Nga Prof. Ibrahim Gashi
Vështruar në kontekstin historik, Republika e Maqedonisë si entitet shtetëror është krijuar në rrethana të një konstelacioni tepër kompleks ndërkombëtar gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Përplasjet midis Bullgarisë dhe Serbisë lidhur me territorin bullgar të pjesës lindore të Maqedonisë së sotme datojnë nga fundi i shekullit të 19.
Në fillim të shekullit 20, gjatë Luftës së Parë Ballkanike, me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër (dhjetor 1912 – maj 1913) Mbretëria e Serbisë realizoi një zgjerim të madh territorial në territoret e Vilajetit të Kosovës dhe të Vilajetit të Manastirit.
Aleati i saj i luftës, Bullgaria, e pakënaqur me mosrespektimin e marrëveshjes së Aleancës Ballkanike lidhur me Maqedoninë nga ana e Serbisë, në verë të po atij viti (1913) hyri në luftë kundër Serbisë.
Greqia dhe Mali i Zi, madje edhe Perandoria Osmane, secila nga prizmi i interesit të tyre, e mbështetën Serbinë, duke i shpallur luftë Bullgarisë. Në këto rrethana Bullgaria për një kohë shumë të shkurtër u detyrua t’i pranojë kushtet e renda të Traktatit të Bukureshtit (10 gusht 1913), duke humbur përfundimisht gjithë Krahinën e Maqedonisë në favor të Serbisë.
Nisur nga kjo rrethanë historike, elitat politike në Bullgari, pothuaj pa dallim, në vendimet e tyre të mëpastajme janë udhëhequr nga dëshira për revansh, duke mos njohur asnjëherë vendimet e paqes së Bukureshtit. Për pasojë në të dy luftërat botërore Bullgaria është pozicionuar përkrah aleancave kundërshtare ndaj Serbisë dhe Greqisë.
Fitorja e Bllokut të Antantës në Luftën e Parë Botërore dhe vendimet e Traktatit të Neuilly-sur-Seine (27 nëntor 1919) e mbështetën me shpatulla për muri Bullgarinë, duke ia rikonfirmuar edhe një herë shkëputjen e territorit të Maqedonisë, tani në favor të krijesë së re shtetërore Mbretërisë SKS (të Jugosllavisë, pas 1929), e cila udhëhiqej nga dinastia mbretërore e Serbisë.
Forcimi i Bashkimit Sovjetik (BS) dhe i lëvizjes komuniste në disa vende të Evropës Lindore, përmes veprimtarisë së Kominternes (Internacionales komuniste), kishte krijuar një moment të ri në marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit. Pothuaj në të gjitha shtetet e Evropës Lindore ishin krijuar dhe vepronin ilegalisht apo gjysmëilegalisht partitë komuniste.
Kominterna rekrutoi dhe përgatiti në Moskë shumicën e lidershipit të ardhshëm komunist. Fillimi i Luftës së Dytë Botërore dhe roli kyç që mori BS në luftën antinaziste, ndikoi në rritjen e popullaritetit dhe masivizimin e partive komuniste.
Komunistët në shumë nga këto vende u bënë bartësit kryesorë të lëvizjes së rezistencës antifashiste. Partitë komuniste gjatë luftës, por edhe më herët, të instruktuara nga Kominterna, kishin venë parim fondamental solidaritetin ideologjik dhe klasor, duke i shpallur të paqena të gjitha kontestet dhe konfliktet territoriale që mund të kishin shtetet mes tyre, deri në fitoren e plotë të “diktaturës së proletariatit”.
Në ndërkohë, gjatë luftës, Partia Komuniste e Jugosllavisë dhe lidershipi i saj në mënyrë shumë perfide, por largpamëse, kishin krijuar eksponencën komuniste në Maqedoni, (si pjesë të PKJ-së si dhe kishin shtrirë strukturën e vet të rezistencës antifashiste atje, (KANQM).
E tërë kjo po ndodhte në një kohë kur Bullgaria zyrtare, siç e thamë më lart, ishte pozicionuar përkrah bllokut nazist, i cili po jepte shenja se do ta humbiste luftën. Pikërisht në kohën kur po mbahej Takimi i Teherani (nëntor-dhjetor 1943) midis tre liderëve të mëdhenj të luftës antifashiste (Ruzveltit, Çurçilit dhe Stalinit), Tito thirri në Jajce (B e H) mbledhjen e KAÇKJ-së dhe shpalli projektin e tij shtetëror për Jugosllavinë e re, si republikë federale që në përbërje do të kishte gjashtë republika dhe dy krahina autonome. Krijimi i Republikës së Maqedonisë në kuadër të RPFJ ishte dizajnuar nga Tito dhe krerët e PKJ-së si masë frenimi ndaj fuqizimit të nacionalizmit serb.
Në fakt, ideja e federalizmit të Jugosllavisë komuniste, me vendimet e Jajces, u pa si mënyra e vetme për t’i eliminuar përplasjet midis nacionalizmave të fuqishëm, me theks, atij serb dhe kroat. Në funksion të kësaj doktrine duhet parë krijimin e entiteteve të reja federale – Republikës së B e H dhe Republikës së Maqedonisë si dhe të krahinave autonome të Kosovës dhe të Vojvodinës. Këto dy të fundit gjithsesi edhe në funksion të fragmentarizmit të kompaktësisë etnike të shqiptarëve, respektivisht të hungarezëve. Kur jemi tek Republika e Maqedonisë kufijtë e saj flasin për një entitet të ri (njësi federale) shumë të konsoliduar, nga aspekti i territorit dhe i resurseve ekonomike.
Republika Socialiste e Maqedonisë deri në fillim të viteve të nëntëdhjeta pati një zhvillim relativisht të mirë në kuadër të RSFJ-së si në planin politik, ekonomik, kulturor dhe, mbi të gjitha, e suksesshme mund të cilësohet përpjekja për ta krijuar identitetin kombëtar maqedonas. Lidershipi komunist maqedonas, pothuaj pa dallim, ishte vënë në shërbim të kësaj kauze. Instituti i Historisë Nacionale të Maqedonisë (Institut za nacionalna Istorija Makedonije), i krijuar në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore, kishte marrë përsipër “krijimin” e historisë “maqedonase”. Sot e kësaj dite është e pamundur të definohet qartë çka është histori maqedonase dhe a ekziston një e tillë. Studiuesit maqedonas njëri pas tjetrit kanë rënë në grackën apo me dashje janë vënë në shërbim të politikës ditore të shtetit të tyre, duke e ngatërruar historinë e Maqedonisë me historinë e popujve që jetonin aty. Ka pasur dhe vazhdon të ketë një prirje që e gjithë e kaluara historike e Maqedonisë që nga parahistoria dhe antika të “studiohet” dhe të shkruhet në kontekst dhe në shërbim të forcimit të identitetit nacional të banorëve sllavë që jetojnë sot në Maqedoni, të cilët, përpos emrit, e dëshirojnë për vete edhe historinë e Maqedonisë.
Kjo politikë e nacionalizmit (të pretenduar) maqedonas e kamufluar si romantizëm revolucionar ka prodhuar për rreth gjysmëshekulli logjikën e mohimit të të drejtave kombëtare, gjuhësore dhe kulturore të të gjithë jomaqedonasve, me theks të veçantë shqiptarëve. Ka pasur një vrazhdësi të theksuar në sjelljet maqedonasve, si entitet shtetformues, edhe pse mjaft i pakonsoliduar në aspektin identitar, ndaj shqiptarëve si entitet, jo shtetformues, (së paku deri me Marrëveshjen e Ohrit), por me histori dhe identitet kombëtar të konsoliduar. Republika e Maqedonisë në mënyrë shumë sistematike përmes integrimeve të pakicave në kulturën urbane dhe kishtare-ortodokse ka shërbyer si një kazan shkrirës i disa identiteteve të shtresuara etnike, të lidhura për shekuj me truallin e Maqedonisë, si shqiptarët e ritit ortodoks, vllehtë, turqit, goranët etj.
Studiuesi maqedonas Ljubomir Frçkoski, në një studim të tij kur flet për shkëputjen e Maqedonisë nga Jugosllavia, siç e quan ai, në mënyrë të drejtë dhe ligjore nuk e përmend më asnjë fjalë rëndësinë gjeopolitike që ka pasur në këtë proces të shkëputjes ruajtja e tërësisë territoriale të Maqedonisë në një kohë kur Serbia ishte e zënë me luftërat në Bosnje dhe në Kroaci. Beogradi ishte i vetëdijshëm se një konflikt ndëretnik në Maqedoni do të mund të sillte përfshirje potenciale të aktorëve të rinj dhe shpërbërje të Maqedonisë, proces në të cilin Serbia vështirë se mund të dilte e fituar.
Natyrisht në këtë proces të shkëputjes për asnjë moment nuk duhet nënvlerësuar rolin e elitave të reja maqedonase, të cilat e shfrytëzuan maksimalisht momentumin e krijuar në periudhën 1990-’91 duke organizuar zgjedhjet e para të lira dhe pluraliste, duke shpallur pavarësinë dhe duke hartuar Kushtetutën e shtetit të ri e cila u mbështet edhe nga Komisioni i Badinterit i BE-së. Shteti i ri maqedonas arriti të krijojë njëfarë stabiliteti relativ në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Por mbeti akoma larg transformimeve të mirëfillta demokratike.
Nga ana tjetër, shqiptarët si komuniteti më i madh etnik pas atij maqedonas po bënin hapat e parë të organizimit politik plural me shpresën e ndërtimit të një subjektiviteti politik brenda strukturës institucionale ekzistuese. Por trashëgimia komuniste kishte krijuar dallime të mëdha socio-kulturore midis dy popujve. Në Republikën socialiste të Maqedonisë maqedonasit kishin përjetuar një iluminim dhe përfshirje më të madhe në jetën urbane, përderisa shqiptarët kishin ngelur pothuaj në tërësi jashtë këtij emancipimi, duke ruajtur si burim të vetëm ekzistence punën e krahut dhe kurbetin.
Moslejimi i shkollimit të lartë në gjuhën amtare privoi shqiptarët nga përfshirja e tyre në jetën publike dhe trendët emancipuese. Me këtë logjikë mohuese, në masë po thuaj të njëjtë, u shërbyen edhe autoritetet e shtetit të pavarur të Maqedonisë. Gjatë viteve të ’90-ta pjesëmarrja e partive shqiptare në jetën institucionale ishte simbolike. Fuqia reale dhe vendimmarrja ishte në duart e klasës politike maqedonase pa përjashtim. Partitë shqiptare shërbenin më tepër si dekor.
“Sistemi neokomunist në Shkup, i mishëruar me Kushtetutën nacionaliste dhe shoviniste të vitit 1991, do të shprehën James Pittifer dhe Miranda Vickers, ishte një nga qeveritë më të pareformuara dhe më të prapambetura të republikave ish-jugosllave”.
Deklaratat e zyrtarëve të lartë maqedonas para faktorit ndërkombëtar për harmoninë etnike nuk arritën t’i fshihnin problemet serioze të shkeljes së të drejtave të njeriut të shqiptarëve që përbënin mbi 25 % të popullatës së Maqedonisë. Situata e rënduar shpërtheu në dhunë në korrik të vitit 1997 në qytetin e Gostivarit.
Fillimi i luftës çlirimtare në Kosovë dhe veçmas përfshirja e NATO-s në përfundim të saj është cilësuar si moment kthese që ka ndihmuar dhe përshpejtuar procesin e ndryshimeve demokratike në Maqedoni. Në veçanti ndikim të drejtpërdrejtë pati përfshirja e Maqedonisë në krizën e refugjatëve kosovarë. Ndërkombëtarizimi i luftës së Kosovës pati efekte të brendshme në Maqedoni.
Atë që e kishte parashikuar presidenti maqedonas Kiro Gligorov tani u bë realitet. Maqedonia hapi kufirin e saj për qindra mijëra refugjatë kosovarë. Por i tërë ky kalvar në territorin e Maqedonisë po menaxhohej nga forcat e NATO-s dhe po përballohej nga solidariteti vëllazëror i shqiptarëve në Maqedoni dhe nga organizata humanitare ndërkombëtare. Lëvizja e lirshme e personelit të NATO-s dhe ndërkombëtarëve të tjerë në vend e gërryen ndjeshëm sistemin e vjetër qeveritar.
Klima më e relaksuar politike, falë pranisë ndërkombëtare, ndikoi në organizimin e shqiptarëve në nivelin lokal në komunat e Tetovës dhe të Gostivarit për përballimin e krizës së refugjatëve. Përfundimi i luftës në Kosovë, hyrja e trupave të NATO-s dhe largimi i forcave policore dhe ushtarake serbe nga atje, u përjetua si një fitore e përbashkët e shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Shqipërisë me shqiptarët e Kosovës ngase ata tashmë qenë bërë një.
Për më shumë, shumë shqiptarë të Maqedonisë iu kishin bashkuar luftës së Kosovës dhe tashmë fryma e fitores ndjehej edhe në komunat shqiptare të Maqedonisë, veçmas në atë të Tetovës, edhe për shkak të afërsisë fizike me Kosovën. Përpjekja e autoriteteve maqedonase për ta mbajtur situatën nën kontroll dhe për ta parandaluar depërtimin e frymës çlirimtare nga Kosova në Maqedoni u tregua e pamundur.
Shqiptarët dhunës së autoriteteve iu përgjigjen me dhunë, por lufta që e filloi Ushtria Çlirimtare Kombëtare kishte evituar çdo gabim politik a ideologjik në organizimin e saj, duke e çuar në mënyrë të qartë mesazhin se nuk ishte e drejtuar kundër sovranitetit të Maqedonisë, por me kërkesë të qartë demokratizimin e saj dhe përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, si entiteti më i madh krahas atij maqedonas.
Epilogu i luftës, siç e kemi të njohur, solli palët në tryezën e bisedimeve nga e cila rezultoi Marrëveshja Kornizë e Ohrit (13 gusht 2001), me të cilën shqiptarët e Maqedonisë për herë të parë realizuan në aspektin formal një avancim të pozitës së tyre juridike dhe politike të tillë çfarë ishte në lartësinë e mundësive reale dhe organizimit që kishin. Marrëveshja hapi një faqe të re në historinë e relacioneve midis dy popujve.
Besohej se tashmë logjika e mohimit do t’i linte vend ndjenjës për shtetin e përbashkët. Një pjesë e klasës politike maqedonase, e tubuar rreth presidentit Boris Trajkovski, e kishte kuptuar se forcimi i Maqedonisë dhe lëvizja drejt proceseve integruese ishte e ndërlidhur ngushtë me demokratizimin e brendshëm dhe me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Mirëpo pas vdekjes aksidentale të presidentit Trajkovski, lidershipi pasues nuk tregoi vullnetin e duhur për zbatimin e marrëveshjes. Moszbatimi po vazhdon edhe sot. Autoritetet qeveritare maqedonase, për më shumë në decenien e fundit i janë rikthyer më shumë fanatizëm një diskursi ultranacionalist dhe pamfletist, me tone gjithnjë më të larta antishqiptare.
Situata e javëve të fundit dhe protestat e shqiptarëve kundër proceseve të montuara gjyqësore dhe dënimeve arbitrare të shqiptarëve ka shumë të ngjarë se po i rikthejnë gjërat në pikën zero.
Autoritetet në Shkup do të jenë të sfiduara nëse nuk reflektojnë në situatën e krijuar. Vazhdimi i diskursit nacionalist nga qeveria e kryeministrit Gruevski mund të prodhojë tensione të reja. Afrimi i saj me Qeverinë e Beogradit, e cila po ashtu drejtohet nga liderë me proveniencë ultra nacionaliste, si dhe injorimi i konsulencës ndërkombëtare për më shumë tolerancë në politikat ndërfqinjësore dhe ndëretnike krahas problemeve të theksuara ekonomike dhe sociale, mund ta fusin vendin në një krizë me përmasa të paparashikueshme.
Para një kërcënimi të tillë nevojitet më shumë trysni ndërkombëtare dhe vëmendje më e shtuar e Shqipërisë zyrtare, kur bëhet fjalë për pozitën e shqiptarëve. Shteti maqedonas, siç shihet, ka vetëm një rrugë, atë të pranimit, e jo të mohimit të entitetit shqiptar, konform Marrëveshjes së Ohrit, nëse dëshiron të ketë të ardhme. Lidershipi politik në Shkup, pa dallim, duhet të mësojë nga historia.