të vazhdonte loja. Meqënëse lojtarët shqiptarë thonë se u fyen nga mënyra se si serbët po e trajtonin bannerin, atëherë për lojtarët shqiptarë ky banner në fakt ka vlerën e një flamuri të një shteti që shqiptarët aspirojnë të krijohet, prandaj ne serbët nuk gabojmë kur e quajmë krejt bannerin flamur shtetëror, të një shteti që nuk ekziston por që shqiptarët aspirojnë ta krijojnë duke destabilizuar krejt Ballkanin.”

Atëherë trupi gjykues i UEFA do të kthehet dhe do të pyesë palën shqiptare, domethënë Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke i treguar bannerin, që tashmë e zotëron UEFA: “Përse luftuan lojtarët shqiptarë dhe zyrtarët e Federatës suaj në fushë për ta mbrojtur këtë banner? Ky nuk është flamuri shqiptar të cilin ju e keni depozituar pranë FIFA dhe UEFA? Ju shqiptarët e shikoni këtë baner si flamurin tuaj?”

Nga përgjigjia e saktë e kësaj pyetjeje, varet shumëçka sa i përket vendimit që do të marrë UEFA. Pala shqiptare duhet të përgjigjet se lojtarët dhe zyrtarët e saj nuk e mbrojtën bannerin në tërësi si flamur, por për shkak se në pjesën qendrore të tij gjendej flamuri shqiptar. Dhe kjo është e vërteta. Asnjë nga lojtarët shqiptarë që luftuan për të mbrojtur bannerin nuk e do bashkimin e Sanxhakut me Shqipërinë. Edhe unë kur kam folur për flamur kam pasur parasysh pjesën qendrore të bannerit. Ndryshe UEFA do t’ i japë një dënim të rëndë Shqipërisë, që mund të shkojë deri në përjashtimin nga ky kompeticion i Euro 2016.

Dinamika e ngjarjeve që ka çuar në ndërprerjen e ndeshjes, ka qenë kështu sipas palës serbe (po e citoj drejtpërdrejt në anglisht, siç është përmbajtja e tekstit të shpërndarë nga pala serbe):

“Match suspension was in the 41st minute, upon appearance of the mentioned flag that came from outside of the stadium, carried by a drone and as such found itself in the space foreseen for the game. Appearance of the object is a well-planned political diversion.

It will turn out that it was the only and key reason for definite abandonment of the match that came later on. Referee Martin Atkinson stopped the match, expecting for the object to be removed. The act that the referee stopped the match was a clear sign that it had to be removed immediately.

At one moment, Serbian player Stefan Mitrović managed to catch the flag and, as it can be clearly seen on all the footages, started to fold it as calmly as possible, in order to give it to the fourth official and for the match to be continued. Absolutely all of the Serbian players and officials on the bench were in their seats, calm and without any attempt to show force or rage because of the incident. However, Albanian players acted very aggressively and physically attacked Mitrović.”

Nga versioni serb i ngjarjes, dalin disa pyetje-kyçe të cilat FSHF duhet të kërkojë që t’ i adresohen palës serbe për përgjigje, nëpërmjet Trupit Disiplinor të UEFA-s. Meqënëse si Presidenti i UEFA Platini, ashtu dhe Presidenti i Serbisë Nikoliç kanë folur të dy për rrezikun që minicopteri të bartte një bombë, madje Nikoliç duke bërë një aluzion krahasues me atentatet e 11 shtatorit 2001 në SHBA, atëherë nuk mund të mos bëhet pyetja: Si shpjegohet që lojtari serb Stefan Mitroviç guxoi të kërcente për ta kapur bannerin, kur kjo mund të bënte të shpërthente bombën që supozohej të mbante minicopteri? Pse lojtarët serbë nuk u dukën aspak të shqetësuar nga ky rrezik? Pse edhe vetë Policia Serbe nuk u duk aspak e interesuar për objektin fluturues, aq sa edhe kur nisën trazirat në fushë, asnjë polic serb nuk ndërhyri për ta shtënë në dorë objektin fluturues. Minicopteri jo vetëm që hyri në stadium i papenguar, por ai edhe u largua që andej pasi e kishte kryer misionin dhe mundi të bjerë në dorën e Policisë Serbe vetëm pas dy ditëve. Merret vesh, lojtarët serbë qenë në dijeni se objekti fluturues ishte i parrezikshëm. Të gjitha këto janë prova të qartë se kemi të bëjmë me një operacion të shërbimeve të fshehta serbe që e dërguan minicopterin në stadium dhe e larguan prej andej, sikur në stadium dhe përreth tij të mos kishte fare kontroll policor. Nëse lojtarët serbë kishin si qëllim që ta largonin banerin nga fusha për të vazhduar ndeshja, përse kundërshtuan që t’ ua dorëzojnë atë lojtarëve shqiptarë, të cilët kërkonin që ta merrnin për t’ ia dorëzuar arbitrit? Konflikti në fakt nisi kur lojtarët serbë refuzuan që t’ ua dorëzojnë banerin lojtarëve shqiptarë.

Këto pyetje duhet që UEFA, me kërkesën e FSHF, t’ ua adresojë autoriteteve shtetërore të Serbisë. Aq më tepër që në deklaratën e Federatës së Serbisë nuk mungohet të jepet edhe një version se kush është autori i dërgimit të objektit fluturues në stadium. Në deklaratën serbe thuhet: “It is devastating and also easily seen through that even the Albanian Prime Minister himself spoke, he, whose brother allegedly was directly responsible for taking the drone into the stadium!”

Por, ndonëse në deklaratën serbe flitet gjerësisht në terma të hetimit policor dhe të inteligjencës, mbi atë që ndodhi, madje thuhet edhe se dyshohet që të ishte vëllai i Kryeministrit të Shqipërisë, i cili e pilotoi në largësi objektin fluturues për ta dërguar në stadium, megjithatë nuk thuhet asgjë se nga dhe si mundën shqiptarët që ta dërgojnë objektin fluturues në stadium duke kapërcyer vrojtimin dhe kontrollin policor. Policia ka njësi të posaçme për interceptimin e objekteve të tillë dhe kjo gjë mund të bëhej lehtësisht, se minicopteri ishte shumë i thjeshtë. Çelësi i enigmës së gjithë asaj që ka ndodhur në Beograd mbrëmjen e 14 tetorit është se kush e dërgoi objektin fluturues në stadium, si mundi të hyjë dhe madje të largohet ai.

Në deklaratën e Federatës së Futbollit të Serbisë nuk mungohet që të përdoret edhe një argument të cilin Serbisë ia kanë ofruar turmat e idiotëve të dobishëm shqiptarë, aleatët e pavetëdijshëm historikë të Serbisë në hapësirën shqiptare. Në deklaratë thuhet: “Also, do not forget organised festivities in the countries of the region after the last night’s match was abandoned, when the mentioned flag and abandoned match were celebrated.”

Serbët këtu e kanë fjalët për festimet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, nga ana e shqiptarëve. A e kuptojnë tani të gjithë ata të cilët u gëzuan, u ndjenë krenarë dhe festuan publikisht me bujë në sheshe dhe në rrjetet sociale për dërgimin në stadiumin e Beogradit me minicopter të bannerit, se kanë bërë thjesht lojën e Serbisë dhe i kanë shërbyer asaj?

Deklarata serbe përmbyllet me një fjali që është një përmbledhje në stilt ë lartë e gjithë përmbajtjes së saj: “Summarizing all, FA of Serbia are aghast by the seen provocation and are afraid that this is scenario of a terrorist action planned in advance, above all directed against interests of our country, Republic of Serbia.”

Në krahasim me deklaratën zyrtare të Federatës së Futbollit të Serbisë, deklarata e FSHF është e mjerueshme. Deklarata serbe është shumëplanëshe. Ndonëse autorët e saj shtiren se qëllimi i tyre kryesor është të sqarojnë atë që ka ndodhur në stadiumin e Beogradit në 14 tetor, në fakt qëllimi i tyre kryesoj është që të shtjellojnë ide politike dhe gjeopolitike. Në fakt deklarata është një shembull i përdorimit politik të futbollit të sabotuar për këtë qëllim. Në deklaratë nuk mungojnë as kërcënime të tërthorta por të qarta ndaj UEFA-s. Në deklaratë thuhet:

“At the same time, we warn UEFA that, sadly, something like this can also happen on other stadiums all around Europe and future safety measures should also foresee this new “Albanian way” of acting against football and all parties involved.”

Nëse UEFA nuk e dënon Shqipërinë për këtë që ndodhi në Beograd në 14 tetor, thonë serbët, atëherë do të bëhet një sport në llojin e vet dërgimi i droneve me banera politikë luftënxitës në stadiumet europiane.

Prandaj është e nevojshme që së pari Federata e Futbollit e Shqipërisë të nxjerrë pa vonesë një deklaratë ku ngjashëm me deklaratën serbe të sqarohet në mënyrë të detajuar dhe në pikëpamje shumëplanëshe, sportive, politike, gjeopolitike, policore, të inteligjencës, çdo detaj i diskutueshëm i ndeshjes dhe i ndodhive pas ndërprerjes së saj. Armand Duka nuk duhet ta marrë lehtë këtë histori, se më e keqja ende nuk ka ardhur. Nesër nuk mund të mbrohet dot me “trimat” e “Klanit të Zemunit” të Durrësit pozita e Presidentit të përjetshëm të FSHF që i la hapësirë Serbisë të mundë Shqipërinë në ndeshjen e 23 tetorit në fushën e tryezës së UEFA. Në deklaratën që duhet të nxjerrë pa vonesë FSHF duhet të sqarohet së pari përzierjen e lojtarëve shqiptarë në konfliktin për banerin. Së dyti, të denoncohet dërgimi i objektit fluturues me baner si një provokacion shtetëror serb. Por këtë gjë duhet ta bëjë pikësëpari shteti shqiptar, zyrtarisht, duke iu përgjigjur akuzave të homologëve serbë. Nuk ka arsye pse të tregohet përmbajtje tashmë kur Serbia ka akuzuar drejtpërdrejt shtetin shqiptar për dërgimin e objektit fluturues në stadium. Shqipëria duhet t’ i kërkojë zyrtarisht UEFA-s që Serbia të dënohet për përdorimin e një ndeshjeje futbolli për të kryer një operacion shtetëror të diversionit politik ndërkombëtar. Meqënëse vetë Presidenti i UEFA Platini ka fantazuar mbi atë që do të ndodhte nëse minicopteri do të bartte një bombë, atëherë pala shqiptare ka të drejtë që t’ i kërkojë UEFA-s t’ ju kthejë përgjigje të gjithë pyetjeve që dalin mbi objektin fluturues që hyri dhe doli nga stadiumi me aq lehtësi sa Platini dikur i bëri tre gola Jugosllavisë në ndeshjen për Euro 1984 të luajtur në Francë.