Nga Ndoc Selimi /

Qazim Mulleti u lind në Tiranë më 20 dhjetor 1893. Studimet e para i mori në Manastir dhe më pas vazhdoi gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe kryen studimet e larta në Kolegjin Perandorak të Stambollit “Gallata Saraj” me medalje ari. Ai mësoi shumë gjuhë të huaja si turqisht, greqisht, gjermanisht, frangjisht, italisht e latinisht. Më 1914 vazhdon studimet në Vjenë në fushën e diplomacisë ushtarake. Më 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjes. Ishte ai që argumenton pse duhet të ishte Tirana kryeqyteti i ardhëshëm i Shqipërisë. Mulleti bëhet komandant i Forcave vullnetare që luftuan kundër Serbisë në shtator të vitit 1920. Në qeverinë e Nolit bëhet Prefekt në Dibër por pas dështimit te revolucionit nolian, vendoset në Vjenë. Atje ai njihet me Hajrijen, (bashkëshorten e ardhëshme) e cila ishte emigrante antizogiste në Austri. Në vitin 1931 Qazim Mulleti ishte nga njerëzit kryesorë që përgatitën atentatin kundër Zogut në Vjenë, që i ishte ngarkuar kapiten Azis Camit dhe toger Ndok Gjeloshit.

qazim-mulleti-1
Qazim Mulleti

Me pushtimin fashist Qazim Mulleti kthehet në Shqipëri. Gënjehet pas fashizmit si edhe shumë figura të tjera të asaj kohe duke menduar gjithnjë për krijimin e Shqipërisë Reale, në atë kohë e vendosur në program prej fashizmit. Ai bëhet Prefekt i Tiranës. Mulleti ishte armik i komunistëve të cilët i konsideronte prorusë. Pasi sheh se lufta merr kundër idealeve të tij, Qazimi ikën përsëri në emigracion, por këtë radhë për të mos u kthyer më kurrë. Ai vdes më 28 gusht 1956 Romë, ndërsa e shoqja bashkë me të birin Reshitin provon vuajtjen për 45 vjet nëpër kampet e përqëndrimit të Shqipërisë, derisa Hajrija vdes e persekutuar dhe e harruar në vitet 80′ në Savra, Lushnje.