Sami Frashëri u lind në Frashër të Përmetit më 1 qershor 1850, ku mori dhe mësimet e para. Më 1865 së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe dy motrat u vendos në Janinë, ku bashkë me vëllanë, Naimin, kreu shkollën e mesme greke “Zosimea”, ku përveç kulturës së përgjithshme, përvetësoi krahas greqishtes së re e të vjetër edhe gjuhën latine, frënge e italiane. Më vonë në Tetovë, mësoi arabisht, persisht dhe turqisht.
Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes demokratike-borgjeze turke. Ai ishte një ndër organizatorët kryesorë të “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” dhe të themelimit të “Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip” dhe më 1879 u zgjodh kryetar i kësaj shoqërie.

sami_frasheri
Sami Frashëri

 

Sami Frashëri drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria” (Stamboll, 1884-85) ku shkroi një varg artikujsh. Nga veprat më të shquara të këtij mendimtari të shquar, është “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, botuar më 1899 pa emër autori në Bukuresht. Ky traktat u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Në të u shprehën idealet demokratike të zhvillimit politik e shoqëror të vendit, të zhvillimit të arsimit, të kulturës e të shkencës. Sami Frashëri hartoi dhe një fjalor të gjuhës shqipe që mbeti i pabotuar, ai la gjithashtu në dorëshkrim një përmbledhje këngësh popullore shqiptare.
Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke shkruar vetë në to.
Vepra madhore e Sami Frashëri është në gjuhën turke, Enciklopedia “Kamus-ul alâm” (1900) në 6 vëllime.
Si shkrimtar ai shkroi në gjuhën turke drama e romane. Vepra më e rëndësishme tregimtare Sami Frashëri është “Besa”, e botuar rreth vitit 1875 dhe që e ka marrë subjektin nga jeta shqiptare. Ajo u shfaq në teatrin perandorak në Stamboll rreth vitit 1874, një vit para se të botohej.
Sami Frashëri ka bashkëpunuar me shkrime dhe ka qenë redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta si psh: “Sabah” (“Mëngjezi” 1876), ku për një kohë ishte kryeredaktor, “Hafta” (“Java”) etj.
Në punën krijuese të Sami Frashëri një vend të rëndësishëm zënë edhe përkthimet, e kryesisht ato nga frëngjishtja. Biblioteka personale e tij kishte 20,000 vëllime.
Sami Frasheri vdiq më 18 qershor 1904 në Stamboll.

 

Titujt të veprave:

Besa, (osmanisht) 1875
Abetare e gjuhës shqipe, (1886),
Shkronjtore e gjuhës shqipe, (gramatika, 1886)
Dheshkronjë, (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe.
Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet (1899)
Kamus-i Turki, fjalor (osmanisht-osmanisht) 1901
Kamus al alam, enciklopedia e parë osmane e gjeografisë dhe historisë.
Kamus-i Fransevi, 1882 Fjalor osmanisht-frëngjisht
Kamus-i Fransevi, 1885 Fjalor osmanisht-frëngjisht
Kamus-i Arabi, Fjalor arabisht-osmanisht