Nga Pjerin Logoreci

Teatri Kombëtar do të prishet. Eshtë tronditëse ta dëgjosh këtë fjalë, kur mendon se cfarë ka qene për shqiptarët ajo ndërtesë e kulturës. Një tempull i pashoq në shoqerinë shqiptare për dekada me radhë. Në të kanë interpretuar aktorët tanë të mëdhenj, aty janë dhomat e tyre, kanë punuar dramaturgët e mëdhenj, regjisorët e mëdhenj… Eshtë shtëpia e artit shqiptar në me shumë se gjysëm shekulli. Bashkë me ndërtesën e Teatrit ikën dhe historia e lavdishme e artit tonë skenik. A e ka më sot shkëlqimin e dikurshëm ky Teater? Padyshim jo, dhe kjo për shumë aresye! Por aty vazhdojnë të luajne aktorët tanë të mëdhenj që ende janë gjallë dhe padyshim është shkollë për akorët tanë të rinj. Prishja e këtij tempulli, si ide është hedhur vite më parë nga ish kryebashiaku Rama, por u kundershtua nga aktorët, intelektualët dhe artdashësit dhe mbeti një projekt i parealizuar. Sot rikthehet projekti i mëparshëm. Teatri të shkatërrohet dhe të ndërtohet një shumëkatësh që do të ketë një sallë teatri brenda. A do të jetë ky Teatri Kombëtar?! Sigurisht Teatrin nuk e bën salla, apo ndërtesa. Por në këtë rast kemi të bëjmë me një simbol, padashur të paralelizoj me teatrot e Romës.

teatri
Teatri Kombetar

Por nga ana tjetër ndërtesa e Teatrit Kombëtar është shumë e amortizuar, kjo është e vërtetë. I ndërtuar nga italianët si qendër argëtimi provizore “dopolavoro”, ndërtesa pas kaq vitesh, nuk ka kushtet që i duhen një teatri. A mund të ishte ripunuar në gjithë këto vite? Sigurisht, dhe janë bërë ripunime, por sot këto duket sikur janë bërë për të shpenzuar disa para. Por a mund te rindertohet godina e tij? A mund te ishte nje muze? Por le të kthehemi tek ideja që Teatri Kombëtar do të jetë brenda një ndërtese shumëkatëshe me dyqane veshjesh, zarzavatesh dhe apartamente banimi brenda?! A ju duket e mirë kjo ide? A mund te jetë një Teatër Kombëtar, si një sallë kinemaje?
Sigurisht po ta shohësh me logjikën e disave Teatri Kombëtar zë një sipërfaqe të madhe në qendër të kryeqytetit nga e cila mund të fitohet…

Një ndryshim e pret edhe personelin e Teatrit, kontrata e punës. Çdo aktor që do të “punësohet” në teatër, do të shërbejë për një kohë të përcaktuar, pastaj do të rrijë në “kafe” derisa të kërkohet sërish për ndonjë projekt tjetër. Aktorët do të përmbushin kushtet e kontratës duke u paraqitur për aq kohë sa ky teater do të ketë nevojë për ta. Ndërsa pjesa tjetër e aktorëve që do të rrinë në shtëpi do të paguhen fillimisht me një asistencë sociale të përkohshme, ose me pagë të plotë për një periudhë shumë të shkurtër. Pak a shumë do të jetë e njëjta skemë që u ndoq për shkatërrimin e Kinostudios. Por Kinostudio ndryshon me Teatrin sepse në Kinostudio paguheshin rreth 600 punonjës, ndërsa në Teatër janë vetëm një grup aktorësh dhe një administratë e vogël.

Gjatë kohës së ndërtimit të godinës së re, Teatrit Kombëtar do të bëjë shfaqje ne mjediset e Teatrit Metropol, Teatrit të Tiranës, në zonën e Kinostudios, apo mjediset e Piramidës, si Teatër shëtitës apo provizor.
Shkurt Teatri sot ashtu si Kinostudio dje do të mbetet vetëm në mendjet nostalgjike të artëdashësve të dikurshëm që sot kanë mbetur shumë pak në Tiranën e sotme të zhurmëshme të mbushur me kafe e të rinj që nuk e janë nga Tirana. Do të mbeten edhe në shkrimet e ndonjë aktori, sic ka mbetur Kinostudio në shkrimet e Abaz Hoxhës.