Përkitazi me porositë e Ramiz Alisë për pinjollët e komunizmit
– Nga KOLEC TRABOINI
Televizionin News 24 më datë 5 janar 2016 dha një intervistë me të vërtetë delirante të kryeparlamentarit shqiptar Ilir Meta, mbi drejtësinë, i cili vetë paradoksalisht ka qenë problematik me drejtësinë sa, po të mos hynte në mes ish kryeministri Berisha do të ishte krejt ndryshe udhëtimi i tij politik. Shtuar kësaj edhe se u bë shkak për demonstratën e 21 janarit 2011 çfarë solli 4 vrasje në mes të ditës e para kryeministrisë apo aktin e përfolur për vrasjen e deputetit Tom Doshi, të cilën çështje drejtësia jonë zulmëmadhe me osh-osh e mbylli mbështetur në një akt gjoja amnistie. Shtyj të shtyjmë. E çuditshme është se sa ky person që gëzon mjaftueshëm antipatinë e popullit, aq shumë i ka ngjitur shkallët e pushtetit dhe të dëlirit njëkohësisht, sa tha as më pak e as më shumë se reformën në drejtësi nuk e pengojnë duart me ora të shtrenjta. Mesazhi që përcjell është krejt i kuptueshëm. Veç ndonjë tru batall nuk e kupton. Dhe do ta themi hapur atë çfarë nënkuptuam: Ambasadori Donald Lu, fol sa e si të duash, por dimë ne si e bëjmë drejtësinë e do ta bëjmë pikërisht në atë mënyrë që neve të orëve të shtrenjta të mos na hyj ferrë në këmbë. Siç nuk i hyri vetë Metës në aferën e 700 mijë eurove që e pa të filmuar gjithë Shqipëria në përplasjen me ish ortakun e vet në parti e qeveri, Dritan Prifti. Përvojë e mirë kjo për Shqipërinë e kaosit dhe e politikës mafioze, të kastave të parive që nuk japin llogari për asgjë, ku mos ndëshkueshmëria e politikanëve dhe e shtetarëve të korruptuar është njëqind për qind por, nuk do të kishte shtet tjetër në Evropë, që një njeri të tillë me këto rropulli mbi supe ta ngjiste në shkallën më të lartë të shtetit pa pasur asnjë kundërshti, asnjë opozitë, asnjë zë sado të vogël kundër në parlament apo publik. E gjasat janë ta bëjnë edhe president për të na kujtuar romanin me tematikë historike “Si u bë pirati Papë”. E kjo flet shumë për natyrën e politikës dhe qeverisjes në shtetin me korrupsion deri në palcë. A thua ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe Amerikës nuk e dinë këtë?! Edhe ata nga halli bëjnë kinse nuk i dinë dhe, duan nuk duan i thonë derrit dajë. Tani se çfarë pret ky popull nga të tillë njerëz që e kanë shaluar këtë vend në një çerek shekulli dhe në mënyrën më të përçudnuar sa për t’ia pasur zili edhe Enver Hoxha, është e kuptueshme. Mjafton të lexojmë fjalimin e fundit të Ramiz Alisë në tetor 1989 kur tha se ngado që të vinë e të vërtiten punët në Shqipëri, pushtetin do ta kenë vetëm pinjollët e komunizmit.
Ja çfarë u porositi Ramiz Alia pinjollëve të komunizmit, që këta po e zbatojnë sot e kësaj dite pikë për pikë si një program strategjik afatgjatë:
“Le të krijojnë kundërshtarët tanë parti të djathta, të majta apo të qendrës, madje do t’i nxisim dhe ne vetë, por kryesore është që të gjitha këto parti të kontrollohen nga ne vetë. Për këtë, edhe programet e themelimit duhet t’i formulojmë ne. Për drejtimin e këtyre partive duhet të gjenden njerëz që të përkrahin strategjinë tonë. Partia që do të marrë pushtetin, jo vetëm që është e lirë të shajë pushtetin, por këtë ta bëjë fort, sepse kështu do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të disidencës antikomuniste.”
Sa i përket të persekutuarit politikë, Ramiz Alia porosiste atë çfarë për njëzet e pesë vjet u zbatua një e për një edhe si program politik i partive bijëza të Partisë së Punës së Shqipërisë gjithashtu edhe një si veprim praktik pa i lëvizuar asnjë presje:
“Ata që janë nëpër burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë, sigurisht që do të na shajnë. Por edhe pse këta e urrejnë komunizmin, do ta shihni që do të na vijnë afër dhe do të na përkrahin. Këta do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të ndryshme, por jo të rëndësishme; por kurrë nuk do t’i lëmë të na përvetësojnë pushtetin. Dhe e dini pse?! Sepse sapo të marrin fuqinë, do
Në zbatim të drejtave të njeriut, duhet t’u japim edhe kompensimin në para, të burgosurit polikë t’i kompletojmë me komoditetet banimi. Të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë që t’u njihet prona, por prona vetëm në pak duar do të bjerë, pasi ligji do t’i ngatërrojë njëri me tjetrin. Por një gjë duhet të kemi parasysh; të kemi kujdes nga fëmijët e të persekutuarve politikë, pasi ata vetë janë aq pleq apo të sëmurë sa mezi rrinë në këmbë. Kësaj kategorie mendoj që t’i japim pasaportë për t’u larguar nga Shqipëria më mirë dhe me kaq do të jenë të kënaqur. Pasuria e tyre na përket neve, sepse ne e bëmë.”( Gazeta “Illyria” New York f. 11 2/19/04)
Dhe ja ku jemi në vitin 2016. Më thoni për diçka që të ketë ndryshuar në këtë platformë të metamorfizmit të komunizmit në një pluralizëm fals, vetëm e vetëm për të mbajtur pushtetin në mënyrë të kamufluar?
A i doni emrat e atyre që sot janë në pushtet apo në parlament? Jo nuk po sjellim ato por disa emra të baballarëve apo të afërmeve të tyre besnikë deri në vdekje të diktatorit Enver Hoxha : Spiro Koleka, Sulejman Bushati, Rrapi Gjermeni, Sofokli Lazri, Llambi Gegprifti, Xhelil Gjoni, Hamit Beqja, Sulo Gradeci, Lenka Çuko, e të tjerë që dinë si ti humbin gjurmët në këtë turbullirë me emrin e shpifur tranzicion. Ata na shfaqen edhe si ambasadorë apo nëpunës të lartë të shtetit. I vetmi që ka mbetur hapur është Gramoz Ruçi. Ish ministër i brendshëm i diktaturës komuniste në vitin 1990, për njëzet e pesë vjet dominon parlamentin shqiptar gjoja pluralist. A gjeni në vendet e Evropës Lindore ish-komuniste ndonjë ish ministër të brendshëm të diktaturës të vazhdojë të jetë në parlament? Po këta si nuk u lodhën në pushtet e në parti. Ku jemi e ku vemi, o popull? Tani këta pinjollët e komunizmit e ndjejnë veten më të fuqishëm se kurrë, sa nxjerrin kunjin edhe me amerikanët, si babai i tyre Enveri kur erdhi në pushtet në 1944 dhe nuk la asnjë ambasador amerikan të shkeltë në Shqipëri për 50 vjet. Po këta pinjollët e komunizmit po ja kalojnë edhe babait të tyre shpirtëror, këta i pranojnë amerikanët, por thjeshtë si figura, sa për të legjitimuar një lloj demokracie false. Kinse i dëgjojnë ambasadorët, rrinë urtë si qengja para tyre, ndërsa prapa krahëve u tregojnë bërrylin. Çfarë kuptimi tjetër ka të ironizosh shprehjen e Ambasadorit Amerikan Donald Lu që duart me ora të shtrenjta janë shenja të korrupsionit, ndërkohë kryeparlamentari i Shqipërisë të thotë se drejtësia nuk varet prej orëve të shtrenjta. Po realisht sot në Shqipëri prej kujt varet drejtësia dhe ata që do na bëjnë sot drejtësinë a nuk kanë ora super të shtrenjta dhe vila milionëshe, shto pasuri të pafund të padeklaruara. Pse nuk del të thotë kryeparlamentari sa pasuri ka dhe sa i kushton vila në Gjirin e Lalëzit, ku palmat i janë sjellë me helikopter? Ky lakim e përgojim i fjalëve të ambasadorit për orët e shtrenjta do të thotë as më pak e as më shumë por thjeshtë “Çaj dërrasa Ambasador!”
Të dale tani ndonjë kasnec i Partisë Lesh e Li e të na shpjegojë ndryshe këtë domethënie….
6 janar 2016