
Shkodran Mustafi nga Maqedonia është shqiptari i parë në historinë e futbollit që ishte pjesë e fitores së një finale botërori, por duke mbrojtur ngjyrat e Gjermanisë. Edhe pse i lënduar, Mustafi ishte pjesë e kombëtares gjermane. Ai gjatë të tërë minutave të lojës ka qenë në emocione dhe ka përkrahur bashkëlojratët e tij në fushë. Mustafi dhe bashkëlojtarët e tij, përfshirë edhe ata rezervë do të marrin medalje të arta dhe nga një shpërblim rekord prej 300 mijë euro. Kështu ka vendosur Federata Gjermane e Futbollit, raporton agjencia e lajmeve INA. Por jo gjithmonë janë me rëndësi përfitimet materiale, gjatë botërorit Brazil 2014 shqiptarët treguan se kanë talent për futboll. Ata ishin lojtarët kyç, sidomos në kombëtaren e Zvicrës dhe të Gjermanisë.

Kush është Shkodran Mustafi
Ndryshe, Mustafi ka lindur më 17 prill të 1992-it në Bad Hersfeld të Gjermanisë, në një familje shqiptare, me origjinë nga Gostivari i Maqedonisë. Ai është rritur në akademitë e skuadrave amatore të FV Bebra dhe SV Rotenburg, para se të kalonte te Hamburgu. Por në 2009-ën Shkodran Mustafi u pikas nga vëzhguesit e Evertonit, të cilët e afruan fillimisht te skuadra e të rinjve dhe më pas edhe në skuadrën e parë. Mirëpo këtu nuk pati mundësi aktivizimi, ndaj në 2012-ën pranoi ofertën e Sampdorias, duke u bërë dalëngadalë një lojtar i formacionit titullar. Ndërkohë kujtojmë se ai është aktivizuar rregullisht me të gjitha kombëtaret e moshave të Gjermanisë, duke filluar që nga U-16, U-17, U-18, U-19, U- 20 dhe tashmë U-21.
