Pesëmbëdhjetë vjet më parë NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë. Fushata pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet të Francës. Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.
Më 10 qershor, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e tyre të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit. Por, data 24 mars në Kosovë bëhet sipas përkatësisë etnike. Institucionet e Kosovës 24 marsin e vlerësojnë si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit, më domethënësen dhe më kuptimplotën për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës.
Nëntë vjet më vonë, Kosova shpalli pavarësinë e saj, e cila deri tani është njohur nga mbi 100 vende të botës, ndër të cilat Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian. Ndërkohë, për komunitetin serb dhe zyrtarët e Beogradit vlerësimet për 24 marsin janë krejt ndryshe. Autoritetet serbe, akuzojnë NATO-n se ka ndërhyrë në vitin 1999 për të krijuar, siç thuhet, shtetin e saj në Ballkan. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë rreth 5 mijë trupa të NATO-s kujdesen për sigurinë në Kosovë dhe prania e kësaj force pritet të vazhdojë për një kohë të gjatë. Kosova shënoi gjashtë vjet të pavarësisë së saj nga Serbia me të cilën aktualisht ndodhet në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përfshirjen e të dyja vendeve në integrimet evropiane.
Marre nga VOA