Nga Olsi Avdiaj
Cilët janë golat më të bukur të kombëtares shqiptare në eliminatoret që e çuan në Europian? Faqja zyrtare e UEFA-s ka publikuar pesë golat më të bukur të kombëtares shqiptare të futbollit gjatë kualifikueseve të EURO 2016. Suksesi historik i Shqipërisë që arriti të siguronte kualifikimin në Euro 2016 vazhdon të tërheqë vëmendjen e UEFA-s që i kushton një hapësirë të veçantë ecurisë së kuqezinjve. Në kanalin zyrtar të institucionit të futbollit në “Youtube:, UEFA publikon 5 golat më të bukur të fazës eliminatore të kuqezinjve.
Nga Bekim Balaj te Sadiku, një rrugëtim që zgjati rreth një vit dhe u mbyll me festën mbarëshqiptare. Goli i Bekim Balajt në fitoren 0-1 ndaj Portugalisë, ai i Lenjanit në barazimin 1-1 ndaj Danimarkës në Tiranë, golat e Mërgim Mavrajt dhe Shkëlzen Gashit në fitoren 2-1 ndaj Armenisë në Elbasan dhe ai i Armando Sadikut në fitoren 3-0 ndaj Armenisë në transfertë ishin të përzgjedhurit e UEFA-s.
Kombëtarja jonë u kualifikua si vendi i dytë i grupit I, pasi grumbulloi 14 pikë në 8 ndeshje, duke shënuar 10 gola(shtatë realisht) e pësuar 5. Nga shumë media të huaja, ky sukses është konsideruar surprizë, për faktin se Shqipëria bënte pjesë në një grup të vështirë, me Portugalinë, Danimarkën, Serbinë dhe Armeninë, por duke zënë vendin e dytë u kualifikua direkt, pa pasur nevojë edhe për “play-off”. Shumë analiza janë bërë për “baballarët” e këtij suksesi mbresëlënës, shumë debate u hapën në lidhje me më meritorin, ndërkohë që UEFA, qeveria europiane e futbollit, ka qëmtuar në një drejtim tjetër për kuqezinjtë. Ajo ka përzgjedhur dhe publikuar pesë golat më të bukur e më të rëndësishëm, të cilët e kualifikuan Shqipërinë në finalet e “Francë 2016”.
Kombëtarja shqiptare ka realizuar ëndrrën e saj që të merr pjesë në një eveniment madhor siç është Kampionati Evropian i Futbollit që do të mbahet në Francë në vitin 2016 pas fitores me Armenin. Pas humbjes 0-2 në Elbasan Arena ndaj Serbisë, pothuajse të gjithë u dëshpëruan, gjithashtu edhe vetë futbollistët. Kështu Shqipëria shkroi historinë duke u kualifikuar në Kampionatin Evropian. Shqipëria bëri realitet ëndrrën e saj 85 vjeçare për të marrë pjesë në finalet e një kampionati evropian futbolli. Nga 7 shtatori i 2014-tës deri më 11 tetor të 2015 Shqipëria ka përjetuar 13 muaj të jashtëzakonshëm kuqezi, të cilët u kurorëzuan me një fitore.
Në Armeni, Kombëtarja luajti për ëndrrën më të madhe të futbollit shqiptar, të jetë pjesë e një Europiani, të jetë mes më të mirave të kontinentit. Në 13 muaj tifozët shqiptarë në çdo cep të globit janë gëzuar, kanë ëndërruar, kanë bërtitur “gol”, dhe kanë qëndruar për pesë ndeshje të pathyer, kanë luftuar dhe dyerve të gjykatave europiane, e si asnjëherë tjetër siguruan dhe një vend në play-off, pas katër ndeshjeve të para, por edhe kanë vuajtur në minutat e fundit duke provuar jo thjesht dëshpërimin, por vuajtjen që mund të shkaktojë zhgënjimi nga një ëndërr e madhe. /burimi/Shekulli/