Florentina Selmani, Melburn, Australi
Pak ditë na ndajnë nga aktiviteti më i madh muzikor i këngës së lehtë, Festivali i 63 i këngës në RTSH, i cili do të çelë siparin më datën 19 Dhjetor. Ky festival vjen me një risi të bukur. Për herë të parë për fituesin do të vendosë edhe vota e diasporës. Edhe komuniteti Shqiptaro – Australian ndihet i privilegjuar dhe i motivuar që ka përfaqësuesin e tij, pjesëmarrës në festën e këngës shqiptare. Valentin Markvulaj, pjesë e grupit muzikor të mirrënjohur dhe mjaft të pëlqyer, “Djemtë e Detit”, do të përfaqësohet me këngën “Larg”.
Në një bisedë me të, mësojmë se i rikthehet skenës së festivalit të këngës në Radio Televizionin Shqiptar, skenë ku dhe u prezantua grupi dhe mori duartrokitjet e publikut shqiptar, plot 25 vite më pas. “Emigrimi tim ne Australi, në kontinentin e largët, nuk më jepte mundësinë që të bëheshim bashkë, por dëshira për t‘u rikthyer mbeti gjthmonë e fortë. Pas humbjes së këngëtarit tonë, mjaft të dashur për publikun shqiptar, Gent Demaliaj, ndjeva nevojën bashkë me grupin, që të vazhdonim rrugtimin e lënë përgjysëm dhe për t’i risjellë publikut tingujt e muzikës sonë”, na thotë ai.
Si një ndër emigrantët e shumtë shqiptarë, kënga është një pasqyrë e thellë e ndjenjave të tij për vendlindjen. Si kompzitor, orkestrues dhe performues i këngës, Valentini, na flet për rrugëtimin e tij emocional në realizimin e saj dhe bashkëpunimin e bukur me artistin e madh të filmit dhe skenës shqiptare, poetin e mjaft poezive të ndjera dhe teksteve të këngëve, Timo Flloko. Ai mbetet i rënqethës në memorjen tonë, veçanërisht në filmin, “Lulekuqet mbi mure”, në recitimin e poezisë së famshme “Anës lumenjve”, shkruar nga personaliteti shqiptar, figurë e ndritur e historisë dhe letrave të kombit tonë, Fan Noli.
Duke punuar me Timo Fllokon, autor i tekstit të këngës, na thote Valentini, kemi ndarë kujtime dhe ndjenja të thella, për vendlindjen. Kënga flet për ëndrrat që janë tretur, por edhe për forcën e lidhjes me Shqipërinë.
Është një këngë që i dedikohet emigrantëve shqiptarë. Duke qenë larg atdheut tonë të dashur, ne e kuptojmë dhe e ndjejmë më mirë se kushdo forcën e kësaj kënge. Dëshira e komunitetit mbarëshqiptar në Australi, është që të fitojë Valentini. Ftoj të gjithë bashkëkombasit e mi këtu në Australi, që kapin shifrën rreth 20.000, por edhe emigrantët shqiptëtarë kudo në botë, që ta votojnë këngën, „Larg“ nga Grupi Djemte e Detit. Çdo emigrant gjen në të pjesë nga jeta e tij e vështirë në emigracion, gjen momente emocionale e nostalgjie për dheun e të parëve.