Xhevat Behri lindi në Shkodër më 9 shkurt 1929. Kreu me korrespondencë Liceun Artistik në Tiranë. Filloi punë në Ndërmarrjen Kinematografike më 2 dhjetor 1949. Më 1953 u dërgua me një grup shokësh në Moskë pranë Studios Qendrore të Filmave Dokumentarë, ku bëri një kurs specializimi për operator zëri. Nga viti 1954 punoi si operator zëri në Kinostudion “Shqipëria e Re”, në filmat kronikalë e dokumentarë dhe në disa dhjetra e qindra kinoditarë.
Në vitin 1957 ishte i pari operator zëri që realizoi kolonën zanore në filmin e parë artistik shqiptar të metrazhit të shkurtër Fëmijët e saj /R: H. Hakani/ dhe një vit më vonë operatori i zërit të filmit të parë artistik të metrazhit të gjatë Tana /R: K. Dhamo, 1958/. Njeri i pasionuar pas profesionit, i palodhur dhe këmbëngulës, me përkushtim e sedër profesionale – ndonëse pa ndonjë arsim të plotë profesional /përveç kursit njëvjeçar nè Moskë/ arriti të bëhej operatori i zërit më prodhimtar duke lënë gjurmët e tij në të gjitha gjinitë e filmit shqiptar. Përveç shumë filmave kronikalë, dokumentarë dhe kinoditarëve në karrierën e tij profesionale realizoi si operator zëri edhe rreth 35 filma artistikë. Ndër këta filma bëjnë pjesë: Vitet e para/ 1964/, Oshëtimë në bregdet /1966/, Ngadhnjim mbi vdekjen /1967/, Kur zbardhi një ditë /1970/, Kapedani /1972/, Operacioni Zjarr /1973/, Rrugicat që kërkonin diell /1975/, Pylli i lirisë /1976/, Koncert në vitin 1936 /1978/, Ballë për ballë /1979/, Një natë pa dritë /1981/, Kohë e largët /1983 /, Guri i besës/ 1985/, Vrasje në gjueti /1987/, Sinjali i dashurisë /1988/, etj.
Nga Abaz Hoxha, Historian i Kinematografisë