skender-drini
Skënder Drini

Skënder Drini u lind në Voskopojë të Korcës në vitin 1935.
Ka kryer Universitetin e Tiranës dhe ka punuar si mësues në rrethet Tropojë, Burrel e në Shkodër në vitet 1954-1982. Botimet e tij të para, ishin tregimet për jetën e botën e fëmijëve. Më pas, botoi, vëllime me tregime ndërsa veçanërisht romanet, qenë një befasi për lexuesit dhe kritikën. Pas suksesit që pati krijimtaria e tij në vitet ’70-80, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, nga viti 1982-1991 e nxori shkrimtar në profesion të lirë.
Në vitet 1992-1997 Skënder Drini ishte sekretar i parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Ankara në Turqi. Në vitin 1997 kthehet sërish në Shkodër, drejtor i Televizionit Shkodra TV1, nga viti 1999 u aktivizua si analist politik për çështjet e Evropës Juglindore, të Ballkanit dhe të problemeve shqiptare në gazetat “Koha jonë”, “Sot”, “Shekulli”, etj. Drini ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe Kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shkodrës. Ai ishte poliglot që zotëronte mjaft mirë italishten, frëngjishten e turqishten dhe komunikon në anglisht, serbokroatisht dhe rusisht.

Skënder Drini është një nga prozatorët më të veçantë dhe një nga zërat më origjinalë të letërsisë sonë. Vepra e tij përmban një gamë të gjerë tematikash e motivesh, që kanë lidhje me njeriun e kohës në të cilën janë shkruar, por edhe me individë dhe ngjarje historike, që përbëjnë elemente kombëtare.
Shkrimtari Skender Drini është nderuar me Çmimin e Republikës.
U nda nga jeta në Shkodër më 15 dhjetor 2014.

Botime

Letërsi për Fëmijë

Tregimet e së shtunës – tregime – 1965
Do të luajmë pas luftës – tregime – 1967
Tregime për botën tonë – tregime – 1967
Kompania e katërt – roman (Botimi I ’73) – 1967
Tregime të zgjedhura për fëmijë – tregime – 1977

Tregime:

Kumbimet e reja të pyjeve – 1972
Tregimet e veriut – 1977
Rruga e njeriut – 1990
I racconti del Nord ( Tregimet e Veriut) – perkthimi Pavlina Nasca, Bari , Itali, 2007

Romane:
Shqipja e kreshtave tona (Vol.I) – 1967
Shqipja e kreshtave tona (Vol.II) – 1970
Shqipja e kreshtave tona – Prishtinë, 1970
Kënga e dritës – 1970
Njeriu gjigant – 1973
Shembja e idhujve – 1975
Midis dy kohëve – 1978
Vraje tradhtinë – 1978
Kirurgët – 1984
Bajram Curri – Biografi e letrarizuar – 1984
Tanush Martini – 1990
Ishulli i qetë – Prishtine, 1996
Shfytyrimi – EuroRilindja, 1996
Eklipsi i hënës – 1998
Kthim në vetvete – Publicistikë analitike
Shekulli i Kosovës – 2000
Përballje – 2002
Nata është grua – 2004
Korbi – shtëpia botuese “Globus R”-Tiranë, 2007
Sonambul – shtëpia botuese “Ilar” -Tiranë, 2008
Parajsa e gjenive – shtëpia botuese “Ilar” -Tiranë 2009
Planeti i lodhur – 2012