Published On: Wed, Dec 20th, 2017

Haxhi Zeka, udhëheqës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare

Luftëtar dhe organizator i kryengritjeve antiosmane në Kosovë.
Haxhi Zeka lindi më 20 dhjetor në fshatin Shoshan të Malësisë së Gjakovës prej nga u shpërngul me familjen në Pejë.

haxhi_zeka1

Haxhi Zeka

 

Ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga luftëtarët më të vendosur për autonominë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e tërësisë së saj territoriale. Në Kuvendin e parë të Lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Mori pjesë, si komandant ushtarak, në krye të forcave të Lidhjes në aksionin e Gjakovës, në shtator 1878 kundër Mehmet Ali Pashës. Krahas udhëheqësve të tjerë politikë e ushtarakë të Lidhjes luftoi në fund të 1879-ës dhe në fillim të 1880-ës për mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Në pranverën e vitit 1881 mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së Dervish pashës.

Së bashku me Sulejman Vokshin më 1884-1885 udhëhoqi kryengritjet antiosmane të shqiptarëve të Kosovës, që synonin të rimëkëmbnin Lidhjen dhe të vinin në jetë idetë e saj autonomiste. Më 1893. Haxhi Zeka me Bajram Currin organizuan kryengritjen që përfshiu Pejën, Gjakovën e vise të tjera të Kosovës kundër dhunës ekonomike e politike të sunduesve osmanë. Për veprimtarinë e tij atdhetare, më 1893 u thirr ne Stamboll ku u mbajt i arrestuar deri në vitin 1896.

Më 1896-1900 u vu në krye të luftës së popullit shqiptar për autonominë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. Ai udhëhoqi qëndresën e armatosur popuIlore që shpërtheu në Kosovë në vitin 1897 dhe themeloi “Besëlidhjen shqiptare”. Më 23 janar 1899 në Pejë u mblodh një kuvend i madh, ku morën pjesë rreth 500 vete të ardhur kryesisht nga vilajeti i Kosovës, si dhe përfaqësues të vilajeteve të Manastirit e të Janinës. Në këtë kuvend, që vazhdoi 6 ditë, u formua lidhja e re shqiptare që u quajt Lidhja e Pejës ose Besa-Besë. Kryetar i saj u zgjodh Haxhi Zeka, i cili edhe i drejtoi punimet e kuvendit. Në vendimet e Kuvendit të Pejës (Kararnameja prej 11 pikash), si detyrë kryesore shtrohej lufta kundër çdo orvatjeje të Serbisë, të Bullgarisë, të Greqisë dhe të Malit të Zi për copëtimin e tokave shqiptare. Rryma patriotike e kryesuar nga Haxhi Zeka shtroi edhe çështjen e autonomisë, por, për shkak të rrezikut të copëtimit dhe qëndrimit të elementëve konservatorë e turkomanë, ajo nuk u përfshi në vendimet e para. Në vendime kërkohej që Lidhja të formonte degët e saj dhe të shtrinte veprimtarinë në gjithë Shqipërinë. Kuvendi shpalli gjithashtu Besën për një vit, me qëllim që të ndërpriteshin hakmarrjet, grindjet etj.
Pas formimit të Lidhjes, Haxhi Zeka dhe patriotët e tjerë, brenda dhe jashtë atdheut, bënë përpjekje për ta shtrirë atë edhe në krahinat e tjera. Si rrjedhojë, Lidhja e Pejës u shtri në Shqipërinë e Veriut, në Shqipërinë e Mesme dhe pjesërisht në Shqipërinë e Jugut. Njëkohësisht u bënë përpjekje për të organizuar një kuvend të përgjithshëm shqiptar, ku do të miratohej programi kombëtar i Lidhjes. Me anë të shtypit shqiptar dhe të thirrjeve drejtuar popullit kërkohej bashkimi rreth Lidhjes së Pejës dhe programit për autonomi. Pa marrë parasysh kundërshtimet e Stambollit dhe pengesat e Fuqive të Mëdha e të qarqeve shoviniste fqinje, Haxhi Zeka i vazhdoi përpjekjet për forcimin e Lidhjes gjatë gjithë vint 1900 derisa ushtria osmane e shtypi atë.

Më 21 shkurt 1902 Haxhi Zeka u vra në Pejë.