Njoftimi i UEFA-s i publikuar në faqen e saj zyrtare paraditen e sotme:
“Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka vendosur që Federata Shqiptare e Futbollit ta humbasë 3-0 ndeshjen me Serbinë. Përveç kësaj, FSHF-ja është gjobitur edhe me 100 mijë euro.
Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës ka vendosur që Federatës Serbe të Futbollit t’i zbriten tre pikë në garën kualifikuese të Kampionatit Evropian. Gjithashtu FSS-ja është urdhëruar që dy ndeshjet e ardhshme t’i luajë me dyer të mbyllura. Së fundi Federata është gjobitur me 100 mijë euro.
Këto vendimi janë të hapura për t’u apeluar.”
Presidenti i FSHF-së, Armando Duka thotë se Shqipëria “humbi betejën e parë, por jo luftën”.
“Jam i bindur që do ta fitojmë këtë çështje. Do të kisha shumë dëshirë që vendimin e duhur ta jepte shkalla e parë, komisioni i disiplinës, por nuk dyshoj që do ta fitojmë këtë betejë. Në apel dhe në arbitrazh”, është shprehur Duka.
Në reagimin zyrtar të FSHF-së fill pas vendimit të UEFA, thuhet se, “do të kërkohen argumentet e vendimit dhe do të apelojmë këto vendime” që për FSHF-në është “aspak i drejtë”.
“Ky është një vendim tërësisht i njëanshëm ku dënohemi vetëm ne dhe aspak Serbia. Është e çuditshme se si mund të dënohemi ne që ishim viktima të dhunës dhe racizmit serb. Ne nuk refuzuam rikthimin në fushë, por ishte siguria e pamjaftueshme ajo që solli ndërprerjen e ndeshjes”, ishte reagimi i FSHF-së.
Gjithashtu Serbia shpreh edhe ajo pakënaqësi me vendimin e marrë nga ana e UEFA-s. Zëvendëspresidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë, Goran Milanovic, nuk është i kënaqur me vendimin e UEFA-s për ndeshjen e ndërprerë mes Serbisë dhe Shqipërisë, e cila u regjistrua me rezultat 3:0 në dobi të kombëtares serbe, por kësaj të fundit do t’i merren edhe tre pikë. “Unë nuk jam i kënaqur. Nuk do të shtoj asgjë më tepër, Federata do të reagoj më vonë edhe zyrtarisht”, tha Milanovic.