Nga Viktor Daragjati /

Deri më 10 Shtator 2012, përveç ndonjë dëshmie që vetë Kolë Biba u kishte tregue rrethit të vet, nuk ekzistonte ndonjë dokument zyrtar që vërtetonte veprimtarinë që, si Ministër i Mbrendshëm i asaj kohë, ai kishte ba në dobi të Jahudijve. Shqipnia enveriste e ka urrejtë gjithmonë të vërtetën dhe ka mbyllë si gojën ashtu edhe arkivat e Shtetit tue i hapë rrugë vetëm propagandës së saj rrenimçare.  Qeveritë post komuniste vazhdojnë me dekorue gjakbasit vëllavrasës.

Në të vërtetë, nji ballist, Faik Quku, autori i librit Qëndresa Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botnore (1941 – 1944),  kishte vërtetue shkurtimisht ndihmën që Kolë Biba i kishte dhanë Izraelitëve.
Kështu ka shkrue Faik Quku:
“Në verën e vitit 1943, Leon Thuri shkoi në zyrën e Kol Bibë Mirakaj, ministër i Punëve të Mbendshme, dhe i ofroj nji shumë napolonash për përkrahjen që u bante Jahudive, por këto pare ai nuk i pranoi dhe e përcolli me nji sjellje bujare”.
Simbas tregimit të Kolë Bibës, Z. Thuri veç e falnderoj dhe la mbrapa, qëllimisht, nji çantë në dysheme para katedrës, pa përmendë pare. Mbasi e përcolli tek dera, tue u këthye në zyrë, Kolë Biba e pau çantën plot me napolona ari dhe thirri Z. Thurin, për me ua këthye. Versioni i autorit Faik Quku, përveç detajit që shkrova, përputhet me dishminë e Kolë Bibës.
Kjo histori ka nji prolog në të cilin, kur Kolë Biba ishte në mërgim në Romë, Jahudijtë që e kishin njoh në Tiranë i ofruen prap ndihmë. Ndoshta, ishin të dijtun se Kolë Biba kishte jetue tri vjet me ndihmën bamirëse të nji kuvendi Françeskan. Prap Kolë Biba refuzoi ndihmën, për të cilën në të vërtetë kishte nevojë, tue thanë se shpërblimi ma i madh për të ishte privilegji që kishte pasë me krye detyrën e tij.
Hebrejt në Romë ja dhuruen dy shkopij me topa çelibari si shenj kujtimi të mirënjohjes së tyne të paharrueshme. Nji shkop ishte i zi e tjetri bojë kafe. Kush e ka pa Kolë Bibën tue ecë me nji shkop duhet ta dijë se ishte po i njajti që ja kishin dhurue në Romë Hebrejt. Me te ka hecë deri në fund të jetës së tij.

kole-miraka
Kolë Bibë Mirakaj

Shumë Shiptarë janë dallue për ndihmën që ua kanë dhanë Jahudijve në Shqipni, katolikë e muslimanë pa dallim feje, e për ketë arsye Shqipnia njihet si E Drejtë ndër Kombet prej Yad Vashem-it.
Kjo meritë na nderon para botës por mbesin të pamohueme disa akuza propagandistike komuniste që duhet të shvleftësohen njiherë e përgjithmonë.
Veprimtaria e Kolë Bibës nuk kufizohet te aktet humanitare personale në dobi disa individëve. Si Ministër i Punëve të Mbrendshme Kolë Biba veproi zyrtarisht, me vendosmëni dhe urgjencë, për me përkrah në shkallë Shtetnore gjithë Ebrejt që gjindeshin si refugjatë në Shqipni, që në atë kohë përfshinte edhe tokat Etnike.
Me 31 Gusht 1943, i vetëdijshëm se ramia e Italisë së 25 Korrikut kishte lanë Shtetin Shqiptar të dobtë e të ndamë politikisht e pra, jo në gjendje me ballafaque divizionet Gjermane, që ishin tue hy në Shqipni, Kolë Biba, simbas dokumentit regjistruem si No. Protokoli 9/110 i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme – Zyra Politike, dha ketë urdhën:
PREFEKTURAVE
 DREJTORISË SË PËRGJITHËSHME TË POLICIS 
Tiranë
Lutemi qi të gjithë Hebrejve nënshtetas Shqiptar
 që kërkojnë pasaporta për Itali, t’u lëshohen pa u sjellë
 asnji pengim për vehte dhe për familjet e tyne.
 Të porositen Kuesturat qi të shkapërcejnë
 çdo formalitet, mbasi çashtja ka randësi të veçantë
 politike. 
Për vistim nga Delegacioni Italian t’interesuemit 
kujdesen vetë.
Ministri
 K. B. Mirakaj d.v.

Kolë Biba ishte në dijeni se në të njajtën kohë forcat Aleate kishin depertue qindresën gjermane në Siçili dhe ishin tue marrë nën kontrollin e tyne Italinë Jugore, ishte qëllimi i Tij që Hebrejt të shkojshin në Bari për me gjetë shpëtim.
Ky urdhën nuk shënoi nji ndryshim në politikën e qeverisë ndaj Hebrejve. Përkundrazi, ai kishte për qëllim me u dhanë nji urgjencë ma të madhe procedurave me të cilat u pajiseshin refugjatët Hebrej që kishin nevojë për pasaporta Shqiptare.
Duhet të dihet se të gjitha qeveritë autonome Shqiptare, gjatë luftës së Dytë Botnore,  kanë ndihmue Hebrejt që kërkojshin azil në Shqipni. Veprimi i Kolë Bibës ishte në vazhdim dhe përforcim i nji politike të bazueme në solidaritetin humanitar dhe kishte për qëllim, me kapërcye pengesat procedurale e burokratike në kohën reale, me shpejtësi.

Të nderuemit Ish-Deputeti (congressman) Joe Dio Guardi dhe i ndjeri ish-Senatori Tom Lantos, tue u bazue në dokumentime të kufizueme që ju kishte dhanë në 1990 Ramiz Alia (kur ishte President i Shqipnisë),  nuk kishin mujt me mohue imazhin e shtremnuem në të cilin u shtiheshin komunistët si shpëtimtarë të Ebrejve prej persekutimit fashist.

Këtë padrejtësi që shkel dignitetin e antikomunistave mundet me e kuptu Z. DioGuardi sot. Sidoqë kjoftë, me gjithë se për arsyna të pa sakta, këta qeveritarë Amerikanë fituen kredi për Shqipninë si i vetmi shtet ku të gjithë Hebrejt kanë gjetë shpëtim.


Tue kenë se Arkivat Kombëtare Shqiptare nuk janë akoma të hapuna, u desht me pritë deri me 10 Shtator 2012 për me i gjetë informatat zyrtare që na lejojnë me asgjësue propagandën mashtruese komuniste. Drejtoresha e Pergjithëshme e atëherëshme, Zj. Nevila Nika, e bani të mujtun nji kërkesë të shkurtë me anë të së cilës u gjeten disa dokumenta zyrtarë që përkrahin plotësisht veprimtarinë e Kolë Bibës. Dokumentat përveçse zbardhin rolin pozitiv, i vetdrejtuem dhe i fuqishëm të Kolë Bibës, na bajnë të njohun edhe emnat e disa administratorëve që morën pjesë në ato veprime të nevojshme.
Për hir të transparencës historike e për me korrigjue imazhin e padrejtë që prap sot shumëkush e beson, edhe mbas kaq dekadash diktaturë përdhunuese,  meqë nuk dijnë ta hjekin prej mendjes, e kemi ba ketë veprim.
Për me zbardhë të vërtetën nuk duhet të kufizohemi me nderimin e figurës së të ndjerit Kolë Biba, por me nji pamje ma të gjanë dhe ma patriotike, duhet të nderojmë gjithë Kombin Shqiptar, pa dallime dhe po ashtu Kombin Izraelit.
Hebrejtë që kërkuen dhe gjetën strehim bujar në Shqipni nuk ishin tue shpetue vetëm jetën fizike të tyne por edhe traditat fetare dhe zakonet kulturore mijavjeçare që i dallojnë prej kombeve tjera.
Kontributi i Kolë Bibës posaçërisht, i qeverive paraardhëse, dhe i mbarë Popullit Shqiptar, vihen në dukje këtu edhe për me zbardhë historinë tonë të vuejtun. Fati dhe bujaria e Popullit Shqiptar e ka ba të mujtun që rreziku i asgjësimit të rracës Izraelite, të ndalet në mënyrë të mprehtë në Tokat e Shqiptarëve.
Në vitin 1943 Kolë Bib Mirakaj, tue përdorë autoritetin që kishte si Ministër i Mbrendshem, në të gjitha Tokat Shqiptare, tue përfshi Kosovën, pjesën e Malit të Zi, të Maqedonisë dhe Çamërinë, mori masat e nevojshme në mënyrë plotësisht të pamvarun, pa i marrë leje askujt.
Tue u këthye tek shpëtimi i Z. Leon Thurit, Kolë Biba ka dishmue se ai ishte i arrestuem prej komandës ushtarake Italiane si përkrahës i nji atentati komunist që kishte zbërthye  në Tiranë. Simbas dokumentave të gjetuna në Arkivin e Ministrisë së Mbrendëshme para disa viteve, shihet se komunistët kishin nxjerrë pare prej Ebrejve me kercënime. Ushtarakët italianë kujtojshin gabimisht se Leon Thuri kishte financue komunistët si simpatizues. Rrjedhimisht Z.Thuri ishte dënue me pushkatim. Kur u alarmue per ngjarjen, pa u kujdesë për sigurinë e vet, Kolë Biba kritikoi në mënyrë të vendosun autoritetet italiane, tue u thanë se për shkak nxitimit ishin tue e ba nji gabim të pandërgjegjshëm. Përfundimisht Leon Thuri, u lirue nën përgjegjësinë personale të Kolë Bibës.
Korrespondenca që vijoi mas urdhënesës së 31 Gushtit na len me kuptue se edhe Ebrejt pa nënshtetësi Shqiptare kanë pasë mundësi, pa pengesa, me nxjerrë pasaporta.

Ma gjansisht dokumentimet e Arkivit Kombëtar na tregojnë se ekzistonte nji veprimtari e përditshme në dobi të Jahudijve. Kush ishte i smurë randë u lejonte me shkue në Tiranë. Ata që kishin të njohun u lejojshin me u bashkue me ta. Kush kishte ndoj zanatë të kërkuem u lejonte me u transferue ne vende ku gjejshin punë. Hebrejtë që e kërkojshin, kishin mundësi me u transferue prej zonave të çlirueme etnike në vende mbrenda kufijve të 1939-ës.
Para disa ditëve Presidenti Nishani ka kërkue edhe njiherë hapjen e Arkivave. Nji kërkesë ma e gjanë e Arkivave mund të diftojnë emnat e Ebrejve që përfituene prej ndihmës Shqiptare, që përfituen pasaportat dhe emnat e administratorëve që u shërbyen në ketë veprimtari  humanitare.
Veprimtaria e Kolë Bibës në momentin historik në të cilin u zhvillue, ka mujtë me shpëtue nji numër deri në 2000 Hebrej që, simbas raporteve të ndryshme, gjindeshin në Shqipni në kohën e Luftës së Dytë Botnore.

Marrë nga fokustv.net (Robert Papa)