Nga Admirina PEÇI /
TIRANE- Raporti sekret i 1967/ Mes materialeve dokumente të Mjedës, Fishtës, Gurakuqit apo Bajram Currit. Me interes, korrespodenca dhe regjistrat e pagëzimeve, vdekjeve, martesave etj. Në vitin 1967, kleri po merrte goditje të shumëanshme prej regjimit komunist në Shqipëri. Pas mbylljes së objekteve fetare dhe ndalimit të të gjithë riteve e festave fetare në vend, regjimi nisi sekuestrimin e pasurive që u gjetën nëpër institucionet fetare, mes tyre pasuritë dokumentare e bibliotekare. Dokumenti që sjellim sot për lexuesit dëshmon pikërisht bastisjen e bibliotekave dhe arkivave të klerit katolik në Shkodër.
Një ekip prej 4 vetësh ishte dërguar në Shkodër nga 25 shkurti i atij viti deri në 27 maj, për t’u marrë me grumbullimin dhe inventarizimin e materialeve dokumentare dhe fondit bibliotekar të klerit.
Materiali dokumentar i gjetur në dy kishat e Shkodrës ishte mjaft i pasur dhe me vlerë të rëndësishme historike. Ai ishte përmbledhur në 1 270 dosje. Mes tyre kishte dokumente shumë të rëndësishme sidomos për të dhënat që përcillnin si: regjistrat e pagëzimeve, vdekjeve, martesave etj. Në raportin datës 2 gusht 1967 dërguar Ramiz Alisë në Komitetin Qëndror dhe Haki Toskës në kryeministri, jepen të dhëna të hollësishme mbi pasurinë dokumentare që është sekuestruar sikurse edhe për fondin bibliotekar.
Arkivistët njoftojnë se me mjaft interes është edhe korrespodenca e pasur e gjetur në arkivat e klerit katolik. Sipas tyre kjo korrespodencë është, krejtësisht, “e shekullit 19-20 dhe hedh dritë mbi marrëdhëniet e klerit me shtetin, me delegatin apostolik në Shqipëri, me “Propagandën Fide” të Vatikanit etj”. Ndërsa japin hollësi edhe mbi pasurinë bibliotekare të sekuestruar, specialistët e dërguar në Shkodër njoftojnë se fondi bibliotekar arrin në 10 000 volume, ku veçojnë edhe koleksione të plota të gazetave “Fjamuri i Arbërit” i Jeronim De Radës, “Albania” e Faik Konicës, “Ora e Maleve” etj.
Po ashtu në Shkodër gjatë këtij ‘aksioni’ janë sekuestruar edhe shumë dokumente që i përkisnin klerit mysliman. Sipas arkivistëve, të cilat këto dokumente kishin karakter administrativ e financiar. Po ashtu nga kleri musliman ishin sekuestruar edhe 2 500 vëllime në gjuhën turqisht, arabisht, persisht etj. Më tej në pjesën e dytë të tij, të cilën do ta botojnë nesër si vijim, ky raport i hollëshëm i 2 gushtit 1967 jep të dhëna edhe për sekuestrimet në rrethe të tjera, si Pukë, Mirditë, Durrës, Korçë, Tiranë etj.
Dokumenti i plotë…
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
DREJTORIA E PËRGJITHSHME E
ARKIVAVE TË SHTETIT
Nr. 6/12.
Tiranë, më 2-8-1967.
KOMITETIT QENDROR TË P.P. TË SHQIPËRISË
SH. RAMIZ ALIA
PËR NJOFTIM
K R Y E M I N I S T R I S Ë
SH. HAKI TOSKA
T I R A N Ë
Sipas urdhrit tuaj verbal, nga data 25 shkurt deri më 27 maj, kjo Drejtori mori masat dhe dërgoi në Shkodër një ekip prej 4 vetash, për grumbullimin dhe inventarizimin e materialeve dokumentare dhe fondit bibliotekar të klerit;
Ekipi i Drejtorisë së arkivave, në punën e tij, u ndihmua shumë nga Komiteti i Partisë së Shkodrës, si dhe nga Komiteti Ekzekutiv i K.P. të Rrethit, të cilët e vlerësuan seriozisht këtë problem dhe treguan një kujdes të veçantë, duke e ndihmuar konkretisht ekipin për të gjitha problemet dhe nevojat që kishte.
Materialet dokumentare të klerit katolik në Shkodër, që ruheshin pranë dy kishave kryesore, si dhe fondi bibliotekar, u bllokuan menjëherë dhe u tërhoqën pranë komitetit Ekzekutiv të K.P. të Rrethit Shkodër.
Nën drejtimin e ekipit të kësaj Drejtorie, i gjithë materiali dokumentar i grumbulluar pranë Komitetit Ekzekutiv, si dhe fondi bibliotekar, u inventarizuan tërësisht, u sistemuan duke përdorur kriteret e punës arkivore e u vendos ndër arka të posaçme.
Materiali dokumentar i grumbulluar nga dy kishat e Shkodrës përbëhet prej 35 ml., që përbëjnë 1 270 dosje material dokumentar. Ky material dokumentar është i dy fondeve kryesore të klerit katolik: i Argjipeshkvisë së Shkodrës dhe i Kuvendit Françeskan dhe është një material arkivor me vlerë të rëndësishme historike. Në këtë material, një vend me rëndësi zënë regjistrat e pagëzimeve, vdekjeve, martesave etj., që kanë të dhëna demografike, ekonomike, financiare etj., si dhe shënime mbi misionarët katolikë në Shqipëri. Këta regjistra fillojnë nga shekulli i 18-të e deri në ditët e sotme. Vlen të theksohet se një regjistër i vitit 1745, përveç shkrimeve latinisht e italisht, përmban edhe 29 mallkime në gjuhën shqipe.
Grupi tjetër i rëndësishëm i dokumenteve është korrespondenca e institucioneve klerikale mbi aktivitetin fetar, administrativ e shoqëror. Kjo korrespondencë është, krejtësisht, e shekullit 19-20 dhe hedh dritë mbi marrëdhëniet e klerit me shtetin, me delegatin apostolik në Shqipëri, me “Propagandën Fide” të Vatikanit etj. Theksojmë se mungon, krejtësisht, korrespondenca e shkëmbyer ndërmjet institucioneve fetare dhe pushtuesve italo-gjermanë të vitit 1939-1944. Materialet e periudhës së pushtetit popullor janë të karakterit administrativ e financiar, kurse korrespondenca tjetër mungon. Kështu, kjo formon një objekt kërkimesh të mëtejshme.
Ndërmjet materialeve, janë gjetur materiale dokumentare të Ndre Mjedës, Gjergj Fishtës, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit etj., si dhe dokumente të shoqërive të ndryshme, si: të Shoqërisë Letrare “Bashkimi” në 1901-1904, të shoqërive sportive “Bogdani”, “Rozafati” etj.
Fondi bibliotekar i dy kishave, që përmenden më lart, i grumbulluar ka 10 000 volume. Ndërmjet tyre, janë gjetur dhe koleksione të plota të gazetave “Fjamuri i Arbërit” i Jeronim De Radës, “Albania” e Faik Konicës, “Ora e Maleve” etj. Në qytetin e Shkodrës, janë grumbulluar rreth 5 metra material të klerit mysliman, të cilat kanë karakter administrativ e financiar, po kështu dhe 2 500 vëllime në gjuhën turqisht, arabisht, persisht etj.
( Shqiptarja.com?Gazeta Vatra)