Intervistë me Elvira Diamantin, një nga aktoret më të njohura të kinematografisë dhe skenës së Teatrit Kombëtar Shqiptar.

 

Nga Adela Kolea /

 

Në jetë, si në një film – veçse në këtë të fundit, me efekte apo ndikim sipërfaqësor tek ne – shpesh na ndodh të rrethohemi nga dy kategori personash:
nga ata, miq e të dashur për ne – protagonistët , për të cilët ndjehemi me fat që jeta na i vendosi në rrugën tonë dhe nga antagonistët apo kundërshtarë tanët , të cilët, do të kishim dëshiruar që të mos i kishim ndeshur kurrë përgjatë jetës.
Në një film – mendoj – një aktor / e, sa më tepër në rolin vetjak , investon nga ndjesitë e natyrshme, spontane që hasim në lidhje me dukuri, ’ personazhe’, pjesë përbërëse të jetës sonë të përditshme, aq më shumë aktori bëhet i besueshëm, i vërtetë, i pëlqyeshëm, real. Aq më shumë e bën publikun për vete, aq më të lehtë e ka interpretimin e rolit të tij, aq më shumë publiku e admiron, e ndjek e rishikon gjithnjë me kënaqësi filma apo pjesë teatrale të tij /saj.
Janë këto interpretime që – besoj se nga ana tjetër – edhe vetë aktorin e pasurojnë , nëse gjen në një rol grimca nga vetvetja – herë më shumë , herë më pak, në vartësi të tipologjisë së roleve e skenarit – e ndihmojnë atë që të njohë edhe më mirë vetveten, duke bërë të mundur njëkohësisht, përmirësimin e një ane çfarëdo negative të karakterit të tij individual, apo duke zbutur ose theksuar anë të tjera që i zbulon instiktivisht nga një interpretim.
Në këtë mënyrë, publiku nga ana e tij, mund të shqiptojë i sigurtë: kemi të bëjmë me një interpretues të denjë, të natyrshëm, që ka lindur për të qenë aktor /e !
Një aktore e tillë e kinematografisë shqiptare, që përmbush karakteristikat e:
të lindurit për të qenë aktore; të perfeksionimit të artit të interpretimit kinematografik e teatral nëpërmjet studimit të rreptë e cilësor; të aktrimit për kënaqësi e pasion e jo për arsye të tjera;
të përcjelljes drejt publikut të një pjese të mirë nga vetja e saj; të dhurimit të emocioneve përkundrejt publikut, të tillë që i bëjnë të mundur të përmendurit edhe në largësi kohore të konsiderueshme nga shumë interpretime të saj; të mishërimit dhe harmonizimit të këtyre cilësive e shumë të tjerave, nën përkufizimin:
aktore që shquhet me veçantinë e meritave të saj në kinematografinë e teatrin shqiptar, është Elvira Diamanti.

Elvira_Diamanti
Elvira Diamanti

Kush është Elvira Diamanti?
Elvira Diamanti është një nga aktoret më të njohura të kinematografisë dhe skenës së Teatrit Kombëtar Shqiptar.
 Karriera e saj artistike përfshin role të ndryshëm nëpër filma apo pjesë teatrale, si :
Radiostacioni ( 1979)
Liri a vdekje ( 1979)
Një shoqe nga fshati ( 1980)
Në prag të lirisë ( 1981)
Shi në plazh ( 1982)
Shokët ( 1982)
Dasma e shtyrë ( 1985)
Shtëpia e Bernarda Albës ( 1985)
Të shoh në sy ( 1986)
Mësuesi i letërsisë( 1986)
Vdekja e Dantonit ( 1986)
Përrallë nga e kaluara ( 1987)
Kush e solli Doruntinën ( 1989)
Muri i gjallë ( 1989)
Dasma e Sakos ( 1998)
Lulet e majit ( 2007)
Ne dhe Lenini ( 2008)

– Përshëndetje Elvira, mirësevjen në Albania News.

– Ju falenderoj, e dashur për ftesën tuaj.
Është kënaqësi për mua të jap intervistë për ty dhe gazetën tuaj ! Shpresoj që ta meritoj vërtetë dashamirësinë tuaj dhe atë të lexuesve tuaj …

– Cila ështe ajo ndjesi që perceptohet nga brenda prej dikujt, e cila i komunikon këtij personi, predispozicionin e tij / saj përkundrejt aktrimit?

– Ndjesia më e parë të arrin vetvetiu sapo mbaron së lexuari skenarin apo dramaturgjinë , ku të është ofruar një rol. Është intuita që të shtyn ta njëjësosh këtë personazh me veten. Dhe padashur, përplasen drejt njeri – tjetrit dy trupa, dy fytyra, dy karaktere: personazhi dhe ti. Mendoj se në çdo rast, mishërimi i një personazhi, merr në pjesën më të madhe, brumë nga vetë aktori.

– Ndërgjegjësimi apo bindja e vërtetë për t’u bërë aktore, në ç’moshë mbërritën për Elvirën ?

– Ka qenë rastësi, fakti që unë luajta rolin tim të parë në film, në moshën 16 vjeçare, dhe ndoshta në atë kohë, nuk e mendoja se ai pasion momenti, do të më përfshinte për gjithë jetën. Natyrisht që shkolla – dhe më vonë – skena apo sheshi i xhirimit, nuk ishin më, thjesht një pasion, por një punë deri në rraskapitje për të qenë sa më i vërtetë .

Perralle
Elvira Diamanti në filmin Përrallë nga e kaluara

– Në periudhën kur frekuentoje Akademinë e Arteve, sa vlerë pati për ty, mësimdhënia nga ana e pedagogëve të atëhershëm ?

– Kam patur gjithmonë respekt për mësuesit e mi, mbase sepse që në klasë të parë, kam patur fatin të kisha një mësuese shumë të dashur e të përkushtuar, ndaj nesh të gjithëve. Ndoshta, zysh Vera, vulosi një marrëdhënie dashurie e respekti për të gjithë mësuesit e pedagogët e mi për gjithë jetën.
Por, nëse do të flisja për pedagogët e mi në Akademinë e Arteve, mund të të them se ishin të shkëlqyer e plot pasion . Na i mësuan sekretet e aktrimit duke na dhënë aq shumë nga vetja. Gëzim Kame, Birçe Hasko, Anastas Kristofori, Drita Pelingu, Timo Flloko. Kemi qenë një brez me fat dhe kemi përfituar shumë prej tyre. Nuk është kurrë tepër për t’u thënë edhe një herë : “faleminderit!”

– Kinematografia apo teatri, kanë dallim preferencial tek Elvira?
- Respektivisht në secilën fushë, roli yt i preferuar që të ka mbetur në zemër ..

– Teatri…apo filmi..nuk e di.
Di të them që janë të ndryshëm. Emocionet që të dhurojnë janë gjithashtu të ndryshme. Nuk dua të them se cilin kam më për zemër, por dua t’ju them që rolin e Doruntinës tek “Kush e solli Doruntinën” të Ismail Kadaresë dhe Mukadesin tek “Dasma e Sakos”, do të kisha preferuar t’i kisha bërë ndryshe.

– Ndërmjet kolegesh aktore: simpati apo antipati, për kë ?..

– Jam natyrë që rrallë ndjej antipati për dikë, dhe me sinqeritet të them se kjo, nuk më ka ndodhur për asnjë aktore apo kolege me të cilën kam ndarë setin e xhirimit dhe skenën.
Simpati…për shumë prej tyre, të cilat i kam ose i kam patur mike : Raimonda Bulku, Matilda Makoçi, Luiza Xhuvani, Marjeta Ljarja, Monika Lubonja..
Janë shumë, ç’të të them.
– Vendosmëria, krenaria dhe karakteri i fortë i Marigosë në filmin “Përrallë nga e kaluara”. 
Sa përputhen me karakterin real të Elvirës?
Nuk e di.
 Eshtë e vështirë të flasësh për veten, ta njohësh veten. Shpesh, ata që na rrethojnë, na njohin më mirë.

– Unë personalisht, mbetem e mahnitur nga interpretimi yt në rolin e Adelës , në pjesën teatrale “Shtëpia e Bernarda Albës”.
Adela si personazh, më e vogla e motrave, më kokëforta, më rebelja, e gatshme për t’ju kundërvënë rregullave të imponuara nga mamaja autoritare.
 Sa ka nga personazhi – Adela, në mënyrën e sjelljes së Elvirës në realitet?

– Të falënderoj që më risjell në kujtesë Adelën. Eshtë personazh shumë i bukur. Adela është rebele, sepse edhe vetë rinia është rebele.
Kur je i ri nuk i pranon dot kollaj prangat .

– Ti ke dy fëmijë të mrekullueshëm. Ndonjëri prej tyre, ka ndjekur rrugën tënde profesionale?

– Është e çuditshme që, asnjëri prej fëmijëve të mi nuk ka shprehur ndonjëherë dëshirën për të qenë pjesë e skenës dhe spektaklit. Ja pra, që ndodh edhe kështu. Por, as unë nuk i kam nxitur për këtë gjë, sepse mendoj që dëshira duhet të vijë së brendëshmi.

– Ç’ këshillë do t’u jepje atyre prindërve, fëmijët e të cilëve janë aspirantë aktorë?

– Unë vetë bëj pjesë tek ata prindër, për të cilët, zgjedhja që bën fëmija në jetë, duhet të jetë e shenjtë.

-Sot ti mbulon rolin e drejtoreshës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. 
Ç’përgjegjësi mbart për ty ky rol ?

– Eshtë një punë shumë e bukur, me një grup njerëzish të pasionuar për filmin dhe të ndërgjegjshëm që puna e tyre ruan mundin e shumë breza kineastësh.

– Për Elvirën, aktori / aktorja shqiptare më i preferuar i të gjitha kohërave?

– Kjo është një përgjigje shumë e vështirë.
 Sinqerisht nuk veçoj dot dikë. E si mundesh, kur është fjala për Marie Logorecin, Kadri Roshin, Robert Ndrenikën, Tinka Kurtin, Margarita e Ndriçim Xhepa, Bujar Lako dhe Yllka Mujo …
E kupton sa e vështirë është?

– Aktualisht, po e ushtron profesionin e aktores? Ke ndonjë kontratë të re për ndonjë rol në kinematografi apo teatër ?

– Kam patur një rol në filmin “Ada” me regji të Spartak Pecanit, i cili nuk ka dalë i shfaqur ende për publikun.
 Shpresoj gjithmonë të kem ndonjë ofertë për një rol të bukur…
Ku i dihet…

Marrë nga Albania News
Burimi i fotove: Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit – Tiranë, Shqipëri