Nga Kolec Traboini /
Në një intervistë në “Gazeta Shqiptare” 26 janar 2014, G. B., i epitetuar nga gazeta si publicist e studiues, ankimohet se pse nuk festohet nga Bashkia 400 vjetorin i themelimit të qytetit të Tiranës, i cili qytet, sipas tij që merr përsipër të shkruaj historinë e Tiranës edhe nëpër libra, është formuar nga Sulejman Pash Bargjini.
Kësisoj ja vë vulën historisë në intervistën e tij, duke fshirë gjithçka çfarë kish qënë në këtë tokë arbërore para se të dyndeshin barbarisht hordhitë osmane si pushtues shkatrrimtar, të cilët ku me gjak e ku me flakë, ku me rrënim si kështjella e Drishtit e tjerë, shuan çdo gjurmë e çdo lloj qytetrimi arbëror për të rinisur një “qytetrim” të ri anadollak. Kush e di ku e kanë hallin ata që ngulmojnë se historia e Tiranës nis nga një farë Sule me poture në vitin 1614. Anashkalohen si të paqëna gjurmët e lashtësisë që nisën të zbulohen në qëndër të Tiranës, në verë të vitit 2001, u zbuluan se muret e castrum-it para Akademisë. “Ka gjasë që bazat e këtij castrumi, shkruan arkitekti dhe studiuesi Artan Shkreli në prill 2008, themelet e të cilit duhet të jenë hedhur gjatë periudhës së Luftës Civile Romake, kur zona u mësy nga legjionet e Qezarit, që mbante të ngujuar në Petra/Shkëmbin e Kavajës ushtrinë e Pompeut“. Po kështu dhe Mozaiku i Tiranës që daton në fillesë në shekullin e dytë bëhët i paqënë e nuk merren në konsideratë si shënja të një qytetrimi të lashtë të Tiranës, këto mesa duket, nuk përcaktojnë qytetrim në kutin e historianëve me mentalitet orjental. Qytetrim, sipas tyre, përcaktojnë vetëm xhamitë, hanet dhe hamamet e bejlurçinave si Sulejman Pasha, që i shërbenin pushtuesit deri në shpërftyrim, ngritur 1400 vjet më pas. Kështu katranoset e varroset historia e shqiptarëve nga ata që nuk shohin më tej se koha e sulltanëve të Osmanisë.
KERTHIZA APO JATAGANI
Nga libri ironik “Rapsodi ushtore”, Athinë 1995, Kolec TRABOINI
1. Themeluesi
Duke parë zellin e madh, me të cilin po rimëkëmbet tërë historia, si dhe dalja e mjaft figurave të shuara e të harruara edhe ne po përpiqemi të sjellim një ndihmesë, në mbështetje të studimit të letërshkruesit Skënder Jasa, botuar në «K.J.» datë11.05.1994, mbi origjinën e Tiranës, rrënjët e saj historike që u lidhkan me bollëk dhe me fije të pazgjidheshme me trungun e perandorisë osmane dhe asnjë fije me Marin Barletin, jetëshkruesin e Gjergj Kastriotit, heroit të Shqiptarëve, që u vuri turqëve shtegun tek thana. E pra ky Barlet (Ah, të mos ishte prift!), e përmend i pari, në historinë e letërsinë e shkruar të Shqipërisë, emrin e Tiranës. Aferim e paç ymër të gjatë Skënder Efendi (Jasa), se kështu ti na e nderon vatanin. Për të mbeshtetur, që të mos çahet kazani në sy të botës, po të sjellim studimin tonë mbi të paharruarin themelues, të ndriturin Sulejman Pashë Kurrkushi, që me izën e vetë Sulltan Salepit të 13, hodhi themelet e një qyteti perandorak në zemër të Europës, për inat të kaurrve të gjithë botës.
2. Me kallam e me ferman
Deri në çastin që marrim kallamin për të shkruar për vulehumburin Sulejman Pashë Kurrkushi, për Sulën pra, kurrkush nuk mori mundimin të hedhë një bishtuk dritë mbi këtë rrepirë të historisë sonë. Këto male (edhe kodra) e rritën Sulën me qumështin e zanave, më pas ai i mbështetur në traditën popullore, shumë sisëkishte për të pirë, por mbi të gjitha atij do ti pëlqente sisa e turkeshës Aishe… Por të mos ngutemi, të tatëpjetat e historisë janë të mundimëshme, prandaj i duhet rënë anës e pas anës. Termat e historiografisë së kalur ? Historinë e bën populli.” apo të sotmit, “Historinë e bëjnë historianët”, nuk i marrin në konsideratë, po nisemi në bazë të parimit principial “ Historinë e kanë herë e do ta bejnë Sulejmanët”, Sulejmanët që nxorrën emrin e adashit të tyre nga greminat e historisë dhe e vunë, faqe me nder, në një shesh në ballë të Tiranës (diku pranë gropës së Hajdin Sejdisë). Kështu historianët vunë në vend nderin e vet dhe një ditë nëntori me shi të vitit 93, shpëtuan dhe të ziun Sulejman nga 300 vjet vetmi.
3. Kërkime në qorrsokak
Heroi ynë Sulejmani në figuracionin popullor njihet me shprehjen poetike “Mu tek pusi i Sulejmanit”. Pra del se ka pasur pronë të tij të trashegueshme, për të cilat sot i takon të marrë letër me vlerë. Por, as pse ja vunë pusit emrin e tij, as hollësi të tjera biografike nuk dihen. As emri i babait, i nënës , as gjyshe, e sa për motër e vëlla nuk bëhet fjalë. Mirëpo, pikërisht në hapësirën që quhej Tiranë, diku pranë Saukut, gjendej dhe një kodër e vjetër që quhej Kodra e Kopilit. Duhet menduar, duhet hulumtuar, se, a kishte fare lidhje Kodra e Kopilit me Pusin e Sulejmanit. Sepse Sulës së shkretë, duke mos iu gjetur kurrkush afër si sfond historik, i mbeti veç onomati pashë, dhe me këtë emër në kurriz ngjiti të përpjetat e historisë plot lavdi.
4. Hani me dy porta
Të dhënat e padhëna thonë se Sula, para se të bëhej pashë, ishte një zabit azgan, dy metër i gjatë, e shkonte e vinte me araba pas atyre që mernin taksë e vergji për Sulltanin. Bëri punë të ndershme, mblodhi lira e mezhida me bollëk, mblodhi dhe djem për t’i çuar në Arabistan si jeniçer të Sulltanit. Kush s’e dëgjoi Sulën shkoi në degë të rrapit, kush e dëgjoi la kockat në Jemen. Zgjidh e merr!
Sulejmani bëri përpara deri në Oborr dhe një ditë u gdhi pasha. I vuri punët mbarë, mblodhi ushtri të madhe në Petrelë dhe me force zboi gjithë fshatarët nga Fush e Tiranës. Ngriti fushimin ushtarak dhe aty ku sot është shatrivani i Tiranës, vendosi shtatoren e vet. Dy fjalë tha Sulejman Pasha, para asqerëve të vet:
1. Këtu do të ngre një Han.
2. Ky Han do të hyje në histori me emrin Hani i Sulejmanit.
Mori izën nga Sulltani, i cili bashkë me fermanin i çoi dhe dhjetë turkesha të ëmbla, të cilat ishin çengijet më të bukura të perandorisë, e që Sula i sistemoi në Hanin e vet me dy porta.
5. Sulejmani dhe divani
Gjatë hulumtimeve në arkivat e oborrit perandorak ku gjenden spiunimet e Taksirat Qelepirxhiut, del ne pah fakti se, e para femër që u fut ne dhomën e posaçme të Sulës, në mes së cilës ishte vendosur një nargjyle dhe një divan, ishte Aishe Hanemi, turkeshe e ëmbël, kumbull fare, e cila pasi i tërboi tërë oficerët e gardës, u bë shkak të thereshin me bajoneta dhe eunukët që ruanin haremin e Sulltanit; ky i fundit megjithëse me dhimbje, e hoqi qafe, duke ia bërë peshqesh shërbëtorit besnik Sulejman Pashë Kurrkushit, që po hidhte themelet e një qyteti të ri perandorak në perëndim dhe kishte nevojë për femra pjellore. Kështu e keqja apo e mira (këtë historianët nuk e spjegojnë) mbeti në derën e Sulejmanit, i cili ra në një dashuri magjike pas tuleve të Aishesë. U ndez, u përvëlua, u shkretua. Historia botërore dhe vetë arti klasik njohin çiftëzime ideale, që nuk ndahen as në shtëpi, as në varr e as në histori. Qëllimi i studimit është që, duke zbuluar vlerat e kësaj dashurie dramatike, të bëhet e mundur që edhe emri i Aishesë të përjetësohet në historinë e Shqiperisë dhe një rruge, që del tek Sheshi i Sulejmanit, t’i vihet emri i saj. Kështu që, ashtu siç ishin bashkë në han e në divan, të jenë përjetësisht edhe në memorien e banorëve të kryeqytetit të arnautëve. Nga ana tjetër, do të bëhet e njohur në rrethet intelektuale, brenda e jashtë vendit, se ashtu si Eva e Adami u bënë krijues të njeriut, Aishja e Sulejmani u bënë krijues të një kryeqyteti.Nga pikpamja estetike dhe emocionale, krahas Evës e Adamit mitologjik, të Romeos e Zhuljetës romantike do të kemi dhe çiftëzimin e ri Sulejman e Aishe shqiptaro-osmanike.
6. Lavdia dhe krevati
Në fushë të historiografise dy çeshtje mbeten akoma pa u zgjidhur. E para, pse Sula e fsheh emrin e Aishesë, mos vallë për të mos ndarë peshën për krijimin e një qyteti, megjithëse ajo e shkretë e ndjente pothuaj çdo natë peshën e tij sa i thyheshin kockat. Merre me, mend, kur kënga popullore e Zall Bastarit thotë: “180 kile burrë, nga mendja s’ u poqe kurrë”. Çeshtja e dytë specifike është karakteri i Sulës, si i trajtonte ai gratë e haremit, në mënyrë humane( këtu ata të Albanian Human Rights bëjnë shumë kujdes) d.m.th. nga cili parim nisej, nga ai socialist, mbani rradhë se ka për të gjithë, apo ai kapitalist, ujku i fortë çan gjithë kopenë. Kurrfarë konkluzioni historik nuk mund të definohet pa zgjidhur këtë enigmë të historisë.
7. Sula në bronx – Aishja në vargje
Kështu sheshit emri ju vu e historia u rishkrua. Por ideja e një skulptori të çmendur që bustin e Sulës derdhur në bronx ta vinin në mes të sheshit, u kundërshtua rreptë nga zyrtarët. Jo e madhe për zgjidhje kompozicionale,- Sula i derdhur në bronx në mes të sheshit, rri në kanape e thith nargjylen me vështrin të humbur diku… Ç ‘janë këta heroj të pergjumur?! Kështu në mënyrë të vetvetishme u poq mendimi që përpara tij duhet vendosur busti i Aishesë në një vallëzim çengijesh. Kështu veshtrimi i Sulës do të ishte i motivuar, i menduar… Ah, moj Aishe, sa e bukur je, apo diçka tjetër.
U shkruan edhe vargjet që do t’i viheshin si diçiturë çiftëzimit skulptural.
Sulejman o xhan, o Sulejman
Aishe me ferexhe, o Aishe
E shkritë jetën që të dy në divan,
Mor, aman.
Tek mendonit e punonit për Atdhe.
Bërthama e kësaj filosofie erotike, që duke bërë dashuri ne i shërbejmë Atdheut, u duk si një zgjidhje racionale dhe për këtë ra dakort dhe presidenca.
8. Kërthiza dhe politika
Në këtë konkluzion arriti ekipi i lartë studimor ku përfshiheshin historianë, funksionarë, poetë dhe bashkfshatarë të Sules, të cilët sugjeruan që Aishja të realizohej lakuriq nga kërthiza e sipër për të qenë shprehëse e epokës bashkëohore që po tejkalojmë… Por, kërthiza e Aishesë, ashtu siç u bë objekt sherri në haremin e sulltanit, shumë shpejt u bë si leshtë e Arianës, mollë sherri e dardhë grindjesh në opinionin publik, që shkallë- shkallë do të përhapej si epidemi e Kërthizës (shtypi thotë e Krizës). Grindje në rrugë, në shtëpitë, në shkollat, në ndërmarrjet që s’punojnë, në zyra politikanësh që merren me llogje, në zyra financierësh të korruptur, nënpunës që marrin rushfet, në kokat boshe të diplomatëve, apo të deputetëve, të cilëve iu shkon goja lëng nëpër seanca parlamentare kur kujtojnë kërthizën e ëmbël të turkesheës. E ka qarë në vargje edhe Dritëroi turkeshën. Pozita e Opozita janë në një nga betejat me të ashpra. Në qoftë se për probleme sociale a komunale mund të bien dakort, kur vjen puna tek kërthiza nuk lëshojnë pe, ngulin këmbë si mushka, madje duke kërcënuar me zgjedhje të reja. Njera palë, që Aishja të jetë lakuriq nga kërthiza e lart, tjetra – nga kërthiza e poshtë. Ndërkohë Sulejman Pash Kurrkushi nuk është dakort me asnjerën palë. Ai e do Aishenë, si nga kërthiza e lart ashtu edhe nga kërthiza e poshtë, krejt të zhveshur. Eshtë shumë modern në këtë anë Sula. Seksi është bota! Por kush ia var teneqenë atij. Ia mbyllën gojën shumë shpejt, duke i kujtuar se i dhanë më tepër se i takon, madje në kundershtim me ligjin për moskthimin e tokave…e kun e mes të Tiranës. Prandaj pa ç’pa Sula i shkretë, ngrysi vetullat e ra në mendime duke thithur nargjylen e tij. Ndërkohe mendonte: “Të mos ish kërthiza e ëmbël Aishes edhe emri im do të ishte shkuar e harruar!…” Për këtë u bind më tepër kur dëgjoi ca të rinj që lanë takim tek lokali i ri “Dea” por i thanë njeri tjetrit” Takohemi tek Kërthiza e Aishes”
9. Lavdi me panik nën sqetull
Kështu, ndërsa Sulejman Pash Kurrkushit po i kthenin krahët, peërdryshe, siç thanë gazetat, lavdia e Aishes ngjitet lart e më lart duke zënë faqet e para të gazetave me seks e pa seks që kanë pushtuar sot Sheshin e Sulejmanit. Madje në një mbledhje të redaksisë së gazetës “Eros”, botuesi i kishte thënë me zë të lartë kryeredaktorit: “Fotografinë lakuriq në faqen në faqen e parë me titull, “Aishe, seks -bombë!”
Te gjitha këto copëza biografike të Aishesë na pelqejnë ne burrave (pula e tjetrit) , mirëpo ca lajme të fundit në Urën e Lanës po na trondisin. Një tubim grash e vajzash, që përfundoi në një grevë urie, doli me kërkesën “E duam Sulën të zhveshur”, “Duam seks si gjithë Europa”, e vuri opinionin gazetaresk në dilemë, ndeërsa Sulejman Pashë Kurrkushit i futi tmerr e frikë, sepse ec e mos u zhvish kur të urdhërojnë gratë. Dridhet Sula i shkretë e u thotë historianëve: “Ç’më bëtë! Ç’më bëtë! E çfarë me duhet mua lavdia bythjashtë në sy të botës?” Aq më keq kur në një buzëmbrëmje dëgjoi dy veta, veteranë të luftrave mesa dukej, qq i thonin njeri-tjetrit: “Kjo ndodh kur historia shkruhet me b…” ndërsa akoma më tej, një burrë që po hante akullore evropiane, ia ktheu të dyve: “Mos me çani… Sulën!”. Çfarë donte të thonte ai me atë fjalë? Ndërsa në mes të bulevardit, dy gra po flisin për një të tretë, që nxitonte e pispillosur: “Shkon me i ba fresk Aishes!”
10. Enigma e madhe
Çështjet “Kush ia vuri?”, “Si ia vunë?” e “Pse ia vunë?”, mendojmë se janë të kapercyera e nuk përbëjnë më interes historik. Përpara historianëve të vjetër e të rinj, -kopetentë e ipotente. Mbeten të shqyrtohen dy çeshtje, e para, Aishet apo Sulat e bëjnë historinë (Kërthiza apo Jatagani?) dhe e dyta(këtu ka shumë dilema historike), a është Kërthiza e Aishesë Qendra e Botës?! Ziejnë debatet, shkruajnë gazetat, grinden deputetët, por kurkush nuk merr mundimin të pyesë të zotin e punës, Sulën e shkretë, i cili rri si qyqar i menduar tek sheshi, pranë Gropës së Ajdinit, thith nargjylen me vështrimin thellë në kërthizë! Por një zë i brendshëm vigjëlues i thotë: “Sulë, shtërngo ushkuret! Lavdia është Sidë!”.
Parashtresa është vetëm një pjesë e biografisë së Sulejman Pash Kurrkushit, sepse bëmat e Sulës janë aq të mëdha e aq të ndrituara, sa duhen dhe kapituj të tjerë, të cilat autori nuk do t’i lerë të humbasin nëpër skërkat e rrëpirat e historisë, por herë me bishtuk e herë me qiri, do t’i ndrisë, do t’i përshkruaj, e do t’i nxjerrë në dritë të diellit, faqe ( me nder) gjithë botës.