Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për trafikimin e qenieve njerëzore. Sipas raportit: “Grupe kriminale rekrutojnë me anë të mashtrimit femra me oferta për punësim si kamariere, banakiere, kërcimtare, apo këngëtare në vendet fqinje, specifikisht në Kosovë, Greqi dhe Maqedoni dhe i nënshtrojnë ato ndaj trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual.” …

prostitution

“Femra dhe fëmijë shqiptarë i nënshtrohen në radhë të parë trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual brenda Shqipërisë dhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Zvicër, Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Viktima nga Filipinet dhe Shqipëria iu nënshtruan punës së detyruar në Shqipëri.

Ka një problem në rritje me fëmijët shqiptarë, shpesh të etnisë rome, që i nënshtrohen lypjes së detyruar dhe forma të tjera pune në Greqi, Kosovë dhe brenda Shqipërisë. Disa vajza shqiptare i nënshtrohen trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual apo pune të detyruar pas martesave me ujdi.”

“Në tetor 2013, qeveria emëroi një koordinatore të re kombëtare anti-trafikim, e cila në dhjetor mori nismën për ngritjen e një taskforce të posaçme për të përmirësuar koordinimin midis policisë, prokurorëve dhe gjykatësve. Agjencitë ligjzbatuese shqiptare përmirësuan të kuptuarit e një përqasjeje ndaj trafikimit njerëzor me viktimën në qendër, ndonëse nevojitet më shumë trajnim për të përmirësuar efiçiencën e tyre operative në identifikimin e rasteve dhe çuarjen e tyre drejt ndjekjes penale.

Qeveria rriti numrin e viktimave të identifikuara, por një numër i vogël autorësh trafikimi u ndoqën penalisht dhe dënuan. Viktimat merrnin shërbime të pamjaftueshme të shëndetit mendor në strehën e administruar nga shteti dhe personeli i kujdesit shëndetësor kishte nevojë për trajnim.”…

“Prokuroria e Krimeve të Rënda raportoi se kishte hetuar 24 trafikantë njerëzish të dyshuar në vitin 2013, krahasuar me raste që kishin të bënin me 11 të dyshuar në vitin 2012 por nuk i pati ndarë të dhënat për të demonstruar se kishte bërë përpjekje si kundër trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual ashtu dhe për punë të detyruar.

Gjatë vitit u çua në gjykatë një çështje në të cilën tri trafikantë të pretenduar u akuzuan sipas Nenit 110(a), çështje e cila vazhdonte në fund të periudhës së raportimit. Çështjet e mbetura ose u pushuan, ose janë ende në hetim, ose janë në procedura përpara gjykimit.” – Vazhdon raporti.