Arben Shehi u lind në qytetin e Shkodrës më 19 shtator 1954, në një prej familjeve më të vjetra e më në zë të qytetit, me tradita të spikatura historike, intelektuale dhe shoqërore. Në qytetin e lindjes mbaroi shkollën e mesme “Jordan Misja”, më pas diplomimit për arkitekturë më 1977, për një kohë relativisht të gjatë i kushtohet projektimit arkitektonik dhe kërkimit shkencor të fushës (1979 – 1993), si dhe angazhimit akademik (lektor korrespondent) në Fakultetin e Arkitekturës (1984 – 1993), në Universitetin Politeknik Tiranë, dhe Këshilltar i Presidentit të Republikës per Zhvillimin Urban, Mjedisin dhe Turizmin.
Është po kështu i spikatur angazhimi i tij në jetën publike, në një numër artikujsh mbi arkitekturën, politikat ekonomike dhe të zhvillimit të qëndrueshëm në vijimësi. Zgjidhet Kryetar i Dhomës së Tregtisë së Shqipërisë (1994) dhe i Dhomës së Tregtisë e Industrisë Tiranë (1995 – 1999). Më pas është nxitës e bashkëthemelues i disa organizatave jofitimprurëse të tematikave të reja në fushën e inovacionit të biznesit, sistemeve të cilësisë dhe të pronësisë intelektuale.
Shehi gjithashtu merr pjesë në disa ekspozita kombëtare të pikturës (1986 – 1990) dhe vetjake. Është zgjedhur në vazhdimësi anëtar i mjaft forumeve profesionale ndërkombëtare.
Ndërkohë, letërsia dhe artet mbeten pasionet e tij të vazhdueshme.
Arben Shehi u nda nga jeta në Tiranë më 9 shkurt 2016
Ka botuar:
“Pika e djersës” – Poezi,
“Rikthimi drejt gjërave që i kam dashur” – Poezi
“Gjysma e heshtjes” – Poezi,
“Kohë për askund“ – Poezi
“Gryka e Pusit” – Roman
“Jeta, kjo mrekulli pa vlerë” – Poezi
“Tempo che non porta da nessuna parte” – Poesie
“Un temps pour null part” – Poems