Roza Xhuxha Anagnosti Aktore e teatrit dhe kinematografisë

roza xhuxha
Roza ne rolin e Cuces ne dramen Cuca e maleve

Roza Xhuxha lindi në Shkodër më 27 tetor 1943. Fëmijërinë e kaloni në qytetin e lindjes ku që e vogël e tërhoqi fusha e artit. Ajo u aktivizua në Shtëpinë e Pionierit nën drejtimin e pedagogut e kompozitorit të shquar Tonin Harapi dhe në shtëpinë e Kulturës me pedagog kompozitorin e shquar Prenk Jakova. Falë talentit të saj artistik dhe ndikimit të mjedisit kulturor që karakterizon qytetin e Shkodrës, në vitin 1958 Roza angazhohet në premierën e parë të Teatrit të Estradës dhe më vonë në Teatrin “Migjeni” me rolin e saj të parë Nuria në pjesën “Kunora e Nuries” të dramaturgut Kolë Jakova. Suksesi përcaktoi drejtimin ne jetën e saj profesional, ajo u emërua aktore në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Në Teatrin “Migjeni” luajti një sërë rolesh kryesore dhe të suksesshme ndër të cilët personazhin e Norës në spektaklin “Nora” të Andrea Skanjetit. Me këtë rol fiton çmimin si interpretuesja më e mirë në rolet e femrave në Festivalin e Dytë Kombëtar të Teatrove Profesioniste të Shqipërisë.
Në tetor 1964 fillon punë si aktore pranë Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) në Tiranë.
Me aftësitë, punën këmbëngulëse dhe pjekurinë artistike e profesionale ka patur arritje të shquara si në teatër dhe në film. Roza Anagnosti në karrierën e saj numëron rreth 120 role në teatër, film e televizion për të cilat është vleresuar me çmime dhe medalje e tituj.
Në Festivalin e 4-t të Filmit Artistik Shqiptar fiton kupën si aktorja më e mirë me rolin e Dafinës në filmin “Mësonjëtorja” ne vitin 1979
Në vitin 1984 mori titullin e lartë “Artiste e Merituar”.
Roza Anagnosti vazhdon të jetë pjesë e skenës shqiptare. Gjatë karrierës artistike i është përkushtuar poezisë dhe prozës poetike me interpretime të shumta në emisione radiofonike, televizive dhe koncerte si brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka dekoruar znj. Roza Anagnosti me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në artin skenik shqiptar, duke krijuar me mjeshtëri të lartë një galeri të pasur figurash dhe, veçanërisht, në kinematografi, ku afirmoi vlerat më të arrira, nëpërmjet interpretimit të veçantë dhe krijimit të figurave të paharruara dhe të dashura për publikun”.
Aktualisht znj. Roza Anagnosti, është edhe “ambasadore” e çështjes së ushqyerjes së shëndetshme të fëmijëve nëpërmjet zbatimit të “Mënyrave të Reja dhe Më të Mira të Ushqyerjes së Foshnjës dhe Fëmijës”.
Roza Anagnosti jeton në Tiranë së bashku me bashkëshortin regjisorin e njohur Dhimitër Anagnosti (Artist i Popullit)
Nga krijimtaria artistike:
Dramaturgjia
Elektra – Klitemestra, Teatrin Kombëtar (2010).
Medea – Mëndesha
Nata e trokitjeve në xhama – Kristina
Valsi i Titanikut
Nata e dymbedhjetë – Vjola
Rikardi i tretë – Elizabeta
Mbreti Lir – Kordelja
Vizita e inspektorit – Sheila
Lumi i vdekur – Vita
Cuca e maleve – Cuca
Toka jonë – Filja
Filmografia
Dokumentari Skenderbeu (2012)
Gjoleka djali i Abazit(2006)
Vetmi (1990) , Bardha
Kthimi i Ushtrisë së Vdekur (1989)
Rikonstruksioni (1988) (TV)
Botë e padukshme (1987) – doktoreshë Besmira
Familja ime (1987)
Vrasje ne gjueti (1987)
Gurët e shtëpisë sime (1985)
Taulanti kërkon një motër (1984) – Luli
Besa e kuqe (1982) – Mrika
Rruga e lirisë (1982)
Dita e parë e emrimit (1981)
Mësonjtorja (1979) – Dafina
Në shtëpinë tonë (1979)
Fije që priten (1976)
Qyteti më i ri në botë (1974)
Ndërgjegja (1972) – Arta
Plagë të vjetra (1968) – Vera
Komisari i dritës (1966) – Rudina
Toka jonë (1964) – Filja
Detyrë e posaçme (1963)