Më 10 qershor 1878 u themelua Lidhja e Prizrenit. Ajo ishte organizata e parë mbarëshqiptare me një platformë ideologjike dhe një program politik.

Nismën për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit. Por, për të mos shkaktuar reagimin e hapur të organeve qeveritare osmane, Komiteti i Stambollit vepronte në rrethanat e fshehtësisë së plotë. Si vend për mbledhjen e Kuvendit u caktua Prizreni, qyteti kryesor i Kosovës dhe një nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë, që ndodhej në afërsi të krahinave, ku do të zhvillohej qëndresa e armatosur e Lidhjes për mbrojtjen e tërësisë së atdheut.

lidhja-prizrenit
Sapo u përhap lajmi se Kongresi i Berlinit do të mblidhej më 13 qershor 1878, në viset e të katër vilajeteve u zhvilluan mbledhje për të zgjedhur delegatët që do të niseshin për në Prizren.
E shqetësuar nga zhvillimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Porta e Lartë thirri në Stamboll, në fund të majit, personalitetet më të dëgjuara të jetës politike shqiptare, si Iljaz pashë Dibrën, Ali bej Gucinë, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Ahmet Koronicën, Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafa Tetovën, Vejsel bej Dinon dhe disa dhjetëra të tjerë, ndaj të cilëve ushtroi për disa ditë me radhë një trysni të fortë për t’i detyruar që t’i jepnin besëlidhjes karakterin e një organizate islamike ballkanike.
Gjithashtu Porta u përpoq t’i mbante në Stamboll me pretekste të ndryshme, për të penguar pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin Kombëtar. Por ata u nisën për në Prizren pa lejen e saj. Kuvendi Kombëtar u hap më 10 qershor 1878. Por atë ditë në Prizren nuk kishin arritur të gjithë delegatët e krahinave shqiptare. Mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm dy delegatë (njëri nga të cilët ishte Abdyl Frashëri), pasi të tjerët ishin ende në udhëtim.
Nga të dhënat e derisotme dokumentare nuk ka qenë e mundur të përcaktohet lista e plotë e delegatëve, as numri i saktë i atyre që u ndodhën të pranishëm në ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes. Njihen më se 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës. Ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë.
Ndër figurat më të shquara që merrnin pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm njihen: Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizator të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Zija bej Prishtina, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra (Neza), Abdyl Frashëri etj. Në Prizren kishin ardhur gjithashtu delegatë disa feudalë sllavë e sulltanistë nga viset e Bosnjë-Hercegovinës. Kuvendi i Prizrenit i filloi punimet në ditën e caktuar, me qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878). Kuvendi i Përgjithshëm i zhvilloi punimet në një nga sallat e medresesë së ndërtuar në shek. XVII nga Mehmet Pasha; kjo ndërtesë ndodhet pranë xhamisë ose Bajrak-Xhamisë, siç quhej nga qytetarët prizrenas. Kryetar i Kuvendit u zgjodh delegati më i moshuar, Iljaz pashë Dibra.
Delegatët që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kishin unitet të plotë mendimi; të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë.
Ndryshe nga këta, delegatët, që i takonin krahut sulltanist, u përpoqën që organizata që do të themelohej të kishte një karakter islamik e jo kombëtar shqiptar dhe t’ia nënshtronin atë interesave të Stambollit. Në ditën e parë të punimeve në Kuvend folën delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që u mbajtën në këtë ditë ruhet vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë (i vilajetit të Janinës). Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ftoi të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit.

Abdyli ndër të tjera tha: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Fjalimi i Abdyl Frashërit la përshtypje brenda dhe jashtë sallës. Delegatëve të grupimit atdhetar, iu desh të përballeshin në Kuvend si me qendrimet e dëmshme të qarqeve sulltaniste, ashtu edhe me trysninë e autoriteve qeveritare osmane, të përfaqësuara nga mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu, që ishte i pranishën në këtë tubim. Të dyja këto forca u përpoqën të pengonin bashkimin e shqiptarëve në një lidhje kombëtare. Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e përmbushi misionin e tij historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm i tij ishte vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje, me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit. Po atë ditë Kuvendi Kombëtar miratoi tekstin e një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës ngrihej zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfaqësuar në Kuvendin e Prizrenit.

Menjëherë pas themelimit të Lidhjes u formuan organet e saj të larta. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iljaz pashë Dibra. Për të ushtruar funksionet ekzekutive u formua Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare, i përbërë nga tri komisione, secili me një përgjegjës të veçantë: komisioni i punëve të jashtme (Abdyl Frashëri), komisioni i punëve të brendshme (Haxhi Shabani) dhe komisioni i të ardhurave financiare (Sulejman Vokshi).
Më 17 qershor u miratua “Statusi i Lidhjes” dhe “Urdhëresa”
Lidhja Shqiptare e Prizrenit vendosi bazën e kundërshtimit të copëtimin të trojeve të vendit me rrugë diplomatike dhe me armë.