presidenti-nishani-dekorimi-marie-logorecit-512x350(1)
Presidenti Nishani duke i dhene dekoraten djalit te aktores zotit Pjerin Logoreci

 

TIRANE- Presidenti i Republikës Bujar Nishani çmoi sot  (23 shtator 2015) aktoren e shquar Marie Logoreci (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit” të shoqëruar nga ky motivacion: “Në vlerësim të interpretimeve mjeshtërore e të paharrueshme të gruas dhe nënës shqiptare, duke skalitur me realizëm një galeri mbresëlënëse e simbolike portretesh në skenat teatrale, dhe të kontributit thelbësor e të pamohueshëm të saj si një nga themelueset dhe pionieret e kinematografisë sonë”.

Presidenti Nishani u shpreh gjatë ceremonisë solemne ku ishin të pranishëm familjarë dhe të afërm të aktores shkodrane, artistë dhe personalitete nga fusha e artit dhe kinematografisë: “Të flasësh, dhe aq më tepër të vlerësosh institucionalisht një artiste të lindur si Maria, apo Tushi siç e thërrisnin që në vogëli, me një shpirt aq të pasur e të dlirtë njerëzor, është e vështirë për këdo, jo vetëm për mua. Gjinitë artistike që ajo përvetësoi, zhvilloi dhe përsosi që herët, duke u endur plot kureshtje fëminore nëpër rrugicat hijerënda apo auditoret e shkollës femërore të ‘Motrave Stigmatine’, aty në djepin e pashtershëm shkodran të kulturës dhe dijes ishin të shumta. Dhe pavarësisht se Marija njihet më tepër si aktore dhe regjisore, nuk duhet harruar për asnjë dekikë se ajo mund të ishte bërë edhe një piktore, instrumentiste virtuoze, këngëtare e famshme, gjuhëtare rigoroze apo ndoshta edhe një etnografe e përkryer.”

“Jam më se i bindur se në gjerdanin e panumërt të roleve dhe interpretuesve të skenës dhe kinematografisë sonë të shekullit të kaluar nuk ka pasur gur më të shndritshëm se Marije Logoreci, e cila mishëronte dhe pasqyronte katërcipërisht të gjitha virtytet e rralla e të çmuara të gruas dhe nënës shqiptare. Asnjëri prej nesh nuk mund të fshijë nga kujtesa personazhet teatrale si Mbretëreshën Gertrude tek ‘Hamleti’ i Shekspirit, Fatimen tek ‘Halili dhe Hajria’ e Kolë Jakovës, Bernarda Albën e Lorkës, Tringën tek ‘Shtatë shaljanët’ e Ndrek Lucës, por figura me sy të përlotur e Lokes tek ‘Toka Jonë’ apo ajo e dhembur e Nanës tek drama e Loni Papës ‘Cuca e Maleve’ trupëzojnë vërtetësisht e me besnikëri të gjitha tiparet dhe vetitë më të mira shekullore të grave dhe nënave fisnike shqiptare.” – vuri në dukje Presidenti.

“Që në fillim të mandatit tim i kam vënë vetes një detyrë institucionale për të vlerësuar zyrtarisht e për t’u shprehur mirënjohjen, qoftë edhe me pak vonesë, të gjitha atyre figurave të rëndësishme historike, artistike, shkencore, atdhetare, të cilat pluhuri i harresës së periudhës diktatoriale gjysmë shekullore dhe ndryshimet e vrullshme të tranzicionit demokratik edhe mund t’i kenë lënë pa dashur në hije. Dhe këtë zotim institucional, por thellësisht edhe personal do të vazhdoj ta përmbush me përpikëri deri ditën e fundit të qëndrimit në detyrën e Presidentit të Republikës. Prandaj, më lejoni që në përfundim të kësaj fjale të shkurtër, por më se të sinqertë, të shpreh edhe njëherë falënderimin dhe mirënjohjen e pamatë për aktoren e madhe dhe zonjën fisnike që hijeshoi skenat dhe ekranet tona duke na pasuruar jo vetëm estetikisht mendjen e shpirtin, por edhe duke na bërë të ndihemi krenarë që jemi shqiptarë, bashkëkombas të Marie Logorecit, të cilën sot në 95-vjetorin e lindjes së saj, në mënyrë më se të merituar, e shpall zyrtarisht edhe ‘Nder të Kombit.’ – u shpreh Kreu i Shtetit.