Nga Ilir Ikonomi /
(nxjerrë nga arkivi amerikan)
Më 10 janar 1925, ministri amerikan në Tiranë, Ulysses Grant-Smith, njoftoi Departamentin e Shtetit për një seri telegramesh të shkëmbyera mes Federatës Panshqiptare Vatra në Boston, kolonel Ahmet Zogut dhe Fan Nolit.
Ishte koha kur Zogu sapo qe kthyer në Shqipëri nga Jugosllavia, pas një periudhe gjashtëmujore, kur në krye të qeverisë kishte qenë Fan Noli. Vendi kishte pak më shumë se një dekadë që ishte shpallur i pavarur, periudhë gjatë së cilës nuk kishte gjetur dot qetësi nga luftrat dhe rebelimet e njëpasnjëshme. Noli, i cili fillimisht kishte shkuar në Shqipëri si përfaqësues i Vatrës, tani e shihte veten të përmbysur nga rivali i tij kryesor politik, Ahmet Zogu.
Grant-Smith nuk e thotë se si i ranë në dorë telegramet. Ato janë pa datë, por janë shkruar mes 25 dhjetorit 1924 dhe 5 janarit 1925. Ato janë dëshmia e parë e afrimit të Vatrës me Ahmet Zogun.
TELEGRAM I VATRËS PËR FAN NOLIN
Megjithëse qeveria e kryesuar prej jush nuk ka lidhje me Vatrën përveç jush si person dhe, duke patur parasysh faktin që ajo është sjellë më keq kundrejt Vatrës se sa qeveria e Zogollit, pasi nuk ka përfillur asnjë këshillë dhe ka qenë në kundërshtim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me krejt programin tonë, ne ju urojmë sukses në rezistencën tuaj, por besojmë se asgjë nuk do të arrihet, sepse ju nuk keni as unitet dhe as fonde, armë ose municione. Nga ana tjetër, qeveria juaj nuk mbajti zgjedhje në korrik, siç këshilluam ne, prandaj në sytë e botës ajo nuk ka asnjë bazë ligjore dhe është po aq e parregullt dhe rebele sa ajo e Zogollit. Nëse mendoni se rezistenca juaj do të ketë sukses, urojmë të jetë kështu. Nëse nuk ka shpresë, do të ishte mëkat të vazhdohet lufta dhe të derdhet gjak më kot. Prandaj dëshirojmë t’ju këshillojmë kompromis me mercenarët me qëllimin që të shpëtohet vendi nga një luftë civile vdekjeprurëse, aq më tepër që ju e dini fare mirë se shumica e pasuesve tuaj nuk kanë ndonjë ide më të mirë ose më të lartë për qeverisjen se sa njerëzit e Zogollit. Kompromisi mund të arrihet mbi bazën e mëposhtme: Të dyja forcat mbajnë pozicionet e tanishme. Një komitet prej tre delegatësh nga qeveria e Vlorës dhe tre nga ajo e Tiranës fillojnë menjëherë mbikqyrjen e zgjedhjeve parlamentare. Për sistemin e zgjedhjeve mund të bihet lehtë dakord, sepse të dyja qeveritë kanë treguar se janë kundër sistemit demokratik të votimeve të përgjithshme, të fshehta dhe të drejtpërdrejta. Kërkojmë ndjesë për këto udhëzime, por edhe ne përfaqësojmë një pjesë të opinionit publik dhe prandaj kemi të drejtën të flasim në raste të tilla. I njëjti propozim i është paraqitur edhe Ahmet beut në këtë moment. Me konsideratë të lartë për personin tuaj. Vatra.
TELEGRAM PËR ZOGUN I FAIK KONICËS, PRESIDENT I VATRËS
Kam qenë dhe jam kundërshtari juaj, por duke ditur se jeni i zoti për mirëkuptim, sugjeroj të ndërmerret hapi i përmendur në telegram.” (fjala është për telegramin e Vatrës dërguar Nolit.)
PËRGJIGJA E AHMET ZOGUT PËR VATRËN
E mora telegramin tuaj. Kemi ardhur në Shqipëri për të rivendosur rregullin, i cili ishte tronditur nga rrënjët. Qëllimi ynë është të neutralizojmë ushtrinë dhe oficerët e saj duke u treguar atyre vendin, që ata të mos krijojnë trazira, siç kanë bërë deri tani. Imzot Noli dhe njerëzit e tij ikën nga kryeqyteti pa qenë të zotët të qëndrojnë as në Vlorë. Ne nuk i refuzojmë këshillat e mira nga patriotët e sinqertë, sepse ideali ynë është bashkëpunimi me patriotët e përgjegjshëm dhe të vërtetë me qëllim krijimin e një Shqipërie të pavarur. Ju mund të jenë kundërshtari ynë nëse ne nuk ndjekim ligjin dhe arsyen. Ushtria ime është mjaft e fortë dhe e rregullt. Jemi të mendimit se asnjë ushtri tjetër nuk do të kishte mundur të hyjë fitimtare kaq paqësisht sa kjo ushtri. Askush nuk u lëndua, nuk pati vandalizma dhe akte mizore. Ne u mirëpritëm me sinqeritet kudo dhe shpresojmë që së shpejti të jemi në rrugën e suksesit. Zyrat qeveritare vazhdojnë punën. Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në të ardhmen e afërt dhe votimi do të jetë i lirë. Rroftë Shqipëria! Kolonel A. ZOGU Komandant i Përgjithshëm i Operacionit.
TELEGRAM I VATRËS PËR AHMET ZOGUN
Morëm kabllogramin tuaj. Jemi të kënaqur nga fjalët e bukura të shkruara në të dhe shpresojmë që fjalët të bëhen vepra. Kur të bëhen vepra, ne nuk do të jemi më kundërshtarët tuaj.
Vatra